Artistë që kanë shprehur mbështetjen për Veliajn

Ylli Pata: Shkaqet e kryqëzatës politike kundër këngëtarëve

3 Maj 2023, 20:15| Përditesimi: 3 Maj 2023, 20:17

  • Share

Angazhimi publik i personazheve popullore të spektaklit apo siç njihet në Perëndim-showbiz-it gjatë fushatave elektorale nuk është një fenomen i ri.

Siç nuk është as fenomen i ri angazhimi politik i personazheve të kësaj bote edhe në politikën aktive, në të gjithë historinë e politikës botërore. Ky fenomen ka qenë prezent edhe në historinë politike shqiptare 33 vjeçare pas rrëzimit të komunizmit.

Madje që në vitet e para të përmbysjes, ku një pjesë e yjeve të kinemasë ju bashkëngjitën PD-së si Dhimitër Anagnosti, Rajmonda Bulku, Bujar Lako, Ndriçim Xhepa, Xhevdet Ferri, etj etj, e nga ana tjetër PS-ja që në fillimet e saj pati një grup artistësh që e përkrahën atë si Violeta Manushi, Reshat Arbana, Alfred Trebicka, Petrit Malaj etj etj.

Në vitet në vijim ka vijuar ethshëm aktivizimi i njerëzve të ekranit, muzikës, teatrit e muzikës në politikë, deri edhe në fushatën e fundit të 25 prillit 2021, ku në krah të Lulzim Bashës pamë Bujar Asqeriun, Osman Mulën etj etj.

Një pjesë e kësaj bote nuk luan nga qëndrimi i tyre politik, mjaft prej të tjerëve ndryshojnë mendje, ndryshojnë qëndrim, e kjo është gjëja më normale në jetë. Por e gjithë kjo lëvizje nuk është thelbi në një fushatë elektorale, thjesht ajo përbën një pjesë të vogël, teatrale, tip piperi sa për të për ta bërë më interesante.

Influenca e madhe që kanë këto personazhe në publik krijon natyrisht pështjellime, pasi ka fansa të tyre nga ana tjetër, e ju vjen inat që idhulli i tyre nuk mbështet anën që ata i përkasin, po palën tjetër. Kjo ka ndodhur gjithmonë, që në shumë raste të ulet simpatia për artistët e dashur. E cila rekuperohej sapo të mbaronte fushata elektorale, e në qetësi të dëgjonte sërish këngën e artistit të preferuar apo të shikonte filmin e aktorit që pëlqente.

Por asnjëherë nuk ka ndodhur që këta dëshmitarë Vip të kryqëzohen për zgjedhjet e tyre, madje as në vitet e para të pluralizmit, kur beteja politike ishte e ashpër si pasojë e mungesës së kulturës e përvojës politike e elektorale.

Ah, ndodhi në SHBA pak vite më parë, kur Donald Trump, ndikoi bazën e tij radikale të urrente VIP-at e Hollywood-it, pasi thuajse e gjithë trupa e të famshmëve ishin kundër tij. Ndaj edhe radikalët trumpistë urrenin e shanin në rrjete më shumë Robert De Niron sesa Joe Biden.

Mirëpo rikthimi sot i një linçimi ndaj njerëzve të artit, thjesht pse ata kanë një mendim politik është absurd. Frederik Ndoci, është një nga artistët më bio të Shqipërisë, këngëtar i nivelit të lartë, por edhe person i lirë pa asnjë kompleks, që ka bredhur thuajse gjithë botën, ku ka punuar vetëm në profesionin e vet, pra duke kënduar.

Rriku, si shumë shkodranë kryesisht qytetarë, ka qenë një mbështetës i Partisë Demokratike me vite e vite. Por kjo nuk e ka penguar atë që të jetë i dashur e miqësor me socialistët shkodranë. Ku shpesh rrikun e shikoje në kafet e Shkodrës, duke pirë kafe e bërë shaka, e qeshur pa fund si Rrik Ndoci e ka zakon, e shkodranët në përgithësi.

Rriku është gjithashtu mjaft i angazhuar në rrjete sociale, ku e ka thënë mendimin e tij politik prej kohësh. Ai është shtetas amerikan tashmë e për vite e vite ka jetuar e punuar në SHBA. Gjatë fushatave të Trump dhe presidencës së tij, Rriku ishte një nga mbështetësit më të flaktë të miliarderit nga New Yorku, siç ishte një kundërshtar publik i vaksinave kundër Covid 19, qëndrime që i ka thënë me zë të lartë. E askush nuk e ka sulmuar apo linçuar, përveç shakave e batutave, të cilave këngëtari i njohur i bën e i pranon pa asnjë problem.

Prej më shumë se një viti, Frederik Ndoci ka marrë vendimin të rikthehet në atdhe, në qytetin që ai e do shumë, Shkodrën, pasi siç e ka thënë edhe vetë i shijon më shumë kënga në shqip, e publiku shqiptar. Në fushatën aktuale zgjedhore, Rriku ka marrë një angazhim për të përkrahur Benet Becin. E këtë qëndrim e ka sqaruar me argumentet sipas tij. 

Po çfarë ndodhi pas kësaj? Jo vetëm që autoritetet e bashkisë e bojkotuan nga një koncert që përgatitën së fundmi me artistë të Shkodrës, por edhe mbështetës të foltores, po e linçojnë prej ditës së parë, duke i përmendur “të mirat e PD”. Siç ndodhi me Luizin e BBV-së, që njerëzit e mediave pranë Berishës i përmendën postet që i ka dhënë partia e doktorit përpara Benet Becit, të cilin ka gjasa që Luizi as e di që kandidon për kryebashkiak.

Po me të njëjtën gjuhë po linçohen të gjithë këngëtarët e VIP-at që përkrahën Erion Veliajn. Të cilin përveç këta personazhe, vijojnë ta mbështesin politikanë e kryebashkiakë nga e gjithë Europa. Ky linçim ka një shkak të qartë, e kjo lidhet me situatën specifike të anës tjetër. Pasi në fushatat e tjera, të dy palët bënin garë kush merrte përkrahje sa më shumë nga VIP-at e spektaklit. Kjo ndodh, sepse foltoren e doktorit e ka pllakosur një vetmi e izolim i madh, falë vendimit të SHBA e Britanisë së Madhe për ta shpallur non grata, por edhe konsumit të madh që si Berisha e si Meta kanë prej aktivitetit të tyre politik. 

E kështu, duke sulmuar njerëzit e famshëm që përkrahin PS-në e kandidatët e saj, synohet të devijohet fushata në taktikën e një gjuhe të egër, e ashtuquajtura shithole, që siç duket do të jetë prezente në 10 ditëshin e fundit të fushatës. E mbas deklaratës së fortë të Gabriel Escobarit, ka shumë gjasa që ky acarim të rritet e linçimi të rrisë temperaturën e përplasjes verbale. Tema

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?