Sali Berisha

Ylli Pata: Prognoza e Partisë Anti-SPAK që ka shpallur Sali Berisha

24 Janar, 20:03| Përditesimi: 24 Janar, 20:05

  • Share

Siç ishte parashikuar, e gjithë ajo përpjekje që Sali Berisha ndërmori pas shtatorit 2021, ku çau egërsisht Partinë Demokratike ka arritur në një pikë, ku gjërat duken pranë formalizimit.

Tashmë Foltorja apo siç e thërrasin disa si Rithemelimi po shkon drejt një trupe politike më të qartë. Një parti, e cila nuk është gjë tjetër veçse një forcë politike e orientuar kundër Prokurorisë Speciale kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Me dosjen e privatizimit të klubit Partizani, e me hapjen e dosjeve të tjera që ndodhen në duart e prokurorëve, ku subjekt është deputeti Sali Berisha, po kristalizohet gjithnjë e më shumë Partia anti-SPAK. Një parti, e cila realisht nuk ka lindur sot, por që kur ka nisur diskutimi për reformën në drejtësi, madje përpara vitit 2016. Kjo frymë politike nisi që në 2015, kur në Parlament u dërgua një draft mbi krijimin e Burosë Kombëtare të Hetimit, e cila u kundërshtua hapur si nga PD-ja ku Sali Berisha kishte fuqinë absolute, e ishte de fakto kryetar i grupit parlamentar, ashtu edhe nga LSI-ja e Ilir Metës, që atëherë ishte aleate me Edi Ramën.

Por prej atëherë kanë rrjedhur shumë ujra. SPAK nuk është më as ide, as përpjekje, as draft, apo ligj Kushtetues. Është institucioni më i famshëm në vend, i cili me hetimet ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë, ka tronditur ekuilibrat politike në vend.

Sot, i vetmi që është i qartë në artikulimin politik kundër SPAK, që e cilëson një “organizatë kriminale”-njëjtë si edhe mazhorancën e Edi Ramës, është Sali Berisha.

Ilir Meta, në daljen e tij të fundit publike, përsëriti kritikat e kundërshtimet ndaj SPAK-ut, të cilat i kanë edhe politikanë të tjerë. Por si Partia e Lirisë, apo edhe politikanë të tjerë, si Muslim Murrizi përshembull, të cilët kanë mjaft fjalë të ashpra ndaj prokurorisë speciale, nuk kanë krijuar një korpus solid politik si një formacion anti-SPAK siç e ka bërë Sali Berisha.

Këtë duket e kanë kuptuar edhe mjaft deputetë të PD-së, të cilët, ngaqë e kanë parë veten jashtë Parlamentit në zgjedhjet e ardhshme, i janë afruar foltores, e kanë qenë protagonistë në aksionin e flakadanëve në fund të vitit të shkuar.

Afrimi i Saljanjit, (për të cilin kolegët kanë depozituar edhe një amendament që t’i shtohet amnistisë së përgjithshme që bëhet çdo vit), në një pozicion të moderuar për të braktisur “mosbindjen civile”, deklaroi se opozita duhet t’i kthehet parlamentarizmit. Ndërkaq, Ferdinand Xhaferri, e inaguroi këtë strategji, kur propozoi amendamentin anti-Babale, apo “Salianji” në Komisionin Parlamentar të Sigurisë.

Deputetët e zhurmshëm që u larguan nga Basha, po e shikojnë gjithnjë e më shumë se marrja pjesë direkt në partinë e Sali Berishës, ka vetëm një aktivitet; guerrilja kundër SPAK, e cila tani sapo ka filluar nxemjen.

Pasi me kulmin e procesit “Gërdeci” ku aktor në lojë është djali i Sali Berishës, dosjet e tjera ndaj doktorit apo familjarëve të tij, aktiviteti i partisë anti-SPAK do të rritet gjithnjë e më shumë. Madje pjesa më e madhe e këtij aktiviteti do të jetë jo publik apo jo formal. Realisht partia anti-SPAK ka nisur prej kohësh aktivitetin në hapësirën e gjerë mediatike që kontrollon Sali Berisha. Në televizionet kryesore, përkatësisht në emisionet e darkës, nuk është folur fare për reformën në drejtësi, derisa SPAK u bë i “rrezikshëm”, duke i hyrë kupolës së lartë të politikës shqiptare.

Prej atëherë, ne po shikojmë një sërë aktorësh mediatikë që jo thjeshtë sulmojnë SPAK, si për shembull ish-ministra si Ylli Manjani apo gazetarë si Arjan Çani, Andi Bushati, Fatos Lubonja etj, por po nxisin krijimin e një fryme anti-SPAK. Frymë, e cila publikisht jo që s’po vjen, por po zvogëlohet gjithnjë e më shumë. Ndaj Partia Anti-SPAK-ut, me kalimin e kohës, aktivitetin më të madh të saj nuk do ta ketë publik apo në lojën politike lineare. Por në rrugë jashtë politike e jashtëparlamentare, siç veprojnë organizatat klandestine, ekstremiste apo terroriste.

E në fakt ka kohë që paralajmërohet nisja e një rruge të tillë. Që Arjan Çani, në emission televiziv ju referua të ashtuquajturave precedentëve grekë apo italianë, siç është organizata 17 nëntori, e cila ka vrarë politikanë apo ka vendosur bomba në ambasadën amerikane apo selitë e tjera perëndimore në Athinë. Po në Itali, ku Brigatat e Kuqe, bënin atentate, vendosnin bomba apo merrnin pengje VIP si ajo e kreut të mazhorancës italiane, Aldo Moro, që më pas u vra.

Precedentët që përmendi Çani, pra 17 nëntori apo Brigadat e Kuqe, në thelb ishin reagime anti-amerikane, e është vërtetuar tashmë, se këta organizata terroriste nuk ishin gjë tjetër veçse krijime të KGB-së sovjetike.

Natyrisht, që e gjithë kjo strategji ka synuar më shumë të bëjë shantazh sesa të ketë një plan të tij të çartur e kamikaze. Por edhe si strategji shantazhi e sulmesh, krijon profilin e një force politike që program, statut, objektiv e strategji ka vetëm mbrojtjen, sulmin e revoltën ndaj hetimeve të SPAK për Sali Berishën. Një parti që natyrisht nuk ka shpresë për të marrë vota, të cilët po i zvogëlohen çdo ditë. 

Por synimi i saj nuk është dhe do të jetë marrja e votave, por imponimi dhe negocimi i kërkesave dhe objektivave të saj. Siç bën Hamasi apo simotrat e tij kudo. Ekzagjerim? Po atëherë përse mbështetësit mediatik të partisë anti-SPAK që janë çdo natë në panelet televizive, flasin për reagime të dhunshme, rikthim në vitin 1997, “eksperienca si në Greqinë e 17 nëntorit apo Italinë e Brigadave të Kuqe”. Sepse kërkon të çojë një mesazh atyre që u drejtohet, pra amerikanëve që mbrojnë SPAK-un dhe atyre që e mbështesin këtë parti të re. Po a është formalizuar deri tani kjo mbështetje?!

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?