Tashmë është një rit, tek komentuesit e ethshëm të Gazetës Tema, ndaj shkrimeve të Berat Buzhalës, kur ky i fundit mbështet Sali Berishën dhe Ilir Metën.
Edhe pse nuk përbën më lajm, pasi ky rit përsëritet që në vitin 2013, kur Berisha ra nga froni i kryeministrit, ka gjithmonë pikëpyetje që nuk marrin përgjigje për këtë “endorsement” krejt jo racional që i vjen Berishës nga Kosova.
Nga politika e Prishtinës, por edhe nga mediat atje, është bërë e zakonshme që prej 30 vitesh të ketë shprehje të hapur simpatie e kundërshtie ndaj politikës dhe njerëzve të mediave në Tiranë.
Deri para disa vitesh, në Prishtinë , njerëzit më të sulmuar kanë qenë dy Fatosat: Nano e Lubonja. Sulme që vinin nga krahu ekstremist i ambjentit mediatik që përfaqësohej me gazetën Bota Sot, e cila ishte deri para disa vitesh pranë LDK-së, e sulmonte çdo socialist, duke e quajtur serb apo njeri i afërt me Millosheviçin.
Socialistet shqiptarë kanë qenë mjaft të influencuar e kompleksuar nga ky ambjent, sa hezitonin të flisnin hapur për zhvillimet në Kosovë, edhe pse nga PD-ja krejt hapur mbështesnin LDK-në. Në zgjedhjet e para vendore në Kosovë, që u zhvilluan në vitin 2000, e që u fituan me shumicë nga LDK-ja, prej PD-së shkuan në Prishtinë Besnik Mustafaj, Kreshnik Spahiu e Arben Ristani.
Këta dy të fundit nuk ishin pjesë e strukturave, port ë ambjenteve politike e lobuese afër së djathtës. Aq shumë e kishte trashur propagandën Bota Sot, sa përdorte shprehje të tilla si: “Klani Vllaho-Labo Ortodoks” apo “socialistët aleatë të Millosheviçit” etj.
I vetmi që e rrëzoi këtë narracion në Prishtinë ishte Edi Rama. Kur si kryetar i Bashkisë së Tiranës, vizitoi Prishtinën në vitin 2001, i ftuar nga homologu i tij Sali Gashi.
Ndërsa doli nga selia e komunës së Prishtinës, një reporter i bëri një pyetje të çuditshme Edi Ramës: “Pse ja vodhët votat Besnik Mustafajt”? E Rama, duke qeshur ja ktheu: Aaa, ti qenke i Botës Sot. Të gjithë qeshën, e reporeri i gazetës anti PS u skuq nga turpi.
Nga Tirana, nuk ka pasur realisht një diskurs të fortë mbështetje ndaj një partie të Kosovës, përveç asaj që shikohet sot nga Andi Bushati apo Andi Bejtja, që janë në simpatizantë politikë të Albin Kurtin.
Ka pasur një ndjenjë simpatizimi të lehtë ndaj UÇK-së në kohën e luftës, por vetëm kaq. Mbahet mend batuta e vrazhdë e Bujar Bukoshit ndaj Andi Bushatit në Prishtinë pak orë pas çlirimit, kur gazetari shqiptar i kërkoi një opinion kryeministrit të LDK-së e ky i fundit ja ktheu me inat: “Nuk jemi në Tiranë këtu”.
Batutë që përdoret shpesh në Prishtinë, kur kanë ndonjë problem me politikën apo mediat e Shqipërisë.
Edmond Harizaj, gazetar nga Shqipëria që punonte në një të përditshme të Prishtinës shkroi një lajm mbi kreun e atëhershëm të TMK-së, Agim Çekut. Vetë gjenerali nuk reagoi fare, por disa “bodiguardë” të tij mediatik të udhëhequr nga Milaim Zeka ju vërvitën Mondit me fjalët: “Nuk je në Tiranë këtu”.
E në fakt, këtë fjali përdor edhe Buzhala, Matoshi, apo edhe Nexhmedin Spahiu.
E pra, ndërsa këta thonë shpesh: “Nuk jeni në Tiranë”, nuk reshtin së komentuari për ngjarjet këtu. E këtu bëhet fjalë për gjëra që nuk kanë sens kufiri. Si për shembull Nexhmedin Spahiu ngre në qiell Xhafer Devën, i cili në vitin 1943, kur ishte ministër i Brendshëm i Shqipërisë urdhëroi atë që quhet Masakra e 4 shkurtit, si hakmarrje se i kishin vrarë të vëllain.
Përveç Xhaver Devës, bën shumë çudi përkrahja që i bëhet Sali Berishës nga Buzhala dhe njerëzit e tjerë si ai në Prishtinë. Që të përkrahin opozitën shqiptare është krejt normale, pasi afrimi apo bërja gjithëpërfshirës i tregut politik e mediatik, është jo vetëm dialektike por edhe mjaft e dobishme për të gjithë.
Por siç rrodhën ngjarjet, ata që mbështesnin PD-në nga Prishtinë gjithë këto 8 vite, nuk e kishin se kundërshtonin Edi Ramën. Por thjesht sepse përkrahin Sali Berishën. E këtë e shprehu shumë qart Berat Buzhala në komentin e tij të sotëm.
Po si ka mundësi që si Buzhala, ashtu edhe ata mbështetësit e Berishës në Prishtinë asnjëherë nuk analizojnë vendimin e SHBA-së ndaj ish-kryeministrit për ta shpallur Non Grata, edhe pse hiqen si përkrahës të aleancës së SHBA me Shqiptarët?
Si ka mundësi që këta gazetarë, gjithë këto vite intervistonin Sali Berishën sa herë dilte në skenë ngjarje si ajo e Rëmzi Hoxhës, por asnjëherë nuk kanë intervistuar Ardian Hoxhën, të birin e të ndjerit Remzi, i cili jo vetëm jeton në Prishtinë, por është një personalitet i sipërmarrjes dhe i shoqërisë atje, jo nga viktimizimi, por nga aftësitë dhe historia e tij personale.
Si ka mundësi që asnjëherë këta gazetarë që mbështesin Berishën nuk kanë intervistuar asnjëherë kritikun më të fortë dhe të parin nga Kosova siç është professor Rexhep Qosja, por e kanë sulmuar pamëshirshëm vetëm nga ky fakt.
Si ka mundësi që këta gazetarë, nuk kanë intervistuar asnjë pjestar t familjes Rugova për të marrë vesh sadopak nga përplasja epokale ndërmjet ish-Presidentit të Kosovës dhe Sali Berishës që zgjati nga 1996 deri sa u nda nga jeta Dr.Rugova?
Duket që kjo përkrahje për Berishën nuk është as politike, as krahinore, e as që vjen nga opinion publik. Duket thjesht qokë, si ajo që Bes Kallaku i bën share emisioneve që transmeton televizioni i familjes Berisha. Asgjë më tepër…./TemA