Edi Rama

Ylli Pata: Rama shtoi katër ministra apo i dha PS 4 politikanë të rinj?

4 Shtator 2023, 19:59| Përditesimi: 5 Shtator 2023, 07:44

  • Share

Në ndryshimin që Edi Rama i bëri kabinetit qeveritar, vetëm Anila Denaj, është deputete e Partisë Socialiste, e cila është zgjedhur në qarkun Vlorë, ku ka mbuluar Sarandën.

Të gjithë ministrat e tjerë kanë profil më shumë teknik sesa janë përfaqësues politik. Arbi Mazniku, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, ka qenë më shumë se të tjerët prezent në debatet politike në panelet televizive në vite, ku ka folur kryesisht për çështjet e kryeqytetit. Marrja nga Mazniku e portofolit të pushtetit vendor, duket se përbën një ndryshim politik në qeverisje, ku kthen në qeveri, një dikaster që ishte zhdukur që nga koha e të ndjerit Bashkim Fino në vitin 1998.

Një ministri e re, që më shumë se një hapësirë burokratike drejtorësh e nëpunësish për të dubluar rolin e kryetarëve të bashkive, duket se vjen si një struturë për të supervizuar fondet qeveritare të investimeve për njësitë e qeverisjes vendore.

Ndërkaq, Igli Hasani, shefi i ri i diplomacisë, vjen nga një përvojë e gjatë diplomatike në ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Jashtme, ku në kohën kur Shqipëria ka mbajtur kryesinë e OSBE-së, ai ka qenë kreu i një desku të rëndësishëm në organizatë, ku ka qenë edhe ambasador i Shqipërisë. Ndërkaq, ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu ka qenë për një kohë të gjatë drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike. Ervin Meta, ish-zv/ministër i Financave në 2013, më pas kreu i AMF, ka një të të kaluar politike si kandidat për deputet i G99 në vitin 2009.

Në një kohë që Rama paralajmëroi një Kongres të PS-së të jashtëzakonshëm në tetor, çka është një ngjarje politike primare për një parti, e afrimin e zgjedhjeve parlamentare të 2025-s, duket se më shumë se vendosjen e disa teknokratëve në qeveri, gjasat janë që kryeministri po afront ë paktën 4 politikanë të rinj, që sipas gjasave do të hyjnë në forcë në muajt që vijnë. 

Mazniku e Mete, kanë një përvojë të gjatë në ekzekutiv, e gjasat e “futjes në forcë” janë mëse reale, ngaqë kanë qenë edhe aktivë herë pas herë në debatet publike. Por edhe Koçiu e Hasani, duket se përfaqësojnë emrat e rinj që sipas gjasave do të hyjnë në skuadrën politike. E cila siç edhe u paralajmërua nga Rama, do të marrë votbesim në Kongresin e jashtëzakonshëm.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?