Jamarbër Malltezi

Ylli Pata: Shpërthimi i Malltezit rrëzon epopenë 1-vjeçare të foltores së Berishës

29 Gusht 2022, 18:12| Përditesimi: 29 Gusht 2022, 18:13

  • Share

Shpërthimi i Jamarbër Malltezit(anëtar i grupit të ndëshkuar nga SHBA si Non Grata), ka nxjerrë në pah problemin kardinal brenda opozitës shqiptare. I cili që prej 9 shtatorit të vitit të shkuar, jo vetëm që nuk është zgjidhur, por është majisur më keq, duke e fshehur këtë plagë me plagosje të tjera të kota “brenda familjes”.

Malltezi sulmonte deputetët e PD-së që po hezitojnë të bashkohen me Berishën në një grup parlamentar, duke i anatemuar e tallur me krahasimin që i bënte me disa nga emrat e “opozitës parlamentare” që mbushën vendet e PD-së e LSi-së në Kuvend, pas djegies së mandateve.

Malltezi, rrekej të kërcënonte parlamentarët aktualë, se nëse do të vijojnë të ndjekin politikën e SHBA-së, ata nuk do të marrin vota nga militantët e opozitës. E këtu bënte krahasimin me Rudina Hajdarin që kandidoi për një forcë politike të re në zgjedhjet e 25 prillit 2019, apo edhe me emra të tjerë.

Një logjikë e qartë sipas Malltezit, për të treguar se sot përkrahësit e PD-së nuk janë me Amerikën se ka ndëshkuar doktorin, por kundra saj. Një argument që ka ndjekur si një fill i pashkëputur tërë historinë e përplasjes së Sali Berishës me SHBA që në vitin 2016. E cila shikohet qartë nga egërsia me të cilën sulmohet jo vetëm ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, por edhe zyrtarë të lartë amerikanë që nga Presidenti Biden apo Antony Blinken, në qarqet apo rrjetet pro Berishës. Shikohet gjithashtu në komentet që ky grup bën ditë për ditë në faqet e rrjeteve sociale të ambasadës së SHBA në Tiranë, ku dominojnë sharjet e kërcënimet nga më ordineret, pikërisht duke u nisur nga ndëshkimi që i është bërë Sali Berishës.

Kjo është një linjë, e cila edhe pse hapur fshihet se “nuk ka qëndrim antiamerikan në PD”, duket se e gjithë kjo “ushtri trollsash” mbështetet e frymëzohet nga lart.

Nga ana tjetër, qëndrimi nervoz i Malltezit ndaj deputetëve të PD-së, tregon tashmë rrëzimin e epopesë së foltores, tashmë që maskat kanë rënë dhe Sali Berisha po e drejton personalisht partinë e tij politike, ku nuk se ka forume apo një udhëheqësi kolektive.

Sjellja, gjuha e rëndë e Malltezit ndaj ish-deputetëve të “opozitës parlamentare”, vjen pas një “pajtimi” që Berisha bëri me një numër të konsiderueshëm të këtij grupi, të cilët që në fillim ju bashkuan foltores, dhe janë aktiv në rrjete sociale, apo edhe protestat që ka organizuar Foltorja prej më shumë se një viti.

Rudina Hajdari përshembull, e cila përdoret si një sebep nga dhëndri i Berishës për të sulmuar deputetët e PD-së, jo vetëm që i është bashkuar foltores, por është anëtare e Këshillit Kombëtar të partisë paralele të doktorit. Po ashtu në Këshill Kombëtar është zgjedhur edhe Muslim Murrizi, ndërkohë që Kujtim Gjuzi, Selami Jenisheri etj, janë tashmë përkrahës publikë të partisë së Berishës.

Zgjedhja e tyre tek grupi i Berishës, edhe pse mund të komentohet apo kritikohet, ka një logjikë krejt të thjeshtë politike. Të gjithë këta deputetë kanë pasur kundërshtar më të madh në PD Lulzim Bashën, e atë e kanë sulmuar egër që në fillim, e Berishën jo. Madje edhe kur Sali Berisha u shpall Non Grata prej qeverisë së SHBA-së, ky grup që anatemohet nga Malltezi si “njerëz të ambasadorëve” nuk përkrahën amerikanët, por doktorin.

E kjo përkrahje u bë mjaft më e dukshme, kur Sali Berisha nisi lëvizjen e foltores, të cilën e fshehu si një nismë politike për të bërë ndryshime brenda opozitës, e jo si krijim i një bunkeri politik antiamerikan.

Anatemimi nga familjari i Sali Berishës, i Rudina Hajdarit dhe kolegëve të saj, tregon pikërisht rrëzimin e demagogjisë dhe lëvizjes politike një- vjeçare për të “rthemeluar Partinë Demokratike”. Berishës, sot nuk i nevojitet as Rudina Hajdari, as Muslim Murrizi, por as Kujtim Gjuzi e Selami Jenisheri, të cilët i duheshin për të larguar Lulzim Bashën, pasi betejën aktuale e ka me “grupin 35” të deputetëve që nuk kanë pranuar që të jenë pjesë e lëvizjes së tij.

Krahasimi i “opozitës parlamentare” të 2019-s me 35 deputetët e sotëm të PD-së nga Malltezi është realisht çështja themelore e opozitës shqiptare. Fshehja apo futja e kokës si struci për një vit rresht nuk mund të zgjasë pafund. Ngaqë thelbi i ngërçit të opozitës është ndëshkimi perëndimor i Sali Berishës, e qëndrimi në parti, e akoma më keq drejtimi i partisë nga “Non Grata”, nuk është gjë tjetër veçse një qëndrim anti-amerikan.

Vendimi i qeverisë së SHBA vjet tregoi se brenda opozitës ka një vullnet të qartë për të deberishizuar Partinë Demokratike, si dhe një qëndrim për të mbajtur një politikë të afërt me aleatët strategjikë të Shqipërisë.

Ky qëndrim, natyrisht ka qenë i përfaqësuar nga Lulzim Basha, sot nga regjenca komanduese që drejtohet nga Enkelejd Alibeaj, e nga një pjesë e rëndësishme të deputetëve të PD-së. Natyrisht ka edhe një grup të madh që mendojnë kështu, si në degët e PD-së, strukturat e saj, por edhe në strukturat paralele që ka krijuar Foltorja. Sipas të gjitha gjasave, Rudina Hajdari apo Muslim Murrizi, edhe pse janë kundërshtarë të fortë me grupin e Alibeajt, ata janë në një linjë në lidhje me SHBA dhe ndëshkimin amerikan të Berishës.

Aktivizimi me foltoren, sipas të gjitha gjasave është një aksion politik pragmatik, e jo një shprehje e rreshtimit antiamerikan me doktorin. E këtë siç duket e di mirë Sali Berisha, pasi me rezistencën që po i bëhet nga PD-ja “legale” e cila është edhe aleate e njohur nga SHBA e BE, do të rritet edhe qëndrimi brenda foltores, ku ndoshta edhe ka nisur “gjuetia e spiunëve”. Në fakt kjo u pa që me përplasjen ndërmjet Evi Kokalarit dhe Belind Këlliçit, por anatemimi i rëndë nga Arbër Balltezi, i aleatëve “proamerikanë” të Berishës, e tregon edhe më qartë këtë.

Brenda opozitës, ka dukshëm dy qëndrime: njëri që sulmon egër SHBA dhe zyrtarët e saj dhe e cilëson Sali Berishën si viktimë, dhe një tjetër që përkrah vendimin e SHBA, edhe pse nuk i pëlqen ndëshkimi i liderit të tyre historik.

Çështjet e tjera që u përdorën për një vit si “statuti, rithemelimi, demokracia e brendshme” etj ishin kështjella rëre që shërbyen vetëm si pozicione luftimi të palëve në oborrin e selisë blu. Vetëm përballja me këtë çështje do të prodhojë politikë reale brenda kësaj opozite.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?