I ashtuquajturi pakt i arritur nga mazhoranca dhe PD e Sali Berishës, nuk është asgjë më tepër veçse një rikthim në listat e mbyllura, me një hapje të vogël. Madje as sa në vitin 2021, kur ai që thyente listën mund të depërtonte në listën e kandidatëve fitues, duke spostuar të fundit apo parafundit sipas gjinisë.
Për ta bërë më të qartë, për shembull në qarkun Tiranë nëse PS merr 14 deputetë, të gjithë dalin nga lista e fiksuar, kandidatët që marrin më shumë pëlqime fitojnë thjesht nga teprica e presjes dhjetore të herësit.
Ky draft duket se është arritur si një kompromis politik mes PS-së dhe PD-së së Sali Berishës, që mund të bëjnë votat për ta ndryshuar Kodin Zgjedhor në Kuvend me numrin e duhur kushtetues.
Megjithatë, ky është një autogol politik i tmerrshëm më pak për mazhorancën dhe më shumë për PD-në e Sali Berishës.
E cila si opozitë, jo vetëm nuk ka shtyrë apo bërë presion për një konkurrencë të hapur të kandidatëve që garojnë në zgjedhje, por ka insistuar për një formulë të tillë hibride, që nuk është gjë tjetër veçse rikthim në partitokracinë e vitit 2008.
Në zgjedhjet e shkuara, hapja e vogël e listës tregoi zhvillime të vogla por që patën në raste të veçanta një furtunë politike.
Në qarkun e Tiranës, Fatmir Xhafaj dhe Mimi Kodheli, të cilët ishin poshtë kufirit politik të listës, arritën të zgjidhën falë numrit të votave preferenciale që morën nga votuesit.
Kjo hapësirë, duket që në zgjedhjet e 2005-s do të jetë më e vogël. Mazhoranca, e cila kërkon një mandat të katërt, por edhe duke u nisur nga faktin që është një parti në pushtet, dhe më e strukturuar, e ka më kollaj që të kandidojë një buqetë emrash që i zgjedh kupola. Ndërsa opozita, ka mundësinë, por edhe sfidën për të tronditur skemën aktuale, duke rritur një konkurrencë të brendshme nga kandidatët, që mund të jenë të aftë të marrin vota preferenciale.
Po duket se pikërisht ky aspekt, pra konkurenca e kandidatëve nuk i konvenon kupolës drejtuese të PD-së së vulës, e cila kërkon të mbajë një hierarki të varur nga papafingoja e doktorit deri në ditën e fundit.
E ky është shansi i të gjithë opozitës tjetër për ta tronditën skenën politike shqiptare, qoftë në Parlament, qoftë në Gjykatën Kushtetuese, për ta thyer sa më shumë këtë skemë të mbyllur. E nëse nuk ja arrin ta bëjë këtë me një një vendim të brendshëm që të zgjedhë deputetë ata kandidatë që marrin më shumë vota nga zgjedhësit.
Edhe nëse nuk është e mundur direkt, indirekt kjo bëhet në terheqjen e atyre që kanë marrë më pak vota. E kjo të bëhet me anë të deklaratave publike, por edhe të shkruara e të firmosura para zgjedhjeve. Një betejë publike e opozitës kundër këtij sistemi të mbyllur, mund të kthehet në energjinë e fushatës së 2025, madje edhe mund të rrisë bazën e votuesve, nga ajo pjesë që deri më sot nuk kanë marrë pjesë në votime.
Siç dihej, PD e Berishës zgjodhi atavizmin e vjetër, për ta mbajtur me thonj, territorin e elektoratit opozitar, e për ta lënë atë me një mundësi zgjedhjeje me zor. Por në fakt, fusha e opozitës është e gjerë e nëse Lulzim Basha e të gjithë të tjerët që janë përballë Sali Berishës bashkohen në këtë betejë, gjithçka ndryshon, e mund të kemi një revolucion të vërtetë politik në zgjedhjet e 2025-s. Revolucion që mund të jetë nisja e një stine të re, për të themeluar fuqishëm një opozitë alternative, që në çdo çast të jetë e gatshme të vijë në pushtet në Shqipëri./TemA