Edi Rama dhe Albin Kurti

Ylli Pata: Përjetimi i vizitës së Ramës në Kosovë si puç ndaj Albinit

20 Qershor 2022, 20:10| Përditesimi: 20 Qershor 2022, 20:11

  • Share

Para gjashtë vitesh, kur Edi Rama në Prishtinë mori pjesë në një aktivitet në përurimin e shtatores së Ismail Qemalit, u sulmua nga disa qarqe atje si një ndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës

Ndërkaq, kur Albin Kurti erdhi në Tiranë para se të bëhet kryeministër, porn ë rrugë e sipër, e u takua me gazetarë kritikë të Ramës, nisi ajo që quhet albinomania politike e Tiranës.

E cila gjeti një alterego të anti-Ramës politik tek kreu i Vetëvendosjes, e që më pas u bë një logjik politike e qartë, madje edhe një nismë reale, ku nuk ishte vetëm Albin Kurti protagonist, por edhe Vjosa Osmani, Ramush Haradinaj, si dhe politikanë të tjerë të rangut të dytë, u kthyen si mekanizëm politik për të formuar një kauzë shtesë për të rrëzuar Ramën.

Me dërgimin e Hashim Thaçit në Hagë, në vjeshtën e vitit 2020 si në Tiranë e Prishtinë, nisi një “betejë” për të shënjestruar Edi Ramën dhe Hashim Thaçin si çiftin politik që duhet ndëshkuar.

Rama, nga ana e tij, ishte i vetmi politikan shqiptar që e përkrahu Hashim Thaçin në ditën më të vështirë të tij, madje e bëri këtë edhe në mes të fushatës elektorale të zgjedhjeve të 21 prillit 2021. Ku gjatë përurimit të aeroportit të Kukësit, Edi Rama e quajti Thaçin si “një nga shqiptarët më të mëdhenj” ku shtoi se do ta vërtetonte koha.

Marrëdhënia e afërt e Edi Ramës me Hashim Thaçin, ka qenë në fakt një vijim i relacionit të afërt që PS-ja ka pasur me PDK-në që herët. Madje Rama, këtë e ka deklaruar edhe në vitin 2011, gjatë një interviste për “Zëri”-n” e Prishtinës kur ishte lider i opozitës, e kur marrëdhëniet me Albin Kurtin i kishte më shumë se miqësore.

Në 2013-n, kur Rama u bë armik me LDK-në e Isa Mustafës ngaqë citoi Rexhep Qosen në Parlamentin e Kosovës, deklaroi edhe se Albin Kurti është një “dritare e shëndetëshme për demokracinë”. Madje PS-ka vijoi marrëdhëniet e afërta me Vetëvendosjen, edhe në kuadër të Partisë Socialiste Europiane apo Internacionales Socialiste, duke qenë se e vetmja parti e së majtës në Kosovë është ajo e Albin Kurtit, ngase PDK e Thaçit, nga anëtare e PSE u kthye në një forcë politike e së djathtës e anëtare e PPE-së.

Por hyrja e Albin Kurtit në një tandem politik anti-Rama, si një logjikë për të fituar vota në Kosovë dhe në Shqipëri, e prishi këtë marrëdhënie, duke e kthyer Albin Kurtin në një aleat apo pjesëtar të opozitës që kërkonte rrëzimin e Edi Ramës. E si pjesë e kësaj aleance, ishte edhe Vjosa Osmani, e cila demonstrimin e saj si opozitare e dha më të vrazhdë, që në fjalimin e saj famëkeq në Parlamentin e Shqipërisë, e në foton e prerë nga samiti i Selanikut.

E në këtë atmosferë shumëkush mund të priste se Edi Rama do ta përdorte aksiomën e famshme se hakmarrja është një pjatë që serviret e ftohtë.

E në këtë kontekst u sajua fabula e “puçit” të Ramës ndaj Kurtit që në samitin e Ohrit, duke e quajtur si pjesë të tij si vizitën e Ramës tek prindërit e Hashim Thaçit, ashtu edhe një darkë që kryeministri i Shqipërisë ka zhvilluar me një grup gazetarës e analistësh nga Prishtina.

Që Rama nuk e ka pritur mirë fabulën e puçit u pa qartë në deklaratën e ashpër të tij në Prishtinë, ku i cilësoi si “të lehura qensh të rrugës”, çka është shumë e rëndë, sidomos në perceptimin që metaforave u japin shqiptarët e Kosovës që janë më të ndjeshëm.

Gjithsesi përkrahja, mbështetja njerëzore, quaje edhe politike e Edi Ramës për Hashim Thaçin nuk është aspak gjë e re, e nuk ka përse kthehet në një armiqësi politike mes Tiranës e Prishtinës.

Vjosa Osmani, është politikanja tipike që e ka formuar profiling e saj jo me ndonjë ide apo koncept politik, por thjesht si një kundërshtare e Hashim Thaçin. Osmani, ka vetëm një atu në historinë e saj politike; antithaçizmin. E si të tillë, qarqet e lidhura me të, madje edhe diplomatike, çdo lëvizje apo takim për Thaçin e me njerëzit e tij, e konsiderojnë si zhvillim anti-Prishtinë.

Kjo është në fakt logjika që e kthen Hashim Thaçin në hero, e dashje pa dashje, çdo lëvizje që ka emrin e tij do të sjellë dobi politike për kundërshtarët e ish-presidentit të Kosovës.

E nuk ka sit ë ndodhte ndryshe kur politika e Kurtit dhe Osmanit, me mbështetjen edhe të Berishës e Metës në Tiranë, u kthye në një antithaçizëm teorik. Logjikë, që krejt natyrshëm do të prodhonte antitezën e tij. E kështu, pasi e kanë demonizuar ish-Presidentin e Kosovës, në mënyrë dialektike do të vijë pjesa kur viktimizimi do të ndihmojë Hashim Thaçin, sidomos kur ai është i mbyllur në një burg si lider i UÇK-së. Çka natyrisht po e kthen ditë pas dite në një martir politik e sipas gjasave do ta kthejë edhe më fort në politikën aktive të Kosovës.

Në këtë rast, ndihmesa e Ramës për Hashim Thaçin, edhe pse me risk për të, ngaqë një pjesë e madhe e zgjedhësve të Kosovës që ka votuar Vetëvendosjen e urren ish-presidentit, nuk ka lidhje me puçin. Është thjesht një risk për Ramën se mund ta mallkojnë kundërshtarët e Hashim Thaçit. Ndërkaq, qëndrimi i Berishës, që qytetarët e Kosovës duhet të marrin shtetësi të dyfishtë shqiptare për të përfituar nga regjimi pa viza i yni, edhe pse ndoshta për të tërhequr vëmendje, është super i rrezikshëm.

Ngjan pikë për pikë me qëndrimin e Putinit për t’i dhënë shtetësinë ruse banorëve të Donbasit ukrainas. Madje ka gjasa që mediat serbe dhe ato të Kremlinit të kenë nisur diskutimin që tani…

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?