Lulzim Basha

Ylli Pata: Rikthimi i Bashës në PD, a do ta hapë ish-kryetari, 'Kutinë e Pandorës' për Sali Berishën?!

31 Mars 2022, 20:12| Përditesimi: 31 Mars 2022, 20:14

  • Share

Lojika e Sali Berishës për të shkuar në sallën e mbledhjeve të grupit të PD-së, edhe pse teatrale, atij dhe mbështetësve të Foltores, vetëm i ul pikë vazhdimisht.

Insistimi për tu ulur në një tavolinë, ku nuk e pranojnë dhe u thonë pa reshtur se “je i përjashtuar”, i ngjan një skene bullizmi të shkollave  9 vjeçare.

Pasi, nuk mund të ulet në bankat e klasës, një nxënës i cili nuk është fare në regjistër,  siç ndodh me të tjerët, që i thërrasin në apel.

Qënia në një grup parlamentar i një deputeti, nuk është një logjikë autobuzi urban, ku një anëtar i parlamentit hip dhe zbret si të dojë. Është e rregulluar në mënyrë normative-fikse në Rrefulloren e Kuvendit.

Konstituimi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, apo edhe të partive të tjera, është bërë në shtator të vitit 2021. Lista, që janë miratuar dhe zyrtarizuar me firmë dhe vulë. 

Sali Berisha, edhe sikur të marrë drejtimin e PD-së, e gjykata e Apelit i njeh dhe të drejtën e përdorimit të simboleve zyrtare siç janë vula etj, nuk hyn dot në grupin e PD-së pa ardhur shtatori i këtij viti. Bëhet fjalë në mënyrë ligjore e të njohur institucionalisht.

Kur sërish sipas rregullores bëhen ndryshimet e mundshme të anëtarëve të grupeve, apo krijimi i grupeve të reja.

Sali Berisha, e di mirë këtë gjë, siç që e di mirë edhe logjikën që gjithë këto skena përplasjesh dhe “faktesh të kryera” nuk bashkojnë PD-në, por nxisin edhe më shumë luftën e brendshme. Por qëllimi i Berishës në të gjithë këtë teatër, është thjesht karshillëku verbal e mediatik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilin nuk resht së përmenduri.

E në këtë aspekt, skena e Berishës që hyri “me forcë” në mbledhjen e grupit parlamentar nuk është gjë tjetër, veçse një përsëritje e asaj të javës së shkuar, kur hyri në zyrën e Gazment Bardhit. Si përfundim, edhe javën e shkuar edhe sot, nga krerët aktualë të PD-së ka marrë të njëjtën përgjigje: “Largohu se je Non grata”.

Por sot, ka pasur një zhvillim të ri në “telenovelën” e sherrit të gjatë brenda Partisë Demokratike. Është rikthimi në publik i Lulzim Bashës, një javë pas dorëheqjes. Basha, ndryshe nga zërat e mediave pranë Berishës se është larguar në Holandë, e gjëra të tilla, tha se do të jetë aktiv në zhvillimet brenda PD-së, për ta bashkuar atë.

E “bashkimi” që kërkon Basha, përputhet me atë të Alibeajt, e duket edhe të një pjese të grupit parlamentar apo kryesisë.

Përplasjen se kush i ka numrat, duket se po e shmangin sot të dy palët; si ajo e Berishës, ashtu edhe ajo e Alibeajt, ngaqë nuk duan të vihen në siklet duke rikthyer skenat e fraticide të 6 muajve të fundit. 

Por në fund, do të ketë pashmangshmërisht një përballje numrash të organeve të partisë, për të ndarë shapin nga sheqeri. Krahu i Alibeajt pret vendimin e apelit për simbolet e vulës, kurse Berisha është komod duke bërë taktikën e “faktit të kryer”. E cila s’mund të zgjasë shumë.

Tashmë “Komisioni i Rithemelimit” është thjesht një grup ineksistent, pasi të gjitha kompetencat i ka marrë Sali Berisha.

Ndërkaq, rikthimi i Lulzim Bashës, do të çojë në pjesëmarrjen e tij në të gjithë organet ku ai bën pjesë, si grupi parlamentar, Këshilli Kombëtar, por edhe Kuvendi Kombëtar i PD-së pra Kongresi.

E në këtë rast, ajo çfarë ka apo do të ketë peshë në zhvillimet brenda PD-së, është se tani ish-kryetari, duke mos e pasur peshën e përgjegjësisë së një fjalë e tij do të trazojë ujrat, në këtë moment ai është i liruar nga kjo peshë.

Ndaj i takon, e njerëzit presin prej tij të “zbërthehet”. Publikisht në intervista dhe emisione televizive të “hapë kutinë e Pandorës”, si një ballafaqim politik pas një masakrimi të pamëshirë që i kanë bërë për 6 muaj njerëzit e Berishës.

Të flasë për reformën në drejtësi, cili ka qenë roli i tij dhe ai i Sali Berishës, për djegien e mandateve dhe bojkotimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, rolin e Ilir Metës e natyrisht për zhvillimet e panjohura pas shpalljes non grata të Berishës nga SHBA. Si dhe konceptin se si ai e mendon bashkimin e PD-së. 

Kjo situatë pezull nuk ka sisi vijon kështu e nuk do të vijojë. Palët siç janë përplasur ashpër, do të vijojnë ta bëjnë, pasi tashmë është e qartë se Berishës nuk i intereson që të largojë Bashën dhe të ribëjë zgjedhjet në PD. Ai do të bëhet kryetar i Partisë Demokratike. 

E këtu natyrisht kanë mbetur thatë gjithë ata deputetë apo ish-deputetë që mendonin ta përdornin doktorin si trampolinë. Madje edhe ata që ditët e fundit u egërsuan me Lulzim Bashën si grida Duma, Saljanji e të tjerë. Duket se të gjithë ky grup ka shërbyer si urë e madhe për të siguruar kalimin e sigurtë të Berishës në selinë blu.

Megjithëse rruga për Berishën nuk përfundon me marrjen e “kalasë”….

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?