Ilir Meta dhe Sali Berisha

Ylli Pata: Presidenca si bunker, pse Berisha kërkon një Meta nr.2?!

4 Prill 2022, 21:49| Përditesimi: 4 Prill 2022, 21:52

  • Share

Luçiano Boçi, deputeti i PD-së, i cili që në fillim ka qenë pjesë e Foltores, pra në krah të Sali Berishës, ka deklaruar sot se ata vendosin kusht për të hyrë në negociata për kreun e ri të shtetit, faktin që mazhoranca ta taksë se Presidenti duhet të jetë i opozitës.

E këtë e argumentojnë me logjikën se ngaqë pushtetet janë në duart e mazhorancës, atëherë duhet që një pushtet t’i jepet opozitës.

Një koncept, që prej vitesh tjerret në panele prej mbështetësve të Ilir Metës, që e kanë konsideruar si një “garanci ekuilibri” apo edhe më rëndë si argument i Arjan Vasjarit: “antikorp për superpushtetin e Edi Ramës”.

Një koncept, i cili në thelb nuk është gjë tjetër veçse një term mesjetar, ku pushteti konsiderohet si “principatë” e jo si institucion demokratik e Kushtetues i Republikës.

Në një Republikë parlamentare, pushteti është i ndarë me Kushtetutë në mënyrë të përcaktuar. Madje me reformën në drejtësi, Presidenti i Republikës, nuk ka pushtet ekzekutiv në institucionin supër të rëndësishëm të Prokurorisë dhe gjykatat e vendit. Drejtësia sot, është një pushtet që funksionon në një “markim” dhe drejtim që ka distancim goxha të rëndësishëm social nga pushteti politik.

Edhe pse shumë zëra publikë, intelektualë, apo edhe politikanë, pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, e konsiderojnë rolin e Presidentit të Republikës sit ë parëndësishëm, në fakt, nuk është kështu.

Ne e pamë gjatë mandatit të Ilir Metës se sa dramatike është që të kemi në krye të shtetit një politikan që e përdor presidencën si mekanizëm politik sektar. E ktheu në një zyrë që për interesa krejt të vogla, jo vetëm që tentoi të hedhë në erë shtetin siç bëri me anulimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019, por minoi marrëdhëniet strategjike me aleatët, që e ka bërë gjatë gjithë mandatit të tij.

Presidenca nuk është një qokë për të marrë me të mirë një grupim politik. Opozita në Shqipëri nuk është as Sali Berisha, as Ilir Meti e as grupi i tij që prej 2013-s tenton të mbajë me egërsi një ambjent politik të sponsorizuar e të bllokuar.

Opozita në një vend, është frymë, është pjesa që nuk mendon si shumica parlamentare, që e kritikon atë, krijon premise për t’i përçuar këto kritika dhe shpall alternativat ndryshe kësaj shumicë parlamentare.

Kurse Presidenti i Republikës është një institucion i nivelit të lartë, ku sipas Kushtetutës duhet të përfaqësojë të gjithë. Në formë, përmbajtje e natyrisht me rezonancë mesazhesh e qëndrimesh.

Opozita parlamentare është institucioni më i rëndësishëm që ka një sistem alternative demokratik. Ajo është grupi që duhet të përfaqësojë të gjithë përveçse qeverinë. Dhe mekanizmat institucionale për të ushtruar pushtetin janë të pafundme deri ditën e zgjedhjeve, kur opozita garon për të marrë në drejtim bashkitë, apo qeverinë.

Por përveç zgjedhjeve, opozita ka detyrim, sepse është bashkëaksionare e Republikës, që të jetë pjesë e ndërtimit të institucioneve të pavarura Kushtetuese. E një i tillë është edhe Presidenti i Republikës. i cili nuk duhet të jetë një fortëse për një politikan të opozitës, por një organ që vjen si aksion dhe process i përbashkët. Rasti i Aleksandër Moisiut është më i suksesshmi në 30 vjet postkomunizëm. Ai u zgjodh si kandidaturë konsensuale e PD-së dhe PS-së, por që gjatë mandatit të tij, Presidenti Moisiu nuk u mor fare me interesat e partive. E kjo e dëmtoi politikisht, por i dha institucionit të Presidentit një reputacion të rëndësishëm.

Moisiu, ndoshta nuk ka bërë më të mirën në menaxhimin e sistemit gjyqësor, pasi në atë kohë Presidenti ishte shumë i rëndësishëm e kishte fuqi ekzekutive. Por Moisiu nuk e ndryshoi Kryeprokurorin, la atë që zgjodhi Meidani, pra Theodhori Sollakun, por në emërimet që kreu në KQZ, të cilat i kishte në kompetencë vuri njerëz që vinin nga opozita, por që ishin personazhe jo konfliktuale si Klement Zguri, apo edhe në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të lartë.

Ndërkaq, pas Moisiut, Bamir Topi, erdhi nga PD, por jo nga vullneti direkt i Sali Berishës. Presidenti Topi bëri betejë reale politike për zgjedhjet presidenciale, ku u krye një process interesant që pati edhe dritëhijet e tij, siç ishin 6 deputetët e PS-së që votuan për të. Por ama, me të marrë Presidencën, Bamir Topi i vuri kufij pushtetit të pafre të Berishës, duke reaguar fort në tentativën e qeverisë për të dnaluar hetimet e Rrugës së Kombit, Gërdecit apo 21 janarit, saqë u quajt “horr bulevardi” nga Sali Berisha.

Edhe pse ndryshoi kryeprokurorin, Topi krijoi premisat e një prokurorie jo politike në mandatin e Ina Ramës.

Natyrisht mund të ketë edhe më mirë se këto dy modele, por Nishani e Meta ishin një kthim prapa të standardit të një shteti modern.

Presidenca po kërkohet si një “frëngji” politike, kur realisht opozitës i bën më mirë nëse hyn në proces për një president të pranueshëm. Nëse Sali Berisha u rikthye në 2005-n, një shkak është edhe hyrja e tij në rolin isntitucional që me Moisiun bëri zgjedhjen më të rëndësishme. Madje me një sintoni të plotë me SHBA-në. Alfred Moisiu ishte kreu i Shoqatës së Atlantikut të Veriut, e që reflektonte vokacionin properëndimor. E çfarë kërkon Foltorja sot? Një President më keq se Meta në lidhje me aleatët e partnerët euroatlantikë. Kjo sepse e kërkon postin apriori për Berishën që është i shpallur persona a non grata nga SHBA…/TemA

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?