Ka bërë çudi krahasimi që Flamur Noka i ka bërë sot selisë së PD-së, ku ka përdorur si figurë një emër amerikan, që përveçse i famshëm vetë, u kthye në legjendë nga librat e shumtë dhe disa filma të Hollywood-it, apo seriale të ndryshme televizivë.
Bëhet fjalë për ish-burgun famoz të San Francisco-s, “Alcatraz”.
Ka shumë gjasa që “gjetja stilistike” të jetë diktuar nga shefi i lëvizjes për të larguar Bashën, i cili e ka në modelin e tij përdorimin e metaforave të tilla, që i ka gjetur në letërsinë botërore. E ku natyrisht Noka nuk se është shquar, pasi nuk përdor në fjalimet apo qëndrimet e tij referenca të tilla.
E ky përdorim për ta krahasuar PD-në me Alcatraz, nuk duket se ka lidhje, ngjashmëri momentale apo edhe simbolike për ta bërë. Mund të përdorej fjala bunker, siç në fakt nga disa mbështetës të Berishës është quajtur kështu prej ditës së djeshme. Mund të përdoreshin metafora të tjera si “burg i sigurisë së lartë” apo një “Burrel” a “Spaç” thjeshtë për të dhënë një stilistikë me dy nga burgjet më famëkeqe të diktaturës komuniste, por jo-është përdorur “Alcatraz”-i.
E ky, duket si një lejtmotiv frojdian që lidh me një fill të gjithë lëvizjen që ka nisur Sali Berisha që nga 9 shtatori.
Një lëvizje, e cila e ka pasur kryetemë çështjen e përplasjes së fortë me Amerikën. Një betejë tashmë e qartë dhe publike e Sali Berishës me qeverinë e Shteteve të Bashkuara, e cila e ka ndëshkuar ish-kreun e PD-së me vendimin më të rëndë që mund t’i jepet një politikani: atë të njollosjes përjetë familjarisht me titullin “Non Grata”-pra “I padëshëruar”.
Ç’ka praktikisht është një vdekje reale politike për cilindo që e ka mbi shpinë një sanksion të tillë nga Superfuqia më e madhe e planetit.
E këtu, natyrisht që Berisha ka arsye për ta pasur këtë mllef ndaj autoriteteve të vendit që i dhanë ndëshkimin më të rëndë, në një kohë jo të përshtatshme për të në fundin e karrierës dhe në një moshë të madhe biologjike.
E në këtë rast, termi “Alcatraz” nuk është i ri si metaforë për sulmet ndaj Amerikës. Ai është përdorur shpesh gjatë luftës së ftohtë nga propaganda e Bashkimit Sovjetik, vendeve komuniste, partive komuniste europiane, apo edhe shtypi i majtë anti-amerikan i Europës Perëndimore.
Të cilët, metaforën e Alcatrazit e kanë përdorur për të treguar që burgjet amerikane nuk janë njerëzore pasi trajtojnë të burgosurit në izolim e kushte të këqija e të tjera si këto.
“Alcatraz”, i cili nisi si bazë e ushtrisë amerikane e u bë më pas burg ushtarak, më vonë shërbeu si burg federal nga viti 1934 deri në vitin 1961.
Efektivisht ai burg është mbyllur prej shumë kohërash, por ai u kthye në frymëzim për mjaft vepra letrare e filmike, për të përcjellë ngjarje të rëndësishme të historisë së tij, siç ishin betejat e përpjekjet për arratisje nga Acatrazi, të cilat u kthyen më pas në best seller.
Por për t’ju kthyer realitetit tonë, Alcatraz është i famshëm edhe sepse për një periudhë të gjatë kohë shërbeu si burg i mafiozit më famëkeq të Amerikës Al Capone-s.
Metaforën e të cilit, në kuadër të filmit “Të Paprekshmit” të Brian de Palma-s, e solli pak vite më parë Donald Lu-ja, ambasadori amerikan në Tiranë, që e hapi narracionin e betejës kundër “të paprekshmëve” shqiptarë apo “Peshqve të Mëdhenj”, narracion që e bëri armik të madh me Sali Berishën e Ilir Metën.
Të cilët, së bashku me mekanizmat dhe njerëzit e tyre në institucione, ju kundërvunë fuqishëm zbatimit të Reformës në Drejtësi, e cila do të kapte “Peshqit e Mëdhenj”.
Ndaj duket se lapsusi frojdjan i shqiptuar sot nga Flamur Noka, është karma e Sali Berishës, i cili kur me vendim qeverie e ktheu SHQUP-in në seli të re të PD-së në vitin 2013, e ideoi atë si “fortino” të tij dhe njerëzve të fuqishëm pranë tij, të cilët do të ndërtonin ngjitur me SHQUP një pallat të madh me lidhje nëntokësore me xhaminë e madhe.
Sali Berisha, asnjëherë nuk ka pasur besim në ndonjë politikan për t’i besuar partinë në momentet kur puna ja detyronte distancimin.
Kur në vitin 1992 u bë President i Republikës, ku me dispozita kushtetuese Presidentit nuk i lejohej që të ishte anëtar partie, ndryshoi në Parlament dispozitivin dhe mbeti anëtar kryesie i PD-së.
Kur dha dorëheqjen nga posti në vitin 1997, i detyruar si nga Perëndimi por edhe nga mazhoranca socialiste, u kthye automatikisht në krye të PD-së, pasi jo vetëm de fakto, por edhe de jure mbeti në struktura.
Në momentin kur i besoi Lulzim Bashës, i cili realisht e mbajti për 8 vjet siç donte Berisha PD-në- në pozitat e bunkerit kundër Perëndimit, i ndodhi zhgënjimi, ku jo vetëm e largoi, por edhe i ka mbyllur dyert e “bunkerit” që ideoi për vete.
Fiks si fati i “Kolonel Bunkerit” të Kujtim Çashkut, që u ndëshkua prej pjellës së tij…TemA