Berisha dhe Rama

Ylli Pata: Lufta e dy Shqipërive paralele

29 Nëntor 2022, 19:24| Përditesimi: 29 Nëntor 2022, 19:26

  • Share

Polarizimi i ashpër i politikës shqiptare nuk është aspak risi. Madje risi është se ky fenomen po përhapet frikshëm edhe në vende super të zhvilluara, e me demokraci të konsoliduar prej shekujsh.

Por arsyet e këtij polarizimi janë krejt të ndryshëm. Në vendet e mëdha industriale, forcat politike po thërrasin një elektorat ekstrem, që për vite e vite ka qenë në margjinat e politikës, ku idetë apo kauzat e tyre kanë mbetur në margjina.

Në SHBA, duket se këtë revolucion e solli Donald Trumpi. I cili e kishte të qartë se nuk do të arrinte as nominimin, por as çarjen e elektoratit tradicional me skemat politike që janë ndjekur nga dy partitë e mëdha prej vitesh.

Kështu, ai kreu një operacion “gërmimi” politik me preçizion të lartë, duke nxjerrë nga “foleja” një masë të konsiderueshme zgjedhësish të margjinalizuar, që nuk ishin homogjenë, por një konglomerat. Që nga supermacistët e bardhë të Ku Klus Klanit, konspiracionistët e QAnon, racistët e çdo lloji dhe natyrisht klasën punëtorë të dëmtuar nga globalizmi. Kjo pjesë e elektoratit amerikan, që ose nuk kishte votuar në shumicën e rasteve, ose nuk ka pasur peshë, u bë lobi më i fortë i republikanëve, pasi ishin baza e Presidentit të SHBA.

E për t’ju kundërvënë kësaj mase që rrezikonte të kthehej në dinamitin e politikës jo vetëm në SHBA, por në të gjithë botën, demokratët nxorën nga foleja ekstremin e krahut tjetër. Ultramajtistët e popullsisë me ngjyrë, socialistët e trockistët- që në SHBA janë prej kohësh por nuk i përfill kush, emigrantët latinoamerikanë që ja vizatonin Trumpin si gogol, e lloj lloj aljazhesh të ngjashme.

Si përfundim, në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, edhe pse SHBA ishte nën lockdown prej Covid 19-s, arriti të dalë në votime numri më i madh i arritur ndonjëherë në zgjedhjet Presidenciale. Plot 155 milionë e  507 mijë e 476 qytetarë.

Joe Biden mori mbi 81 milionë vota, e Donald Trump, mbi 74 milionë. Edhe pse pati një mobilizim të pandodhur ndonjëherë të elektoratit ekstrem, diferencën e bënë zgjedhësit e moderuar, si nga e majta apo nga e djathta. Atë që ne këtu e quajmë “elektorati gri”.

Pikërisht ky elektorat ishte vendimtar edhe në zgjedhjet e mesmandatit të pak javëve më parë për Kongresin e SHBA, ku ndaluan avancimin e lobit të Donald Trumpit brenda Partisë Republikane.

Presidenti Joe Biden, i cili komentoi nga Bali i Indonezisë rezultatet, tha se nuk ishte  i suprizuar, edhe pse sondazhet jepnin një disfatë të demokratëve në të dyja dhomat e Kongresit. Kjo bindje vinte edhe nga procesi politik që është kthyer në vend, ku si një politikan me eksperiencë të gjatë në Parlament, Biden ka vendosur debatin logjik me republikanët e moderuar.

Në Partinë Demokratike “skifterët socialistë” të Alexandria Ocasio-Cortez, nuk e kanë më revanshin e para katër viteve, e janë futur në gavetën politike të elektoratit masiv dhe heterogjen demokrat.

Kurse ajo që është edhe më e rëndësishme, është ridimensionimi i medias klasike si një pushtet moral që bën ndërmjetësin në mënyrë profesionale dhe etike ndërmjet publikut dhe politikës.

Fuqia e raportimeve gazetareske është rikthyer si dikur, së bashku me emisionet televizive investigative dhe raportuese, që po rimarrin fushën e tyre ndaj paneleve të polarizuara politike. Ku në panele gërthisnin e shanin ose politikanët, ose “gazetarët” që jo vetëm ishin palë, por përfaqësues ekstrem të militantizmit politik.

Raporti, komenti dhe analiza e banancuar po vjen çdo ditë e më shumë të marrë peshën e vet, sidomos nga mediat klasike, siç janë gazetat, revistat apo portalet mediatikë të fuqishme.

Urrejtja e sharja i ka lënë vendin argumentimit, ku debati bëhet për çështje dhe jo për njerëz apo fantazma.

Tek ne, politika ka qenë gjithmonë e polarizuar, pasi modeli që u krijua pas rrëzimit të komunizmit këtu e 30 vjet më parë në politikë ishte konflikti, përplasja.

Jo përballja normale e debate mes palëve. Siç dihet tashmë, ne kemi rrallë rregulla të shkruara së bashku nga PD e PS për bashkëjetesën politike ose edhe institucionale të vendit.

Sali Berisha kërkoi të bëjë Kushtetutën e Republikës vetëm në vitin 1994. Edhe kur opozita e kundërshtoi, ai tentoi ta hedhë në referendum sikur ishte një çështje e thjeshtë. “O pro o kundër”. Nuk kishte opsion tjetër mbi variantin e shkruar nga Berisha. Elektorati shqiptar ja rrëzoi në 6 nëntor 1994, në kulmin e pushtetit të tij. Po të shohësh votat e referendumit në Shkodër, një bastion i PD-së, shikon se kundër kanë votuar edhe një pjesë e rëndësishme e elektoratit të djathtë. Pra jo vetëm socialistët.

Si kundërpërgjigje, Berisha nuk e pranoi në 1997 Kushtetutën e hartuar nga Kuvendi me shumicë socialiste. E bojkotoi procesin hartues, edhe pse atë e drejtonin dy politikanë të djathtë, madje njëri themelues i Partisë Demokratike: Arben Imami dhe Sabri Godo aleat i tij prej vitesh.

Ndërkaq, gjatë marrjes së drejtimit të opozitës shqiptare nga Edi Rama në 2005, ai e karikoi elektoratin e majtë kundër Sali Berishës. Duke arritur me një operacion politik që ta kompaktësonte këtë elektorat anti-Berishë. Për Edi Ramën si shef opozite dhe politikanët e PS-së, nuk kishte të bardhë në qeverisjen e PD-së. Pra njëra palë, ajo e qeverisë së PD-së me LSI-në në koalicion tregonin se “Shqipëria po ndryshon” e “po ecën përpara”, për socialistet ishte e kundërta.

Por megjithë këtë polarizim, kishte një pjesë ndërmjet politikës, e cila e trajtonte debatin krejt ndryshe nga politika. Herë më ashpër, e herë më qetë se ajo, por gjithmonë  në mënyrë të balancuar, e jo me sllogane, por vetëm me argumente.

Duke ndihmuar kështu në informimin dhe formimin e publikut jashtë kornizave partiake. Pas vitit 1992, dy gazetat partiake: Zëri i Popullit e Rilindja Demokratike e humbën fare lexuesin. Njerëzit i besonin më shumë shtypit të pavarur, edhe pse në të shkruanin reporterë apo edhe komentatorë që kishin preferenca apo mospreferenca të qarta politike. Nga këta gazetarë e publiçistë dolën edhe politikanë të ardhshëm. Si Edi Rama, Sokol Olldashi, Astrit Patozi etj etj.

Kjo media jo shumë larg politikës, por paralele me të, krijoi një model, ku edhe pse mund të kishim anëshmëri në një koment apo raportim, mbizotëronte balancimi.

Prej vitesh kjo balancë ka rënë, sidomos me polarizimin e etshëm të medias televizive, e marrjes me qera të televizioneve apo paneleve të darkës nga njerëz të pasur të politikës.

Rasti “Babale” është shembulli më tipik i instrumentalizimit të një çështjeje apo raporti nga ana e paneleve televizive. Politikani i interesuar për këtë çështje sponsorizoi të gjithë “panelikët”, e ku s’pati asnjë raportim të balancuar e me burimet përkatëse.

Po natyrisht nuk është i vetmi, pasi jemi dëshmitar i telenovelave që bëhen hit, edhe pse e marrin spunton nga çështje të kriminalistikës.

Nëse vjen dikush që nuk jeton në Shqipëri, po pa televizionet që mbështesin opozitën do të shikojë se ky vend është totalisht i pajetueshëm, një narkoshtet dhe ku njerëzit largohen nga tmerri e mjerimi.

Nga ana tjetër, nëse do të shikojë një televizion pranë qeverisë, atëherë do t’i mbushet mendja se këtu është lule; boom investimesh, njerëz “slik and stylish” nëpër gala, pra një lloj Katari apo Dubai ballkanik.

Realisht, e vërteta jo vetëm që ndodhet në mes, por ka shumë, shumë ngjyra brenda këtij realiteti. I cili duhet raportuar, përshkruar, sjellë e përfaqësuar. Shqipëria ka njëmijë probleme, qoftë nga shkalla e demokracisë, kriza e rëndë e përfaqësimit, pandëshkueshmëria e politikanëve të lartë,  ngulja e një kaste të kalçifikuar politikë, e deri tek shumë probleme në ekonomi, punësim arsim, kulturë, etj etj.

Faqja më e shëmtuar e këtij realiteti mediatik është kur televizione të rëndësishme në vend raportojnë në edicionet informative,  inskenime apo raporte të dala nga zyrat e partive të opozitës.

Dikur, opozita; si kur ishte Berisha, apo Nano, e Rama më pas, dilnin në deklarata publike për zhvillimet që sillte shtypi, e jo duke e furnizuar mediat me krijimet e zyrave të propagandës.

Në konferenca të shtypit, politikanët shpalosnin faqet e gazetave, ku raportimi apo investigimi e kishte kaluar fazën e impaktit tek lexuesit e publikut.

Pra, edhe pse politika ishte e polarizuar dhe njëra paraqiste një “Shqipëri të zezë” dhe tjetra një “Shqipëri të Bardhë”, kishte një pjesë që jepte “Shqipërinë gri apo me ngjyra të tjera”, gjë që fashiste vizionin militarist të propagandës politike.

Se përveç shëmtisë në naracion, kjo fabul nuk bind kënd, por përplas dy palë, e në fund vendos pjesa e moderuar që zgjedh kush është më pak i shëmtuar, apo më jo konfliktuar. E pikërisht kjo pjesë e moderuar është sot e papërfaqësuar…

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?