Një përrua psiqik që u vu re në disa qarqe opozitare sot pas takimit të ambasadores Yuri Kim me kreun e SPAK, Altin Dumani, rikujtoi një fenomen që është vënë re prej kohësh tashmë në këtë mjedis.
Një fenomen që jo vetëm në dukje, por në thelb e logjikë është pa lidhje e absurd, i cili është vënë re në ata që mund të cilësohen si aspirant për të bërë karrierë politike pranë opozitës.
Natyrisht këta nuk janë pjesë e atyre që nuk lodhen së shkarkuari mllef në muret e faqeve të rrjeteve sociale të ambasadës, por qartësisht vihet re qëndrimi kundër SHBA e veçanërisht ambasadores Yuri Kim.
Ky fenomen, ngjan si një gur prove që aspirantët duan të kalojnë për të çarë murin e lartë e të fortë të karrierës politike në radhët e opozitës, posaçërisht pjesës që kontrollohet nga Sali Berisha.
Dhe kjo nuk është një linjë që vjen nga qëndrime individuale, pasi ka një dirigjim i pastampuar të sjelljeve që duhet të ketë një opozitar i kohëve të sotme.
Kush nuk ecën drejt kësaj linje sulmohet e linçcohet siç i ka ndodhur Adriatik Lapajt, i cili jo vetëm nuk e ka sulmuar SHBA, por ka dalë edhe foto me ambasadoren amerikane, Yuri Kim. E keni vërë re se është rralluar pjesëmarrja e tij në panelet e mediave pranë Berishës?
Sa më shumë i ashpër të jesh, aq më shumë je i pranishëm në banaqet ku thurren idetë e mëdha opozitare.
Ylli Manjani, është pikërisht modeli i këtij fenomeni, pasi sa herë e prish gojën ndaj ambasadores apo ndonjë zyrtari të lartë perëndimor, aq herë është i kuotuar në dritaret mediatike që konsiderohen si kritike ndaj qeverisë.
E ky duket se është një vijë politike, një laborator për krijimin e një force politike që më shumë se Edi Ramën, ka armiq ambasadorët amerikanë. Arsyeja? Shumë e thjeshtë: sepse pikërisht ambasadorët e SHBA-së, janë garantuesit e fuqisë e paprekshmërisë së SPAK. Çka u pa edhe në takimin e ambasadores Yuri Kim me Altin Dumanin sot.
Pritshmëria e publikut natyrisht është e madhe dhe frustrimi si pasoje e mos goditjes së “Pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të korruptuar”.
Megjithatë siç u pa qartë në komunikatën për shtyp të ambasadës së SHBA, ambasadorja Yuri Kim ka shprehur se si në rastin e Arben Krajës, edhe sot, SHBA do të vijojë të mbështesë SPAK, por hetimet i bëjnë vetë në mënyrë të pavarur prokurorët.
E pikërisht “partia antiamerikane” ka synim të frikësojë e ndikojë prokurorët për të mos avancuar me “peshkaqenët”. E nuk është se deri tani nuk ja ka dalë…