Sapo SHBA shpalli non grata Sali Berishën, si dora vetë, por edhe mbështetësit e tij, kanë ngritur në opinion të ashtuquajturën fabul të bllokimit të pluralizmit. Me demek, Sali Berisha dhe partneri i tij politik Ilir Meta, janë garantët për të siguruar një pluralitet të subjekteve politike në Shqipëri. E më pas, kanë lidhur këtë fabul, me një iluzion fund e krye, se pas mbështetjes në popull, SHBA do të rishikojë ndëshkimin e Sali Berishës.
E iluzion mund të thuhet me delikatesë, pasi në thelb ky është një mashtrim fund e krye. Këtë e kanë thënë disa herë zyrtarët e lartë amerikanë që nuk ka mundësi të ndodhë ajo punë, por kush ndjek njoftimet publike të Departamentit Amerikan të Shtetit, shikon se thuajse ditë pas dite ka vendime në bazë të ligjit 7031(C), ku shpallen non grata zyrtarë të pafund të akuzuar për korrupsion e shkelje të të drejtat e njeriut.
Vetëm sot, në një vendim zyrtar të Departamentit të Shtetit, bëhet e ditur se sekretari Antony Blinken, ka firmosur ndëshkimet non grata, për tre ish-drejtues të lartë të ushtrisë së Kolumbisë, të cilët akuzohen për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, gjatë përplasjeve që ushtria e atij vendi ka zhvilluar me struktura paramilitare të ndryshme.
Gjatë këtij procesi që ka zgjatur me vite e vite në Kolumbi, duket se ka pasur edhe vrasje, dhunime e persekutime të civilëve të pafajshëm nga ana e eprorëve të ushtrisë kolumbiane.
Ish-koloneli, Publio Hernán Mejía Gutiérrez, ish-koloneli Juan Carlos Figueroa Suárez, dhe ish-gjenerali Iván Ramírez Quintero, janë shkarkuar me ceremony nga Forcat e Armatosura të Kolumbisë prej vitesh. E ndaj tyre, ka edhe një process penal që vijon, por gjithashtu qeveria amerikane mori vendimin e ndëshkimit të tyre.
Kjo politikë e SHBA, është qartësisht një vijë që tregon vendosmërinë për të ndëshkuar zyrtarët e korruptuar, apo të kriminalizuar në të gjithë botën, e posaçërisht në ato shtete që janë aleate të SHBA. Për të dhënë sinjalin se Uashingtoni jep kontributin e vet si shtet i fuqishëm dhe me një reputacion demokratik për të ndihmuar popujt përkatës.
Ndërkaq, sondazhet e zhvilluara gjithë këtë muaj nga operatorë të ndryshëm, përgjithësish të huaj, por edhe vendas, që po transmetohen në televizione të ndryshme, tregojnë një panoramë krejt të ndryshme politike në vend. Panoramë, e cila më 14 maj, sipas të gjitha gjasave do të qartësohet edhe më shumë.
Kjo panoramë tregon se fusha politike e cila nuk është me mazhorancën socialiste është mjaft plural, e ka një tendencë në vijim që të pasurohet edhe më shumë. Madje sikur Partia Demokratike, ajo zyrtare pra, do të dilte me 61 kandidatë, shifrat sipas të gjitha gjasave do të ishin krejt të tjera. Andaj u luftua aq shumë dhe me të gjitha mjetet që ajo të mos ndodhte.
Bllokuesi i pluralizmit në këtë rast është Sali Berisha edhe Ilir Meta, të cilët monopolin e opozitës janë përpjekur e po përpiqen ta mbajnë me mjete jo normale politike. Ata tentuan të dalin vetëm ata me kandidatë alternativë ndaj qeverisë, për të mbledhur me “forcë” elektoratin anti-Rama. Mirëpo, siç po shihet, edhe pse në fillim në mënyrë të brishtë, PD-ja anti-berishë po forcohet avash avash, e ka gjasa që pas 15 majit ta konsolidojë atë, duke u hapur edhe drejt elektoratit gri, i cili sipas sondazheve, o voton mazhorancën ose nuk del në zgjedhje.
Ndërkaq, nëse i referohesh sondazhit të Piepolit, i cili ka pyetur qytetarët në lidhje me personazhet e fushatës, Berisha mban 34%, ndërsa Ilir Meta vetëm 1% të besueshmërisë. Nëse fusha opozitare hapet më shumë, çka është edhe kërkesë e kohës, edhe dialektike, por edhe normale se s’ka si të ndodhë ndryshe, atëherë jo vetëm që pluralizmi do të marrë frymë, por në një lëvizje natyrale do të tentojë drejt asaj pjese gri në qendrat urbane të vendit. Por kjo do të ndodhë natyrisht me një lidership krejt të ri, krejt të besueshëm, e me një mentalitet që ndryshon kryekëput nga modeli 33 vjeçar i polarizimit politik në Shqipëri./TemA