Sali Berisha ka shprehur sot hapur kundërshtimin e tij ndaj kërkesës së Autoritetit të Dosjeve, i cili kërkon një ndryshim në ligjin për pastërtinë dhe verifikimin e figurës. Autoriteti kërkon që të verifikohen, edhe ata politikanë apo zyrtarë që kanë një certefikatë nga komisionet “Mezini” dhe “Bezhani”, për të cilët ka dyshime të qenësishme se kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit.
Sali Berisha tha sot se mazhoranca e drejtuar prej tij, ka miratuar dy ligje për lustracionin, por ata sipas tij i ka rrëzuar Edi Rama nëpërmjet nismave politike.
E thënë sot, kur kanë kaluar shumë vite, njerëzit mund të mendojnë, po vërtetë, kur PD-ja e paska miratuar lustracionin, duket se ka qenë PS që e ka ndaluar, e ka bllokuar. Se sipas tyre, ata të PS, janë pjesë e PPSH-së dhe të diktaturës komuniste. Vetë Berisha tha sot, se PD ka sjellë miratuar në Parlament një “ligj çek”. E një qytetar që nuk se e ka parë ligjin, në këtë verë të nxehtë, “ligj çek” i duket si birrë çeke-e freskët, e lehtë e gjithë ferment bio. Por në fakt, nuk ka pasur asgjë çeke apo sllovake, e as çekosllovake në “lustracionin” që përmend Sali Berisha. i cili është politikisht në distancë të madhe me liderin e madh çekosllovak: Vaclav Havel, njëkohësisht një nga intelektualët më të njohur të Europës.
Partia Demokratike e Sali Berishës, të cilin ajo e zgjodhi President të Republikës, por e mbajti në parti, duke ndryshuar Kushtetutën, kur mori të gjitha pushtetet më 22 mars 1992, i kishte të gjitha mundësitë dhe fuqitë politike për të kryer lustracionin në vend. Por ligji më urgjent i mazhorancës së PD-së, nuk ishte lustracioni, por një tjetër: famëkeqi 24/1, i cili u miratua sapo PD erdhi në pushtet.
Që i jepte të drejtë drejtuesve të ndërmarrjeve shtetërore, apo institucioneve të largonin kë të donin nga puna, pa pasur reperkursion ligjor. Motivi natyrisht ishte “lustracioni”, por në realitet u larguan edhe pastrues, shoferë, ekonomistë, apo nëpunës që nuk kishin qenë as bashkëpunëtorë të Sigurimit, e as anëtarë të PPSH-së. Ndërkohë që jo vetëm anëtarë të PPSH-së, jo vetëm bashkëpunëtorë të Sigurimit, por edhe përfaqësues nomenklature u ngjitën në poste të larta të pushtetit.
PD pati deputetë që kanë qenë jo thjeshtë njerëzi të Sigurimit të Shtetit, por dhunues të të përndjekurve politikë. Liri Lubonja, një nga intelektualet më të njohura shqiptare, nëna e Fatos Lubonjës, e shpjegon këtë në librin e saj: “Larg dhe mes njerëzve”, ku shkruan:
“….Një pasdite, Todi dhe unë, me një bidon plastik pesë litërsh, u nisëm për fat, por më kot. Duke menduar se ai mund të na buzëqeshte në Torovicë, lamë rrugën rurale dhe dolëm në asfalt, në nacionalen. As që na kishte shkuar nëpër mend ai caku, kufiri ku duhej të shkonim. Nuk arritëm të hidhnim asnjë hap. Si për dreq, një motor që po udhëtonte me shpejtësi drejt Shkodrës, ndaloi. Në të ishte Shyqi, zv/shefi. Me atë trupin e tij të bëshëm, hapin karakteristik që u jepte posti dhe pesha këtyre individëve, eci drejt nesh.
“Pse keni dalë këtu, a e dini se nuk u lejohet?” foli rëndë, ashtu siç ia kërkonte funksioni që kishte. i thamë se ishte errësirë, se…por atij nuk i duheshin hallet tona, ndaj po me ato tone lëshoi kërcënimin:
“A e dini se për këtë shkelje shkoni në burg?”
Todi, i zemëruar, ia ktheu:
“Nuk më tremb më burgu mua, sepse prej andej po vij”.
Disa çaste heshtje. Shyqi nuk e zgjati. i hipi motorit dhe u nis. Ne u kthyem në kamp me bidon bosh.
Ndoshta këtë episod nuk do ta shkruaja. Do të rradhitej më dhjetëra e dhjetëra të tjerë të të gjithë shefave, inspektorëve, operativëve të Degës së Brendshme me të cilët patëm të bënim ato shtatëmbëdhjetë vjet. Porse me Shyqin ndodhi ndryshe, një gjë e papritur, e habitshme për mua që vazhdoja me atë naivitetin tim të pashërrueshëm. Duke lexuar listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike, ndër ata të Shkodrës, lexova: Shyqyri Çela. i zgurdullova sytë, e rilexova.
“Nuk mund të jetë ai”, mendova. Dikush tjetër ka po atë emër, mbiemër. Por jo, ishte ai, Shqyi ynë që u bë deputet i parlamentit demokratik të Shqipërisë.”
Shyqyri Çela ishte deputet i PD-së në Shkodër në vitin 1991 dhe 1992. Vëllai i tij, në vitin 1994, u akuzua si vrasësi i anëtarit të Aleancës Demokratike, Gjovalin Çekini, por kjo ngjarje nuk u hetua kurrë.
Por nuk ishte e vetmja. PD pati në Parlament njerëz të aparatit të dhunës dhe vuri në krye të gjykatave, ish-gjyqtarë që kishin dhënë dënime kapitale të rënda për klerikë, e jo për të akuzuar për vrasje. Siç ishte rasti i Rustem Gjatës.
Pra PD, nuk se bëri lustracion, por në fund të mandatit të parë, në vitin 1996, u “kujtua” për lustracionin dhe ngriti komisionin “Mezini” i cili ndalonte të kandidonte ata që ai “gjente si bashkëpunëtorë”. Për të tjerët thoshte “nuk i gjeta”.
Në vitin 1997, Parlamenti i dominuar nga socialistët e amendoi ligjin e lustracionit dhe ngriti një komision të ri të drejtuar nga Nafiz Bezhani. Ai komision, edhe pse arriti të zgjidhte problemin e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, por gjeti ca njerëz të implikuar në administratë, të cilët i njoftoi dhe i largoi. Megjithatë, spiunët mbeten aty. Kemi vite që flitet për bashkëpunëtorë e në shtyp plasohen pseudonime të panumërta të politikanëve.
Tani vijmë në vitin 2008, kur PD me kryeministër Sali Berishën solli “lustracionin numër 2”. Ky draft nuk fliste fare për dosjet e Sigurimit, por pati si objekt, që të largoijë nga Gjykatat, apo edhe prokuroritë, ata juristë, që sipas mazhorancës së atëhershme kishin “marrë pjesë në vendime të diktaturës”.
Pra 18 vjet pas rënies së komunizmit, PD-ja kërkonte të selektonte gjyqtarët e prokurorët, kur në vitin 1992, kishte hequr në bazë të 24/1, të gjithë ata që i konsideronte kundërshtarë. Dhe i kishte mbushur prokuroritë e gjykatat me njerëz që kishin mbaruar thjesht një kurs 6 mujor në “Plepa”-Durrës.
“Lustracioni” i vitit 2008, nuk kishte fare të bënte me njerëzit e Sigurimit, por me ata që kryeministri i konsideronte si “të papërshtatshëm”. Zamir Shtylla, ishte shefi i Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme. Një prokuror që kishte hetuar Nexhmije Hoxhën, të cilit i ishte ofruar po nga Berisha edhe posti i Kryeprokurorit. Por në vitin 2008, ai kishte në dorë hetimet për Gërdecin dhe rrugën “Durrës-Kukës”.
Me kërkesën e shoqatës së Prokurorëve, Gjykata Kushtetuese e rrëzoi ligjin e Parlamentit të miratuar me votat e mazhorancës. Sot Berisha përmendi Edi Ramën, siç e përmendi edhe për 1996, kur kryeministri i sotëm nuk ishte në krye të PS-së, por fakt është që nuk e kundërshtoi opozita ligjin, por prokurorët. Pasi ai nuk ishte lustracion, por “gjueti shtrigash”.
Lustracionin, PD mund ta bënte edhe sipas variantit çek siç thotë Berisha, por edhe atë gjerman që u miratua në vitin 2014. Ku çdo njeri mund të kërkojë dosjen e tij, e nëse del se është spiun, s’ka punë në administratë. E këtë mund ta bëjë jo vetëm spiuni, por edhe viktima, që nxjerr spiunin. E pse Berisha sot është kundër? Nëse spiunët kanë shpëtuar nga rrjetat e vjetra, le të kapen nga të rejat. Në fund të fundit, spiunë janë, pavarësisht rolit e postit që kanë mbajtur pas vitit 1990…