Po të shikosh të gjithë mjedisin e një lufte të pafre të nisur që në 2016, kur u vendos nisja e reformës në drejtësi, eteri publik shqiptar është tejmbushur me fabula që nisin nga antikiteti e deri në betejën e Stalingradit.
Nga Kili i largët që është fundi i botës, te Kirgistani “heroik” që “prishi planet” e Donald Lu-së.
Shqipërisë, i është dashur të përtypë fabula pa fund, fantazi nga më të çakërdisurat, për të plotësuar axhendën e dy personave siç janë Sali Berisha dhe Ilir Meta.
Që janë realisht personazhe me fuqi e pushtet dominant në Shqipërinë e 33 viteve, personazhe me influencë e mjete për të nisur, financuar, mbështetur e mbajtur fushata mediatike, politike, zgjedhore, pa përjashtuar këtu intriga pallati pa fund, përgjime e fabrikime, që harxhojnë e kanë harxhuar pa fund energjinë dhe bërë kokën dhallë, në radhë të parë të ndjekësve të tyre.
Të cilët u është kërkuar të rreshtohen, të aktivizohen online e direkt në një luftë, e cila siç kanë treguar faktet as nuk u përket, as nuk ka një plan, e në fund, nuk është efiçente.
Ndërsa Ilir Meta, nxorri për vite e vite metaforat antiamerikane që nga Salvador Aljende i Kilit, Korea e Veriut me armë bërthamore, e sot na risolli Stalinin me musteqe e me llullë që sakrifikoi të birin për “Nënën Rusi”, për Berishën dolën legjendat e vjetra me cikllopë e djalngrënës, ku Homeri apo Eskili janë rrotulluar në varr me mijëra herë kur kanë mësuar se kush e si i përdor.
Të gjitha këto fabula, edhe pse parë në një kënd të vogël mund të jenë edhe argëtuese, kur mbulojnë non stop hapësirën mediatike në eter siç ndodhi sot me Konventën, bëjnë efektin e kundërt. “Prill-Maj, Konventës mos ju ndaj”, tha profesor Tupja në 2013-n, në një panel para se të ndodhte “nata e ngjalave”.
Gjithsesi, njerëzit e kuptojnë se e gjitha kjo nuk ka asnjë lidhje me problemet e tyre, siç nuk ka lidhje bërja e Shqipërisë 4 milionë plus, me Stalinin.
Që vjen si personazh, jo si në kronikat e Luftës së Dytë, apo librat e shkrimtarëve të Shën Pjetërsburgut kur ishte një laborator revolucionar për poetë dhe artistë, por si një Batman për të mundur Dumdumanin.
Natyrisht dhe spiunët e tij, që i ka futur kudo nëpër servera, priza, kufje dhe ka ngrirë të gjithë rojet e natës dhe rojet e trupave.
E, gjithë ky konglomerat fanatzish që po të bashkohen me atë të profesor Sazanit dhe ajkës së konspiracionistëve që ka paralajmëruar luftë në Ballkan, bëhet thjesht për të mbajtur pas vetes një dorë ndjekësish që zvogëlohet ditë pas dite.
Siç e tha edhe Ilir Meta; kanë ikur të gjithë në emigracion. Por që u betua se do t’i kthejë, duke i sjellë ndërmend sakrificën e Stalinit për djalin e vet me gruan e parë, që e lindi në Tbilisi. Të cilin në shtëpi e pranoi gruaja e dytë e xha Stalos, Nadjezhna, e cila vrau veten para se të vritej Jakovi.
Po si mund të kthehen ish-anëtarët e LSI-së nga emigracioni kur sa të hapin Wikipedian për të mësuar ç’i ndodhi Jakovit, Nadjeznjës, Vasilit që i plasi mëlçia nga vodka, fatit të trishtë të Zvjetllanës por që u kthye në një best seller, e dy djemve të tjerë Artemit e Kostandinit, as e çojnë në mend të kthehen.
E mendo, Moska as atëherë e as sot nuk e ka një SPAK apo dumduman. Gjërat janë të thjeshta etje, siç e pamë me Prigozhinin dhe Navalnjin, mbarojnë punë para se të bëjnë detyrim paraqitje.
“Aaaa sa bukur”, thotë Çani, që i adhuron fabula të tilla që i japin këtij teatri më shumë sens. Por këtu digjet filmi. Po pse ja bleu Monikës Tuaregun si shpëblim që humbi përballë të ndjerit Bujar Nishani? Çfarë lidhje ka Tuaregu me Stalinin e Dumdumanin?
Janë këto pikëpyetjet që në fakt merremi ne, kur pyetjet mund të ishin ndryshe. Si e bleve Tuaregun? Aaaa, ky është komplot, se ndryshe s’ka si të jetë. Po ç’punë kanë njerëzit me të gjitha këto? Do të fitosh zgjedhjet, bëje. Ke problem me ligjin përballu, je i mërzitur me dikë, shfryju, po Stalini përse?!/Tema
me cfate lekesh i bleve tuaregun monikes...
Përgjigju