Në një debat të ashpër në emisionin e Flori Dardhës, përplasja ndërmjet Genc Burimit dhe Rezart Kthupit, ishte në realitet, thelbi i asaj që po ndodh tek opozita shqiptare.
Genc Burimi, një gazetar me qëndrim në Francë, por që është prej kohësh një mbështetës i fortë i Sali Berishës dhe Ilir Metës, i sugjeroi juristit të PD-së së Bashës, Rezart Kthupit, që në zgjedhjet e 2025-s, grupi i Bashës të bëhet bashkë me Berishën, pasi kanë një armik të përbashkët-Edi Ramën. Burimi, mori shkas edhe nga bashkimi i të majtës franceze, ku së bashku kandiduan socialistë të qendrës dhe të majtët radikalë.
Rezart Kthupi u përgjigj se pikërisht kjo ishte çështja, ai dhe bashkëpunëtorët e tij, nuk e donin këtë rreshtim, pasi kanë diferenca të forta me Sali Berishën. Madje shtoi ai, më afër është Edi Rama me Berishën, sesa demokratët që kanë shpallur divorcin me Doktorin.
Në të vërtetë kjo është kryeçështja në opozitën shqiptare, që askush nuk e debaton në televizionet tona, pasi kërkojnë një bashkim me zor, që jo vetëm nuk ndodh, por nuk ka as arsye, por as gjasa të ndodhë.
E kjo u pa qartë në votimet e 14 majit 2023, ku elektorati i djathtë më mirë votoi kandidatët e PS-së se sa ato të Sali Berishës dhe Ilir Metës.
Po pse ndodhi kjo? Sepse kemi të bëjmë me një process së pari dialektik. Demokratët nuk do të ishin bashkuar asnjëherë aq shumë si në zgjedhjet e 2021-shit ta dinin se do të rikthehet Sali Berisha. Përndryshe do të votonin si në vitin 2013. E kjo është një fakt i provuar e i stërprovuar. Pastaj është një proces politik; opozita, përkatësisht aktivistët e saj dhe strukturat e militancës, janë njohës më të mirë të politikës sesa fanatikët apo të paguarit e kastës së vjetër që dalin në panele. Ata e dinë shumë më mirë se çfarë po ndodh, çfarë do të thotë të shpallesh Non Grata familjarisht nga dy superfuqitë e Perëndimit.
Ndërkaq, po politike është edhe ndarja tjetër, ajo me drejtësinë e re dhe veçanërisht SPAK. Mbështetja aq e madhe publike për prokurorinë Speciale rreth 75%, nuk është vetëm me mbështetësit e socialistëve, por edhe një fetë të madhe të votuesve dhe militantëve të opozitës. Të cilët janë pro aksionit të SPAK ndaj korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe politikanëve të niveleve të larta.
E në këtë pikë, pa asnjë kompleks demokratët, përkatësisht elektorati opozitar është më afër mbështetësve dhe akteve të mazhorancës që ka krijuar dhe mbështet politikisht SPAK dhe drejtësinë e re.
Ndërkaq, ndarja e këtyre pjesëve të politikës, është edhe intelektuale e etike. Të dëgjosh në televizion përfaqësuesit opozitar si Rrezart Kthupi, Roland Bejko etj, qëndirmi i tyre është krejt normal, përdoret argumenti, diskutimi logjik, pa klithma, tërsëllime apo sharje e fjalë rruge siç bëjnë mjaft deputetë.
Me një qetësi olimpike, Kthupi ju përgjigj Genc Burimit, duke thënë se ka jetë edhe pa politikë, duke iu referuar zgjedhjes së tij pas dhënies së vulës Sali Berishës. E kjo është në fakt një tjetër ndarje. Këta personazhe nuk ushqehen nga politika. Janë profesionistë, profesorë, biznesmenë, që kanë punën e tyre e nuk ushqehen e janë ushqyer nga politika. Kjo është një diferencë e madhe, madje thelbësore për të treguar se kush është ideja e tyre për politikën.
Ndaj dhe deputetët e larguar që prej vendimit të Enkelejd Alibeajt, thuajse me efekt domino, tregojnë një qasje politike që nuk e bënë asnjëherë kolegët e tyre, të cilët i shpallën luftë Lulzim Bashës. Si Gaz Bardhi dhe deputetët e tjerë, që luftën deri edhe me zjarr e sherr në Kuvend, e bënë për të ruajtur vendet e tyre në strukturën parlamentare, apo për të negocuar pazaret që kërkonte apo i vyenin Sali Berishës pas disfatës së 14 majit 2023./TemA