Sali Berisha dhe zyrtari i Republikës Sprska, Obrad Kesiç

Ylli Pata: Misteri i takimit të Sali Berishës me njeriun e Milorad Dodik

15 Qershor 2022, 18:19| Përditesimi: 15 Qershor 2022, 18:21

  • Share

Publikimi i fotove me Sali Berishën nga Obrad Kesiç, një zyrtar i Republika Srbska-s së Milorad Dodik, ka shktuar edhe më shumë misterin, pasi askush nuk ka sqaruar në lidhje me këtë takim.

Ku kanë marrë pjesë dy deputetë të Parlamentit shqiptar: Sali Berisha dhe Fatmir Mediu.

Kesiç, gjatë vizitës në Tiranë ishte i shoqëruar me një ish-kongresmen republican, Bob MCEwen, për të cilin Sali Berisha ka publikuar më 30 maj një njoftim dhe një foto në faqen e tij.

Fotot, janë zhvilluar nga i njëjti vend e kjo duket e qartë nga skenografia nga pas, që janë të njëjtat tablo, e që ngjan me një ambient hoteli apo lokali luksoz.

Gjithsesi, Berisha ka publikuar një foto, ku së bashku me bashkëshorten e tij ka pozuar me ish-kongresmenin dhe të shoqen.

“Një takim i përzemër me mikun tim të kahershëm dhe të Shqipërisë, ish-Kongresmentin Bob McEwen dhe bashkëshorten e tij. Zhvillimet në Shqipëri dhe rajon ishin temat që diksutuam gjatë takimit tonë.”-shkruante Berisha në postimin e tij të 30 majit, që është publikuar edhe nga media të ndryshme në vend.

E në të njëjtin vend, kunë ka bërë fotografinë me gratë, Berisha dhe MCEwen është takuar edhe me zyrtarin serboboshnjak, Obrad Kesiç. Madje, një foto me Berishën, MCEwen dhe Kesiç, ka zhvilluar edhe kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu.

Po cili ishte roli i O brad Kesiç në Tiranë, që siç thotë edhe vetë kanë takuar “mikun e tyre të vjetër Sali Berisha, ish-president dhe lider aktual i opozitës shqiptare”?

Ndoshta thjesht shoqërues i ish-kongresmenit republican? Edhe mundet. MCEwe, përveçse një partner i vjetër i Partisë Demokratike, është edhe një mik i lobit serb në SHBA.

Ish-kongresmeni nga shteti i Ohio ka qenë në fushatën zgjedhore të 2017-s në Tiranë, ku Basha e ka prezantuar si “Kryetar i Politikave Ekonomike” të SHBA-së. Po në atë kohë edhe “lejohej” se i kishte kapur trumpomania dhe shpresonin se Donald Trump do t’I kishte hyrë në dru Edi Ramës, pasi kishte folur keq për të në fushatë. Nuk doli ashtu, ata u bënë miq po nejse..

Berisha shkruan në postimin e tij të 30 majit se “zhvillimet në Shqipëri dhe rajon ishin temat që diksutuam gjatë takimit tone”. E në këto diskutime për rajonin, cili ka qenë roli i Obrad Kesiç?

Ai është Drejtor i Zyrës së Republika Srpska për Bashkëpunim, Tregti dhe Investime në SHBA, i emëruar nga Milorad Dodik. Kesic është një konsulent politik, ekspert i Ballkanit dhe lobist  e këshilltar politik që ka shërbyer për disa parti dhe liderë politikë në Serbi, Bosnjë dhe Ballkan. Në mediat serbe Kesiç është i njohur si analist i çështjeve të relacioneve me SHBA, ku shfaqet thuajse përnatë. Në panelet që Kesiç flet çdo ditë prej vitesh sulmon egërsisht Uashingtonin e sidomos zyrtarët e administratës së Joe Biden. Pak kohë më parë e cilësoi planin e Gabriel Escobar për Ballkanin një “plan të zi”.

Ai ka lindur në Serbi, por ka jetuar në Shtetet e Bashkuara shumicën e madhe të kohës, ku dhe është pajtuar nga Beeogradi apo Banja Luka për lobim. Një aktivitet që është mjaft i përhapur jo vetëm në SHBA, por edhe në Europë e kudo, pasi PR është i rëndësishëm në një shoqëri tregu. Lobimi është më i rëndësishëm në Uashington për dy arsye, ngaqë SHBA është Fuqia Botërore dhe që atje ka dy institucione shumë të rëndësishëm të ndara nga njëri tjetri: Presidenti dhe Kongresi.

Por lobime, bëjnë kryesisht ato shtete apo grupe që janë problem për të çuar zërin në qeverinë amerikane, e për tu dëgjuar kërkojnë ndihmën e kongresmenëve apo senatorëve.

Në kohën e Jugosllavisë, diaspora shqiptare ka lobuar shumë për të bërë sa më shumë prezente dhunën e Beogradit ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe viset e tjera.

Tirana e Prishtina nuk kanë përse lobojnë me spondë ngaqë kanë ambasadat amerikane si ura të rëndësishme të kontaktin me administratën e SHBA.

Megjithatë, ka qenë mjaft e çuditshme lidhja e herë pas hershme e Sali Berishës me qarqe serbo-boshnjake që të trokasë dyert e lobimit në SHBA. Në vitin 2005, Berisha përzgjodhi BG&R një kompani që kishte punuar me shumë klientë serb, e që njeriu lidhës isht Damir Fazliç. i cili gjatë qeverisjes së PD-së qe shumë i afërt, sa Berisha e quajti “miku im”. Fazliç më vonë u bë armik me Lulzim Bashën, ndërkohë që është aktiv në politikën ballkanike dhe herë pas here publikon edhe zhvillime nga Shqipëria apo Kosova.

Realisht cili ishte roli i Obrad Kesiç në takimin që zhvilloi me Sali Berishën në Tiranë? Sikur Berisha dhe Mediu të kishin folur për këtë çështje, atëherë nuk do të kishin dalë pikëpyetjet kur njeriu i Dodik e quan një “mik të vjetër”. Të paktën pse e fshehu?

Postimi i 'mikut' të Milorad Dodik, Obrad Kesiç

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?