Një operacion gjyqësor për të pastruar politikën dhe kupolën e shtetit, që po ndodh këto ditë në Shqipëri, nuk është një risi, duke ju referuar rasteve të ngjashme në vende të ndryshme të botës.
Ka vende të konsoliduara si SHBA, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar etj, ku drejtësia e këtyre vendeve e bën shpesh dhe herë pas here “pastrimin”, duke ndërhyrë atëherë kur e shikon të nevojshme.
Ka vende të tjera, që një gjë e tillë ndodh kryesisht në epoka të posaçme, përgjithësisht të shtyrë edhe nga “forca madhore”. Siç është edhe Shqipëria.
Megjithatë, ka një rezultante në të gjithë këtë fenomen. Kur ndodh vala, opinioni publik, thuajse i tëri rreshtohet pro përpjekjeve të drejtësisë për të vendosur në sitë politikën, e për të zbuluar njerëzit e korruptuar.
Një rast homolog, e mjaft i njohur nga shqiptarët është operacioni “Mani Pulite” në Itali, në fillim të viteve 90 të shekullit të shkuar.
“Motori” i grupit të operacionit “Duart e Pastra”, Antonio di Pietro, përpara çdo hapje dosje apo arrestimi të “peshqve të mëdhenj”, fliste në telefon me emra të rëndësishëm të medias dhe opinionit publik si Enzo Biaggi, drekonte apo pinte ndonjë gotë verë në darkë me Indro Montanellin apo Vittorio Feltrin, si edhe mjaft të tjerë, në mënyrë që media të ishte në krah të prokurorëve të Milanos.
E faktikisht, jo vetëm këta emra të njohur, por e gjithë media në vend, qoftë edhe ajo e Silvio Berkusconit, (I cili ishte i prekur nga operacioni “Mani Pulitte”, pasi i arrestuan të vëllanë, Paolo-n), përkrahën masivisht hetimet antikorrupsion.
Madje aq e madhe ishte buja, sa prokurorët e “Pool Mani Pulite”: Saverio Borrelli, Antonio Di Pietro, Geraldo Colombo, Piercamillo Davigo dhe Gerardo D’Ambrosio, u kthyen në celebritete që nga popullariteti, kaluan edhe yjet e muzikës dhe spektaklit në Itali.
Të gjithë përfaqësonin shtresa dhe grupime të ndryshme shoqërore, por edhe politike nëse mund të quhen kështu: Borrelli ishte një aristokrat 24 karatësh milanez, një pjesëtar i ajkës së qytetit më të rëndësishëm të Italisë, një “borgjez” tipik por edhe një institucionalist e statist i bindur.
Davigo vinte nga ambjente të djathta, sa mediat dikur e vizatonin si të afërt me Aleancën Nacionale të Gianfraco Finit, partisë postfashiste, Di Pietron e konsideronin një demokristian pranë rrymës së Adreotit.
Ndërkaq, Colombo dhe D’Damborosio konsideroheshin si të majtë. Megjithatë, të të pestë ishin jo vetëm unik si grup në punën e tyre, por edhe mjaft miq e luajalë me njëri-tjetrin.
Edhe pse në fund pati edhe probleme e polemika, operacioni “Mani Pulitte” solli një efekt të rëndësishëm që ishte rrënimi i klasës së vjetër politike, por edhe forcoi një luftë të fortë ndaj tij, që solli ndalimin e punës së grupit për të hetuar klasën e re politike që kryesohej nga Silvio Berlusconi.
Ky i fundit, me anë të ministrit të tij të Drejtësisë Alfredo Biondi, jo vetëm pengoi punën e prokurorëve të Milanos, por edhe miratoi një ligj që nxori nga burgu një numër të madh të arrestuar nga “Mani Pulite”.
Gjithsesi, politika është gjithmonë kundërshtari i prokurorëve antikorrupsion, por jo media.
E në Shqipëri, mund të themi hapur që media nuk ka qenë asnjëherë aleate e “Duarve të Pastra”.
Pasi, një pjesë e medis sonë është e kondicionuar nga politika.
Panelistët që sot flasin me pathos për operacionet e SPAK, asnjëherë nuk kanë folur në të shkuarën për operacionet kur një prokuror firmosi një shkresë për ndjekje penale apo pyetje ndaj një politikani.
E mbani mend Zamir Shtyllën, drejtorin e hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme, të cilin e linçoi publikisht Sali Berisha dhe suita e tij, pikërisht kur firmosi hetimet për Gërdecin dhe Rrugën e Kombit. Ku ishin panelistët që flasin sot? Nejse është histori e shkuar.
Le ta nisim me epokën e post reformës në drejtësi. Një hetim i prokurorisë si rasti i Kastriot Ismailajt apo i njohur si çështja CEZ-DIA, u la në heshtje nga media main stream në vend. Në heshtje varri! I vetmi që fliste për të ishte Romeo Kara dhe disa media online, ndër ta edhe gazeta TemA.
Por le të vijmë më vonë, kur reforma në drejtësi, u miratua në Parlament dhe kur duhej të ngriheshin strukturat e reja. Ku më kryesorja e më e rëndësishme është vettingu dhe ONM-ja.
Baza që do të hapte rrugën për krijimin e SPAK e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Asnjë, asnjë emision në televizionet kombëtare për këtë ndryshim të rëndësishëm, por netët mbaheshin me zhurmat politike të tipit “Babale” e më the e të thashë.
Të gjithë e mbajmë mend sesi instalimi i srukturave të vetingut, më pas nisja e vettingut, krijimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, e Këshillit të Lartë Gjyqësor, u pengua e u vonua pafundësisht.
Thelbi i strukturave të reja të drejtësisë është një sistem mjaft i komplikuar, mjaft kompleks që natyrisht nuk është perfekt. Por gjithsesi e heq nomenklaturën direkte nga politika. Kriteret për të hyrë në organet e reja të drejtësisë ishin drakoniane. Kërkonin 15 vjet eksperiencë, plotësimin e kritereve të tjera profesionale, akademike e morale, të cilat që në fillim u sulmuan nga pjesë të opinionit publik, pikërisht sepse bënë pakt me politikën që nuk e deshën SPAK e BKH-në.
Shumë mirë që ishin mosbesuaes, dyshues e kritikë, por asnjëherë nuk i hynë në thelb kësaj analize. Akuzuan dhe profetizuan që në krye të organeve të drejtësisë do të vijnë prokurorët e diktaturës.
Por në fakt kryeprokurorja e Përkohshme Arta Marku, e cila ishte e para magjistrate që hyri në kupolën e drejtësisë së re, jo vetëm që ishte pjesë e shtresës së përndjekur nga regjimi komunist, por edhe një juriste që kishte përfunduar ciklin e magjistraturës por edhe që plotësonte kriteret e eksperiencës në punë. Pra SHBA dhe BE që ideuan dhe udhëhoqën reformën në drejtësi, i kishin llogaritur me precizion të gjitha.
Megjithatë, SHBA e BE, që para se të ngrihen institucionet e reja, bënë përpjekje që të nisin nga Prokuroria shkëndijat e para antikorrupsion.
Madje u përkrah një grup prokurorësh që u trajnuan në SHBA. Grup, i cili sapo u kthye nga trajnimi nuk u dekretua nga Presidenti i atëhershëm Bujar Nishani dhe u largua nga kryeprokurori Adriatik Llalla. i cili largoi mjaft prokurorë me integritet që kishin hetuar çështje të rëndësishme të krimit të organizuar dhe korrupsionit në vend. Që nga prokurorët me më përvojë si Ylli Bedalli apo më të rinjtë si Shkëlqim Hajdari. i cili drejtonte edhe shoqatën e Prokurorëve.
Mbahet mend dhuna që Adriatik Llalla duke shfrytëzuar postin kreu edhe fizikisht ndaj disa prokurorëve që i konsideronte “si të parehatshëm”. Ndërkohë ata që kishin integritet i degdisi, derisa i largoi. Asnjë fjalë, nga panelistët e sotëm, që për çdo sinjal që nxirrte Llalla e shumëfishonin si një aksion anti-mafia e antikorrupsion.
Edhe kur Llalla tentoi të ndryshonte konfigurimin politik në Kuvend në vitin 2016 e 2017, kjo u konsiderua si luftë për dekriminalizimin, kur në fakt ishte një aksion selektiv e politik. E kur Donald Lu e Romana Vlahutin, kritikuan Llallën e kolegët e tij për pengim të reformës në drejtësi, nisi sulmi i egër e i turpshëm ndaj tyre.
Nga 2016 e deri më sot, ngritja e SPAK e BKH-së ka qenë një proces endemik dhe me mjaft dyshime në publik, por shpresa që SHBA e BE e udhëheqin këtë proces ka prevaluar. E kjo realisht, ka sjellë që sot të kemi një SPAK që ka nisur tërmetin në hetime proaktive, jo në propagandë e ballo prangash.
Që të bësh një hetim duhen prova, dosje, e shuumë punë e metodika proceduriale që në vetvete nuk janë bukë e djathë, por punë e përditshme në terren.
Një hetim si përshembull rasti i Lushnjës ku është nën hetim kryebashkiaku, sipas gjasave ka dashur një vit punë në terren.
E panelistët jo vetëm nuk kanë ditur asgjë, por edhe nuk kanë parashikuar se cilat do të jenë lëvizjet e radhës. Pasi ata flisnin për 184 apo 339-n, që nuk u bënë kurrë dosje, por vetëm fletërrufe propagande për të justifikuar djegien e mandateve të 2019-s.
Kur dëgjon në panelet televizive ca “dashnorë” të zjarrtë për operacionet e fundit të SPAK, duket se këto vite nuk ka ndodhur asnjë gjë në këtë vend, por të gjithë po prisnin Arben Krajën dhe njerëzit e tij për të nisur të gjithë këtë tërmet, që duket është në lëkundjet e para.
Megjithatë nuk është kështu, SPAK, erdhi e u ngjiz, si një operacion i gjatë, shumë i gjatë e realisht i dhimbshëm për shqiptarët që pritën “Duart e Pastra” që pas 2013-s, kur disa herë është rrezikuar që si SPAK apo prokukte të tjera të drejtësisë së re të lindnin të vdekura.
E sot, është koha e kronikës, sa më të qartë e të detajuar të fakteve, e jo apologjive…