Sali Berisha

Ylli Pata: Shkaqet reale pse ka kaq pak njerëz te rrugica e Salës

20 Janar, 19:19| Përditesimi: 20 Janar, 19:21

  • Share

Të mendosh se anëtarët, mbështetësit dhe votuesit e PD-së për 30 vite, ndryshuan mendim brenda natës për Sali Berishën është naivitet.

Edhe sot, nëse pyetet ky komunitet politik në Shqipëri, nuk ka rëndë, e madje do të qëndrojë edhe për shumë kohë, e ndoshta gjithmonë, mendimi pozitiv i tyre për Sali Berishën.

Madje edhe krerët e PD-së që sot janë kundërshtarë të hapur të Berishës, duke nisur nga Lulzim Basha, siç edhe e kanë thënë xhanëm, kanë mendime përgjithësisht pozitive për doktorin si personazh politik.

Ndërkaq, anëtarët e PS-së, mbështetësit e së majtës e votuesit e saj kanë një mendim tejet negativ. Një pjesë e elektoratit që quhet “gri” nuk kanë mendim poziv, por ndoshta jo të gjithë kanë një mendim negativ.

Berisha si personazh politik, apo edhe si person me lidhjet e konektivitetin e tij nëpërmjet pushtetit që ka pasur, ka krijuar influencën, rrjetin, tarafin, natyrisht edhe armiqtë.

Megjithatë, pyetja që vjen natyrshëm në këto zhvillime të rënda për Sali Berishën është se pse ai është braktisur nga njerëzit që e kanë mbështetur ndër vite?

Nëse shikohet me vëmendje trajektorja e zhvillimeve politike pas rrëzimit të komunizmit, por edhe zhvillimet që provokoi Sali Berisha, gjërat duket se lidhen edhe më qartë.

Influenca e Enver Hoxhës në komunitetin politik e social që ai udhëhoqi për gjysëm shekulli, e natyrisht pasardhësit e tij më pas, nuk ka reshtur asnjëherë. Kjo e shprehur jo vetëm me shprehje nostalgjie apo veneracioni herë pas here, që merr shpesh edhe doza qesharake nëpër festa e apo vaki.

Por me lobimin e influencën reale që klani apo pasardhësit e Enver Hoxhës ka pasur e ka në grupime të politikës, biznesit, apo edhe medias e kulturës. Madje shkruhet shpesh, se zgjedhja e Fatos Nanos në krye të PS-së në vitin 1991, u bë sepse ai përfaqësonte një lidhje me lobin Hoxha. Enveri kishte vdekur natyrisht, por bëhet fjalë për Nexhmien. Me të cilën kishte punuar edhe te Instituti i Studimeve Marksiste Leniniste. E siç u pa më pas, familja Hoxha kishte lidhje të forta edhe me Sali Berishën e mjaft segmente të “antikomunistëve” që morën pushtetin në vitin 1992.

E në këtë aspekt nuk se është vetëm klani i Hoxhës që ka pasur edhe ka influencë nga kupolat apo emrat e vjetër. Edhe i biri i Mbretit Zog, i ndjeri Leka, kur u rikthye në Shqipëri gjeti mjaft pjesë të nostalgjisë të njerëzve që një komunitet në vend kishin për të atin.

Ashtu edhe Ramiz Alia, Mehmet Shehu, apo ndonjë drejtues tjetër politik pak më pak, patën e kanë mjaft influencë edhe me kalimin e viteve.

Por asnjëherë kjo influencë politike nuk u përkthye në një mbështetje politike për të gjithë këta figura. Kur u arrestua Nexhije Hoxha, nuk bënë mitingje as fanatikët e komunistëve të Hysni Milloshit. i cili madje në intervista që jepte për shtypin e kohës, i bënte thirrje të vesë së Enverit që të qëndronte e fortë në burgjet fashiste, siç e quante ai regjimin e rij që drejtonte Sali Berisha.

Njëjtë ndodhi edhe për Ramizin, por siç e kemi parë, ashtu ka ndodhur edhe me Fatos Nanon. i cili në vitin 2005, kur dha dorëheqjen u bëri thirrje socialistëve që të mos pranonin Edi Ramën në krye të partisë. Socialistët, jo vetëm që nuk i dëgjuan fjalën, por edhe pas tij nuk i shkuan as personazhet politike më besnike që kishte pasur kur ishte majë kalit.

Por thuajse të gjithë këta emra e kanë ditur se edhe pse do të kenë lob e influencë, politikisht e kanë humbur davanë. Në fillimin e viteve 90, një frazë e Fatos Nanos e dhënë në një intervistë për Mentor Nazarkon ka mbetur postulat. “Në mjedisin tonë politik dorëheqja është kokëheqje”. Pak a shumë, si shprehja e vjetër që kur bie nga kali, të largohen të gjithë.

I ndjeri Leka Zogu, kur u rikthye në atdhe në vitin 1997, për tu larguar prapë, ra në kurthin e Sali Berishës, e nuk kuptoi fare pse gjeti një mbështetje të madhe në komunitetin politik të së djathtës.

E gjithë kjo mbështetje, nuk ishte apriori si pasardhës i Mbretit, apo pretendues i fronit, por vetëm si një alternativë ndryshe e së djathtës, e që ishte hapur një zhvillim anti-Berishë. Pra komuniteti i opozitës po kërkonte një alterego të doktorit që herët. E në fakt  aty dhe e gjeti, siç është rasti i vitit 1996, kur kryebashkiak në Shkodër u zgjodh Bahri Boriçi. E kuptoi më pas Leka Zogu, kur pas rikthimit së fundit braktisi politikën.

Anëtarët e mbështetësit e PD-së, natyrisht jo të gjithë por disa, ndoshta edhe mund të kenë derdhur lot kur Sali Berisha ka dhënë dorëheqjen publike në vitin 2013 nga të “gjitha funksionet” në PD. Por më pas, kanë marrë frymë të lehtësuar, pasi po shikonin një shans të ri për ta dhe komunitetin e tyre politik.

Më pas siç u pa, Sali Berisha jo vetëm që nuk u “tërhoq nga të gjitha funksionet”, por mbeti tutori e regjizori i opozitës, ndërkohë që në Parlament ishte anchorman-I i saj. Ky pezm i demokratëve me këtë pabesi të Sali Berishës ndaj tyre, është manifestuar herë pas here edhe publikisht, me fjalë nëpër rrjete, media, por mbi të gjitha kjo është parë në votë. Ndërkaq, pas shpalljes Non Grata, e sidomos përjashtimit të Berishës nga grupi parlamentar i PD-së, interesat politike të palëve; pra “popullit opozitar” dhe idhullit të tyre janë ndarë dhe veprojnë kundër njëri-tjetrit.

Ndaj Sali Berisha i shpalli luftë PD-së me moton e tij famëkeqe “Apres moi, le deluge!”(pas meje, qameti), duke e ditur shumë mire se jo vetëm do të çante partinë, por shkatërronte kohezionin e marrëdhënien brenda një organizate, çka politikisht nuk është gjë tjetër veçse akt kamikaze. E këtë e kuptojnë jo vetëm njerëz e personazhe që duan të bëjnë karrierë në opozitë, por edhe pjesa e strutkurave të saj sidomos në bazë, që tregoi dhe e tregon se nuk kanë ndërmjend të “shkojnë në parajsë” duke hedhur veten në erë për doktorin. Duket u pëlqen më shumë purgatori, por pa Berishën./Tema

B.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?