Ylli Pata: Kuvendi i Berishës, ndarja finale me Partinë Demokratike

2 Dhjetor 2023, 19:46| Përditesimi: 2 Dhjetor 2023, 19:48

  • Share

Reporterët që kanë ndjekur në këto 33 vite zhvillimet politike në vend, e dinë që Pallati i Kongreseve ka qenë kryesisht një vend që mblidhte partitë e mëdha. Pra Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike.

Partitë e tjera, mblidheshin kryesisht te Muzeu Kombëtar, apo ndonjë sallë tjetër të ngjashme. Ajo që kishte organizim disi më të mirë zgjidhte ndonjë sallë si ajo e Teatrit të Operave apo e Akademisë së Arteve.

Kjo pasi Pallati i Kongreseve ka mbi 2500 vende, dhe përveç ardhjes së anëtarëve, duhet siguruar transporti ushqimi, ndoshta edhe fjetja, pra telashe që kushtojnë dhe rëndojnë në organizim.

Kjo “traditë” politike që zhvillohej për vite e vite tregonte edhe fuqinë organizative të forcave politike në vend. Kishte raste që ndonjëherë ndonjë prej partive “të vogla” fryhej e bënte ndonjë aktivitet të sforcuar në Pallat të Kongreseve, po me shumë zor. Përgjithësisht s’ja dilnin.

Organizimi politik është një kod më vete. Partitë nuk janë si organizatat e ndryshme të shoqërisë civile apo kategorive sindikale a profesioneve. Ku njerëzit lëvizin si firzamonikë.

Para më shumë se 10 vitesh, në PD-në e fuqishme të Sali Berishës kur kishte të gjitha pushtetet u shkëput një grupim politik, i cili nuk ishte dakord me politikën e lidershipit të partisë ku kishin milituar.

Këtë grupim e drejtonte Presidenti Bamir Topi, e jo vetëm në Tiranë, por në të gjitha degët e Partisë Demokratike, kishte mjaft persona entuziastë për ta krijuar këtë parti.

Në atë kohë, ky zhvillim ishte mjaft i rëndësishëm e mori mjaft hapësirë në debatin publik. Ku kishte entuziastë e skeptikë. Një nga intelektualët e njohur në vend, themelues i PD-së së 1990, por kritik ndaj Sali Berishës ishte skeptik për formimin e një formacioni të ri politik.

Bëhet fjalë për profesor Omer Stringën, i cili në një intervistë që dha atëherë, shpjegoi thjesht e qartë sa e vështirë është që të ngresh nga e para një kantier politik. “Së pari duhet që në çdo rreth të kesh një zyrë, një numër telefoni, ku të rrijë një person që të komunikojë me qytetarët apo qendrat e votimit”, tha atëherë në intervistën për gazetën Shqip profesor Stringa.

E në fakt është një fakt i thjeshtë që tregon se sa fals është debate politik në vend kur bëhet fjalë për “parti” në vend.

Foltorja e Sali Berishës, së paku duhet të ketë një zyrë në 61 bashkitë e vendit, e një anëtar për çdo njësi administrative. Kjo është A-ja e të qenurit parti politike e shpërndarë në të gjithë territorin e vendit. Sikur nga një anëtar për çdo njësi administrative të kishte Berisha sot në Kuvend, salla e Pallatit të Kongreseve do të ishte plot.

Por këtë bast Sali Berisha e ka humbur që dy vjet më parë, kur mori përsipër të shkatërrojë PD-në vetëm e vetëm për tu hakmarrë pas vendimit të Lulzim Bashës për ta përjashtuar nga grupi i PD-së.

Arriti të mbledhë në fillim të gjithë ata aspirant për të bërë karrierë në opozitën shhqiptare që e shikonin Lulzim Bashën si pengesë, e donin të përdornin foktorin si një trampolinë.

Duhet thënë se kjo yshtje krijoi një sinergji më shumë lakmie dhe egocentrizmi sesa një frymë politike për të transformuar opozitën. Por edhe ambicja është një forcë e rëndësishme shtytëse, vetëm se beteja e Sali Berishës nuk bëhej vetëm ndaj Lulzim Bashës, por edhe strukturave të PD-së që ai drejtonte. E kështu nisi një përplasje dy vjeçare, ku palët u ndanë e pjesa më e madhe theksonte se Lulzim Basha ka mbajtur strukturat më solide të Partisë Demokratike, kurse Sali Berisha ka shumicën e anëtarësisë.

Në fakt, ishte një përfundim më shumë virtual se real. Zgjedhjet e 14 majit treguan se asgjë nga kjo tezë nuk qëndronte. Sali Berisha, Ilir Meta, por edhe grupi i deputetëve që e mbështetën me Gaz Bardhin në krye humbën thuajse në të gjitha bashkitë, ndërkohë që kishin mundësinë për të qenë në pole position të garës së opozitës.

PD-ja edhe pse nuk pati mundësinë të garonte mori 100 mijë vota këshilltarësh, që ishin vota të siguruar direkt nga anëtarët e PD-së, jo nga votuesit e opozitës, të cilët u përfshinë në garën e madhe mazhorancë opozitë.

Por edhe pse nuk mori strukturat e PD-së, kjo përvojë 2 vjeçare e Foltores, ishte plotësisht e mjaftueshme që ky formacion i Sali Berishës dhe konglomeratit laraman që ju bashkangjit apo u largua sipas interesit momental, të krijonte strukturat e saj. Të paktën ata bazike. Janë dy palë zgjedhje; një të pjesshme një të përgjithshme plus aktivitetet e vazhdueshme të Sali Berishës dhe deputetëve, të cilët thonë në televizion se kanë degët me vete, një mundësi për të formësuar strukturën e bërthamën politike.

Ndërkaq, ajo që ndodhi sot tregoi se Foltores, mirë që nuk ka struktura, por as bërthamë organizative. Emrat që e përbëjnë këtë parti, më shumë se aktivë në terren, janë thjeshtë zëra virtual për të folur në rrjete apo studio televizive. Njerëzit e Berishës në terren duket hapur se nuk janë më politikanë; por ose njerëz të afërt të familjes, ose të klaneve pranë saj. Prania e ish-truprojës e ish-numrit dy të policisë në kohën e Berishës në pushtet si kreu i organizimit e tregon këtë.

Kurse nxjerrja e Argitës në podium, ishte një dëshmi sesi do ta trashëgonte pushtetin Berisha në rast de do ta kishte marrë Partinë Demokratike. Shumë vijojnë të ngulmojnë se Berisha ka shumicën e PD-së, por Kuvendi i sotëm tregoi se atje vetë Parti Demokratike nuk kishte asnjë shenjë./Tema

B.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Finalja: 03/12/2023 04:32

    Është kur i sekuestrohen të gjitha

    Përgjigju
  • Haha: 02/12/2023 21:03

    Berisha ka dhe kete temin

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?