Sali Berisha, deputetët, ndjekësit por edhe mbështetësit mediatikë nuk reshtin të thonë se ai është shumica e opozitës. OK. Nëse është kështu, pra nëse është lokomotiva e opozitës, atij i intereson që të lidhë pas vetes të gjithë vagonët që të çojë opozitën drejt fitores.
Nuk ka as kuptim, e as sens kjo luftë që i bën Bashës, nëse është vërtetë shumicë, pasi në fund të fundit, në zgjedhje, të gjithë faktorët opozitarë do të marrin votat që janë kundër qeverisë aktuale. Në fund, ai grupim kryesor apo lider opozitar, nëse fiton do të mbledhë të gjithë për të arritur shumicën. Kështu ndodh gjithkund e gjithmonë në fund të fundit.
Kanë kaluar më shumë se dy vjet. Lulzim Basha e ka përjashtuar doktorin, e PD-ja e tij me qendrestarët që i bënë ballë sulmit të fortë e që kanë mbledhur rreth vetes vetëm ata që nuk e duan Sali Berishën, në fund të fundit janë opozitarë.
Nuk janë të tillë por mashtrojnë? Atëherë do të fitojë Foltorja, Mediu, Federata, Dash Shehu, Agron Duke bashkë me Ilir Metën.
Një votues që nuk e do këtë mazhorancë, dhe e di që Lulzim Basha është aleat i Edi Ramës, nuk ka gjasa që t’i japë vota si Lul Bashës, Enkelejd Alibeajt, apo të gjithë njerëzve që PD sot ka në vitrinën politike. Në këtë logjikë, Foltorja duhet të ishte e qetë e duhet të mos ja varte fare PD-së së vulës. Por lepuri fle gjetkë, e gjasat janë se zhvillimet janë krejt më të vrullshme edhe se perceptimet e dhëna në sondazhe.
Foltorja sot nuk është një parti, por një guaskë deputetësh dhe njerëzish oligarkë që nuk kanë fare lidhje në territor. Gazmend Gardhi është deputet i Elbasanit, së bashku me Dashnor Sulën, që sot ishte veshur në mënyrë piktoreske për të treguar një PR të fortë antiqeveritar. Sikur të dy këta deputetë të marrin 50 vetë nga zona e tyre bëjnë 100, nëse deputeti me shaqlin merr 50 bëjnë 150, shto 50 lezhjanë të Agron Gjekmarkajt bëjnë 200, shto 50 kamzalinj të Flamurit e 50, madje 60 të xhelalit bëjnë 260, 50 fierakë të Baçit e 50 vlonjatë të Leskajt 300, e 50 devollinj të Nallbatit bëjnë 350. Me një fjalë 40 herë 50 bëjnë 2 mijë protestues. E me 2 mijë protestues jo vetëm demonstrohet, por mbahet në këmbë një kauzë opozitare për një kohë të gjatë.
Por realiteti është krejt ndryshe. Deputetët nuk kanë bazë, sepse i kanë këputur vetë lidhjet me strukturat e PD-së, sidomos pas 8 janarit. Demokratët që ata thërrasin nuk janë ata që kanë bërë fushatë dhe i kanë zgjedhur deputetë. Shumica e tyre janë me Bashën e PD zyrtare, të tjerët janë të mërzitur. Ata që kanë mbetur me Sali Berishën, janë besnikë të tij. Elektorati, pra votuesit, është e vërtetë që në shumicë nuk i besojnë Lulzim Bashës, porn ga ana tjetër nuk kanë lidhje me deputetët e foltoren.
Një fushatë normale apo edhe jo normale do të vendosë një marrëdhënie të re, siç ndodh xhanëm. E kësaj i frikësohet foltorja, e cil nuk ka realisht terren poshtë këmbëve. Kërkon ta mbarsë me një radikalizëm, që keq apo mirë, e ka treguar veten në 10 vjet. Por fakt është se ky radikalizëm i është drejtua rmë shumë Bashës dhe mbështetësve të tij. Me një qëllim të caktuar; të trembë strukturat e PD-së. Por gjasat janë që nuk ndodh kjo, ndaj po veprohet me një push të fortë për të mos lejuar magnetizmin e strukturave me elekoratin. Po kush fiton në këtë rast? E tregoi 14 maji 2023, kur opozita hummbi edhe Shkodrën e Tropojën… /Tema