Sali Berisha

Ylli Pata: Nga ‘populli i 2 Marsit’ te opozita e ‘Mustafa Matohitit’

9 Janar, 19:32| Përditesimi: 9 Janar, 19:34

  • Share

Nëse Sali Berisha vërtetë do të jepte dorëheqjen në vitin 2013, ndoshta opozita shqiptare nuk do të gjente një lider aq të zhurmshëm apo edhe “karizmatik”, por sipas të gjitha gjasave, të gjithë bashkëkohësit e doktorit në politikën do të iknin një nga një. Po të shikosh vendet rreth nesh, ka mjaft pjesë të brezit politik të 30 apo më shumë viteve. Por nga ana tjetër, në një pjesë jo të vogël rrethi është rinovuar e nuk ka mbetur as vicioz e as katror.

Ikja e Milo Gjukanoviçit nga politika aktive bëri që e gjithë kupola e politikës së Malit të Zi të rinovohet totalisht, ndërkohë që në vende të tjera kjo ka ndodhur pjesërisht. Gjukanoviç iku pikërisht kur doli në opozitë, pas një mbretërimi 30 vjeçar. E pikërisht ikja e tij solli efektin domino, të një zëvendësimi brezash.

Shqipëria, është vendi që nuk e ka bërë, madje e ka bllokuar zëvendësimin e brezave në politikë. E kjo vjen pikërisht nga abuzimi i pushtetit të opozitës.

Pasi është pikërisht opozita që ndryshon dhe i jep sinjalet të gjithë shoqërisë, por politikës në radhë të parë për një zëvendësim brezash.

Ikja e Fatos Nanos në vitin 2005 solli në Partinë Socialiste një numër të madh politikanësh të rinj që ju bashkuan Edi Ramës. Politikanë që sot akuzohen nga kundërshtarët se janë pjesë e një brezi të vjetër, pasi masin periudhën e gjatë në pushtetin politik të opozitës dhe pushtetit. Edhe pse ky brez doli pas vitit 2005. Madje debati më i fortë në vitet e para të drejtimit të Ramës në PS ishte ai i balancës ndaj të ardhurve kundrejt socialistëve të vjetër të vitit 1991. Pavarësish kush kishte të drejtë në këtë debat, klasa politike pësoi një zëvendësim të konsiderueshëm.

Siç në një farë mënyrë e bëri edhe KOP-i i Partisë Demokratike të vitin 2005, kur erdhi në pushtet, por që rezultoi gjithsesi jo i plotë. Megjithatë, në 8 vitet e qeverisjes së Sali Berishës, e djathta pati një lloj debati e konkurence të rëndësishme kuadrosh, që niste nga qeverisja deri në institucionet e pavarura e drejtësi. Bamir Topi, Lulzim Basha, Sokol Olldashi, Astrit Patozi, Jozefina Topalli, Grida Duma, Majlinda Bregu, Ina Rama, Bujar Nishani, Arben Imami, Genc Ruli, Ilir Rusmali, Rexhep Uka, Adriatik Llalla etj, janë emra që erdhën në debatin publik në vitet e qeverisjes së Sali Berishës. E i dhanë opinionit një kor jo të vogël zërash. Natyrisht kohën më të madhe e kishte doktori në fjalimet e gjata në qeveri dhe grupin e PD-së. Siç e ka Edi Rama sot, pasi në fund të fundit është lidershipi që mban fuqinë e peshën politike të një force apo mazhorance.

Por sprova e një partie është dalja në opozitë. Sa i jep këtij korit që ke pasur në mundësinë e madhe që të jep pushteti, hapësirën e kohën për ta bërë opozitën jo një pushtet të bllokuar, por një forcë të ndryshme politike që kthehet në alternativë qeverisëse.

Por në këto 11 hapësira e opozitës shqiptare jo vetëm që nuk u pasurua, por përkundrazi, me mënyrën e formën e një gjuhe ndarëse gjithçka u katandis në një tokë e zanun vetëm për dy persona: Sali Berishën dhe Ilir Metën. Të cilët kanë pasur e kanë edhe mjetet mediatike e financiare për të mbajtur me shiringa një opinion publik në epruvetë. i cili jo vetëm që nuk krijoi as frymë e as rrymë, por siç po tregojnë edhe ngjarjet e ditëve të sotme, vetëm pakësohen.

Kjo nuk do as mend as kalem, është thjesht dialektikë. Opozita është tentuar të mbahet dhunshëm edhe në momente që flasim me klishetë e gatshme se Berisha e Meta janë udhëheqësit e opozitës. Në fakt ata janë udhëheqësit e një grupimi që është pakicë në opozitë, e që e kanë treguar edhe zgjedhjet e 14 majit të vitit që shkoi. Vendi, edhe po të mos ketë realisht një forcë të fortë e të përgatitur për të zëvendësuar qeverinë, ka mjaft forca, grupime, e nxjerr personazhe përditë të inspirimit opozitar.

I takon klasës drejtuese të opozitës që këto forca, grupime e personazhe t’i kanalizojë, promovojë, përzgjedhë e t’i mbështesë për të sjellë para publikut atë-alternativën qeverisëse që do të sjellë ndryshimin politik në vend.

Por prej vitit 2021, kemi parë atë fenomenin impotent edhe të kapitalizmit shqiptar, ku të gjithë hapin të njëjtin biznes që ka hapur fqinji për t’i marrë klientelë ngaqë nuk kanë ide të reja.

Ilir Meta përdori deri në ekstrem “popullin e 2 marsit” duke tentuar të marrë sa më shumë pjesë të elektoratit radikal të PD-së, por që në fund i ikën edhe ata që pati marrë në 2017-n. E Sali Berisha ka 2 vjet që flet për demokratët, ndërkohë që nxiti dhe ndërmorri një luftë të egër përçarëse dhe urrejtjeje për të mbajtur pushtetin. Sot kjo “opozitë” është limituar me pjesëmarrësit në rrugën “Mustafa Matohiti” apo Rrugicën e Salës.

Që kjo pjesë është opozitën ndaj pushtetit të Edi Ramës nuk do as mend as kalem, por problemi është pikërisht se kjo opozitë jo vetëm nuk ka ide e mundësi, por tani as nuk ka qejf që të kthehet në alternativë ndaj pushtetit. Kërkon të mbetet me zor opozita e vetme, por që në opozita nuk vlejnë të njëjtat ligjshmëri si në qeverisje. Nëse një shumicë humb zgjedhjet shkon në opozitë, një opozitë nëse humb zgjedhjet, nuk është më opozitë! TemA

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?