Shkëndijat e forta të sherrit në 3 pas mesnate, dalja e Lul Bashës me bluzën e Zelenskit nëpër tovvn hall-e të përgatitura nga krerët e degëve dhe defaktorizimi in crescendo i “Bashkimit për Fitore”, janë realisht një zhvillim normal, gjë që ndodh përgjithësisht në çdo vend perëndimor që kryen zgjedhje ciklike.
Pra në vija të trasha, ka nisur një proces brenda opozitës që humbi zgjedhjet. Proces që nuk është kryer në asnjë prej rasteve në të shkuarën prej vitit 2013, kur socialistët e Edi Ramës janë në pushtet.
E si për ironi të fatit, njeriu-lajm këto ditë po bëhet ai që për dy vite që nga 26 prilli 2021 është tallur e qeshur nga ata që konsiderohen në sallonet e Tiranës si “opinionbërësit opozitarë”. Pikërisht atëherë kur Basha nxori nga goja atë frazën e famshme në orët e vona të natës, me një ndriçim të zbehtë, e me një koerografi alla kosmomolase: “Lufta tani fillon”! Aq kanë qeshur e tallur në panele e meme nëpër portale e rrjete, po sot, po del se Luli, gallatë apo jo, po del si biçim profeti. Natyrisht ka ndryshuar paksa, e ka lënë kostumin spic dhe ka veshur fanelën e Volodimir Zelenskit.
Por lufta në opozitë ka nisur vërtetë. Në Partinë Demokratike ka nisur një proces i vrullshëm, që po shoqërohet si efekte anësore, me nerva, sharje, inate apo përplasja. Përveç këtij handikapi që u pa mbrëmë e sot mëngjes pranë selisë e PD-së, ku brigatistë politikë ju sulën deputetëve e reporterëve të politikës, baza e këtij procesi është thjesht dialektikë politike. Mjaft nga mbështetësit mediatikë të Berishës, në lajmet e përcjella nga incidentet e shëmtuara pranë selisë me qira të PD-së, i cilësuan autorët e dhunës verbale si “mbështetës të Bashës”.
Po, sipas të gjitha gjasave, ata që ngritën zërin kundër deputetëve dhe gazetarëve janë mbështetës të Lulit. Po pse, paska mbështetës Lulzim Basha? Se deri dje thonin që atij nuk ja var njeri, ka pakicën në opozitë, është pa asnjë mbështetje etj etj.
Po si ka mundësi që me një të dalme me bluzën e Zelenskit, ka defaktorizuar Bashkimin për Fitore, ku Sali Berisha flet me veten, Ilir Meta ka humbur nga sytë, e të njëjtën gjë kanë bërë të gjithë emrat kryesor të këtij subjekti politik që ishte alternativa e Edi Ramës më 14 maj?
Mundësi ka, madje ka pasur që në fillim më shumë mundësi të ndodhte kështu. Ishte krejt logjike. Nuk kishte e nuk ka asnjë mundësi që të ringjallet Berisha e Meta politikisht, siç edhe nuk ka sesi që dikush duke i përdorur si trampolinë mund të bëje karrierë.
Gjithsesi reflektorët janë përqëndruar tek Partia Demokratike, asaj që i thonë “e vulës”, e cila sapo ka hapur një proces politik të vrullshëm. i cili, mesa duket është krejt e kundërta me procesin surrogate që nisi Sali Berisha në fund të vitit 2021.
Berisha e fshehu përpjekjen e tij për të marrë Partinë Demokratike, me të ashtuquajturin “rithemelim”. E në mungesë të njerëzve nga PD-ja, në shumicë bëhet fjalë, doktori mori njerëz nga jashtë për ta shitur këtë manovër në treg si një lloj hapjeje. Por shumë shpejt tollumbacja u shfry kur Evi Kokalari, por edhe të tjerë u zhgënjyen kur e panë se thjesht Berisha kërkonte një seli e një grup ku të strehohet pas ndëshkimit që i erdhi nga Perëndimi.
Megjithatë, nuk ka qenë vetëm Berisha, por edhe një grup i gjerë brenda PD-së, ku në radhë të parë deputetët, që kanë përdorur, madje deri në vilanosje termin “bashkim” sa u duk se ishte keqpërdorur. Gjithsesi ishte një koncept, një ide edhe pse fikse që si zëdhënës ka pasur Gaz Bardhin, Jorida Tabakun, por edhe Dashnor Sulën e deputetë të tjerë.
Ndërkaq, Lulzim Basha, por edhe grupimi i mbijetuar nga lufta 2 vjeçare, pra krerët e degëve s’duan ta dëgjojnë fjalën bashkim. Ata e ndjejnë veten si qëndrestarë e flasin për ringritje. Por Basha, këtë tezë e shpjegon dhe elaboron, natyrisht sipas mendimit të tij. Ai tha sot në Elbasan: Demokratet nuk u ndanë sepse donin te ndaheshin.
U ndamë në një flamur te rreme, kauze te rreme, për interesa personale. Ndarja nuk është parimore. Ata qe nuk u larguan për parime. Ne që qëndruam, qëndruam për parime. Tani qe gjerat janë qartësuar, tani ata qe e bene këtë lufte për parime te rreme, e korren rezultatin e kësaj lufte te rreme. Për fat te keq me kosto te jashtëzakonshme për PD dhe Shqipërinë”.
I takon edhe pjesës tjetër, pra Bardhit, Tabakut e të tjerëve, që të elaborojnë tezën alternative, pra atë të bashkimit, duke shkuar degë me degë dhe e diskutuar me anëtarët. Në mënyrë që kur të mblidhet Kuvendi, ata të kenë arritur të jenë dëgjuar dhe nxjerrë delegatët e tyre.
Por problemi këtu është se “ithtarët bashkimit”, penguan me metoda “pak ortodokse” që PD të hynte në zgjedhjet e 14 majit me kandidatët e saj. Ç’ka sipas të gjitha gjasave mund të kishte sjellë shumë më sumë vota për Partinë Demokratike, e ndoshta edhe ndonjë kandidat më shumë se ç’mori opozita në zgjedhjet vendore.
Kryesia e PD-së para 14 majit, e gjendur në një sulm politik të atyre që donin bashkimin, vendosi që të dilet vetëm në disa bashki me kandidatë. Por edhe pas kësaj, Bardhi mbështeti hapur kandidatë të foltores siç ishte Zef Hila në Vaun e Dejës. Në një farë mënyre, Sekretari i përgjithshëm që del kundër vendimit politik të partisë së tij, ka firmosur ikjen apo ndarjen me të.
E ajo që ndodhi mbrëmë ishte një bixhoz që u luajt para 14 majit: kush fiton i hum btë gjitha, e kush humb po ashtu. E kështu ju hap rruga riardhjes së Lul Bashës, i cili, më 14 mars nuk iku përgjithmonë, pasi tha se po “bëj një hap mbrapa”. Të gjithë e dinin se do të vinte, por e bombarduan aq shumë saaa e forcuan edhe më tepër. Tani, thjesht i shtruan rrugicën Bashës, që të rikthehet si luftëtar me bluzë kaki.
E NXORREN KOKEN EDHE KETO BERISHIANET E TJERE...
PërgjigjuDeshtaku,deshtak do te mbetet,cfar do qe te behet."Trimerimi i tij me bluze ushtari nuk e ben dot komandant"se nuk ka aftesi.Rikthimi i tij dhe qendrimi i dyshes Berisha-Meta(Metaj) thjesht i shton jeten politike Rames."Bajraktaret"tane mbeten ne krye te bajrakut.
Përgjigju