Që me ngritjen e organeve të reja të Drejtësisë, si Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, SPAK, Prokuroria e Përgjithshme, Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, por edhe organet e lartë të vettingut, janë përmbytur nga kërkesa e ankesa prej qytetarëve.
Ka mbi dy vjet që ndodh kjo, e kjo është bërë e ditur më shumë nga ambasadorja amerikane Yuri Kim, apo ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, sesa nga institucionet në fjalë.
SPAK, në hetimet që nisi, bëri të ditur se është nxitur nga denoncimet apo sinjalet që ka pasur nga qytetarë, subjekte, apo edhe politikanë siç është rasti i tenderit të uniformave.
Nga ana tjetër, ka një mori ankesash që janë dërguar në një institucion si ILD, apo organet e vettingut. Ankesa që nuk pushojnë. Mori dokumentesh, argumentesh, faktesh e të dhënash që duhet realisht të shqyrtohen.
Mirëpo një pjesë prej të cilave mbesin pa përgjigje, madje ka raste që kur qytetarët kërkojnë përgjigje, u jepet një përgjigje e thatë buroktatike.
Nuk mundet që organet e drejtësisë së re, të sillen si administrata e mykur apo problematike vendore e qendrore. Pritshmëria e shpresa për ta është shumë e lartë. ILD ka një numër të madh ankesash për procese apo edhe çështje gjyqësore. Ndoshta numri i madh i tyre, i ngjan letrave në redaksi që dikur, përpara epokës së internetit mbushnin gazetat. Të cilat normalisht nuk kishin mundësi të lexoheshin të gjitha, pasi redaksitë kishin pak njerëz. Por një pjesë e tyre shërbenin, si bazë për investigime të ndryshme. Madje emisionet investigative, këto ankesa i kanë si buka e veprimtarisë së tyre që kanë sjellë sukses, pasi kanë çuar prapa hekurash zyrtarë të rëndësishëm.
Nëse një redaksi, ka edhe justifikimin të thotë se “nuk pata mundësi ta shqyrtoja filan ankesë, se s’kemi personel”, kjo nuk mund të ndodhë me strukturat apo institucionet e reja të drejtësisë. Nëse ata kanë personel të pakët, të kërkojnë më shumë e ta kanalizojnë në marrëdhëniet me publikun.
Ankesat e qytetarëve për vendimet e gjykatave janë baza e punës së Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë. Nëse ky institucion vërdallos qytetarët, atëherë thjesht nuk ka bërë detyrën, madje ka shkelur shumë rëndë besimin e publikut. Ndërkaq, edhe vetë SPAK, i cili është sot nën reflektorët e mëdhenj të publikut: nuk ka justifikim se mund të ketë pak personel. Duhet ta kërkojë, si numrin e zyrtarëve që duhet, apo fondet,. Për të bërë ë mundur t’i përgjigjet sa më shpejt, e me hollësi çdo ankese, apo kërkese që i vjen nga publiku.
Të paktën t’i informojë, a mundet që letrat që ata dërgojnë janë objekt për SPAK apo jo. Le të mos merret SPAK me lëvizjen apo orientimin, por qytetarëve kanë detyrim t’i përgjigjen e sqarojnë. Siç mësohet, në SPAK ka një mori shumë të madhe dokumentesh edhe nga qytetarët, edhe nga politika. Në këtë rast, njerëzit, duhet të jenë të parët që duhet sqaruar, përpara partive. Që të mbahet gjallë një marrëdhënie bio, e domosdoshme e njerëzve me atë pjesë të shtetit që ata besojnë më shumë…/TemA