Gazment Bardhi

Ylli Pata: Pse 'kryengritja' e fundit e Bardhit s’ka lidhje me vulën

25 Korrik 2023, 14:32| Përditesimi: 25 Korrik 2023, 14:34

  • Share

Porpos linçimit me buton të qarqeve mediatike që janë në krahun e foltores, edhe një pjesë e kronikës së mediave kryesore po e raportojnë sherrin e fundit në kupolën e PD-së si një përplasje vule.

Është një luftë pushteti, ku Gazment Bardhi është njeriu i komanduar që ka në dorë të gjithë vulat e simbolet e Partisë Demokratike, e konteston çdo vendim e veprim të organeve të tjera si kryesia apo edhe degët e PD-së në 61 bashkitë e vendit.

Më saktë se një luftë pushteti, është një rezistencë e Bardhit, duke përfituar nga posti që mban për të mos ua bërë “grurë” pjesës tjetër, e kështu të nxjerrë sa më shumë pengesa në zgjedhjen e Lulzim Bashës si kryetar i Partisë Demokratike më 29 korrik.

Bardhi, sipas të gjitha gjasave nuk e shikon më veten të zgjedhur në strukturat e reja të PD-së, e këtë ai e ka parë me kohë. Sepse i është kundërvënë hapur më 14 maj vullnetit të shumicës së strukturave të PD-së për të dalë në zgjedhje me kandidatët e tyre.

Më 14 maj, davaja politike e Gazmend Bardhi me anëtarët e PD-së ka përfunduar. Njeriu që sot drejton PD nuk është vetëm një kundërshtues i rikthimit të Lulzim Bashës. Pasi ka shumë gjasa, që ky problem mund të zgjidhet me një kompromis sallonesh, siç ka ndodhur rëndom në PD edhe në partitë e tjera. Bardhi është një deputet që ka prishur marrëdhëniet me degën e PD të Elbasanit ku është drejtues politik, por edhe me degët e tjera që ai si Sekretar i Përgjithshëm ka për detyrë që t’i koordinojë.

Pse “kryengritja” e fundit e Bardhit s’ka lidhje me

Shkaku i kësaj marrëdhënie të prishur natyrisht që nuk është vetëm Gazment Bardhi, pasi kjo histori ka nisur si konspiracion që para përjashtimit të Sali Berishës nga grupi parlamentar në shtatorin e 2021-shit. Kur Lulzim Basha, krijoi lidhje të shkurtëra me krerët e degëve të PD-së, organizoi së bashku me ta rezistencën e 8 janarit 2022, kur suksesshëm ndaluan “pushtimin” e furisë berishjane. Kur Lulzim Basha, planifikoi hapat e një taktike kurth ndaj Berishës e Metës, si përgjigje ndaj grackës së 6 marsit 2022. Edhe pas dorëheqjes, Lulzim Basha nuk reshti kontaktet me bazën e PD-së, e cila u kthye realisht në një armatë e madhe bashiste. Edhe pse kjo u pasqyrua shumë pak në opinion e media, ishte një realitet që vulën e vuri më 14 maj.

Me fjalë të tjera Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi pra, u mbajt larg nga njerëzit e tij që ai kishte kompetencë për të mbajtur marrëdhënien e punës. Por, këtë e ka ditur zoti Bardhi, e sipas të gjitha gjasave, por edhe zhvillimeve, ai nuk e ka pranuar, e shumë herë dhe ka thënë të vetën. Por në politikë duhet të mbash qëndrim. Dy rrugë ka në këtë rast; ose Bardhi do mundohej të bindte e lobonte në bazë për të mbrojtur idetë e veta, ose të largohej nga një parti, ku ai nuk e gjen veten. Largimi de fakto erdhi më 14 maj, ku Bardhi së bashku me Jorida Tabakun e një grup deputetësh ju kundërvunë planit të bazës së PD-së për të konkurruar me kandidatët e tyre. E si pasojë, Bardhi përkrahu, apo favorizoi koalicionin e Sali Berishës dhe Ilir Metës. Të cilët shumica e strukturave të PD-së nuk e konsiderojnë pjesë të “demokratëve”, por një grup politik a tarikat që ka kërkuar e luftuar për të asgjesuar e neutralizuar degët e PD.

Ndaj, e gjithë përpjekja e Bardhit, është më shumë se inerci, pasi politikisht ai e bëri zgjedhjen. Nuk u lineua me partinë e tij më 14 maj. Nëse “Bashkimi për Fitore” do të arrinte të fitonte të paktën bashkitë e bastioneve, situata do të ishte krejt ndryshe. Por, BF humbi gjithçka duke u shpartalluar politikisht. Kjo ndodhi sepse demokratët, së pari anëtarët, e së dyti votuesit e PD nuk donin të mbështesnin kandidatët e Meta-Berishës. Davaja e Gaz Bardhit u mbyll atë ditë kur bëri zgjedhjen politike. E cila natyrisht nuk ishte e menduar, por e shtyrë prej një inercie, e ajo që ka rëndësi pa dëgjuar demokratët në territor. Gjithsesi, Bardhi por edhe të tjerët kanë një shans të fundit. Të paraqesin një mocion, një ide, një program sesi e duan PD dhe çfarë i ofrojnë atyre demokratëve që nuk u bënë me foltoren. E të sfidojnë Lulzim Bashën qoftë edhe duke lobuar tek demokratët për të mos e votuar më 29 korrik. Tjetër rrugë në PD nuk kanë. Nuk është çështje vule.

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • kotre: 26/07/2023 18:59

    Nuk u lineua !!!! te shpafte lineua...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?