Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, shpalli sot propozimin zyrtar të partisë së tij për reformën zgjedhore. Thelbi i kësaj pakete është ndryshimi total i mënyrës së zgjedhjes së Parlamentit të ri.
Ajo presupozon që Shqipëria të jetë një zonë elektorale, ku sa vota merr një parti në rang kombëtar, aq deputetë do të ketë në ndarjen e përqindjes në Parlament.
Favori i këtij sistemi është se llogaritja e votave është më e thjeshtë, e fitorja apo humbja mësohen më kollaj në bazë të numrit të votave në rang republike.
Megjithatë, edhe pse një sistem i thjeshtë e në dukje demokratik, sistemi proporcional kombëtar ka defektet e problemet e veta.
Sipas të gjitha gjasave, nëse miratohet ky sistem, do të vendoset një prim, apo kufi për të hyrë në Parlament, pasi këtë e ka çdo sistem proporcional. Sistemi kombëtar, përgjithësisht e ka kufirin e lartë, pasi ndryshe nuk sigurohet arritja e një mazhorancë të qëndrueshme për atë forcë apo koalicion që ka fituar shumicën absolute të votave në rang kombëtar.
Ndërkaq, përveç kësaj problem kryesor i proporcionalit kombëtar, bën që të zhduket thuajse fare misioni i deputetit si përfaqësues i zgjedhësve në territor.
Kandidatët për deputetë në një listë kombëtare vendosen në listë të thjeshtë, e sipas renditjes zgjidhen deputetët në bazë të numrit të deputetëve që i takojnë një partie të caktuar.
Në këtë rast, partitokracia apo pushteti i kryetarit bëhet edhe më i madh, pasi do të jetë sërish kreu i partisë që do të miratojë listat, por edhe renditjen. E në fund, nuk dihet sa përfaqësues kanë në Kuvend bashkitë apo 12 qarqet e vendit, duke e bërë më të papërfaqësuar realitetin politik, por edhe social politik që ndodh në territor.
Izraeli është një nga vendet e pakta në botë që përdorin systemin proporcional kombëtar. Në Knesset-in izraelit me 120 anëtarë, deputetët zgjidhen sipas përqindjes që partitë votohen në rrafsh kombëtar. Për të hyrë në Parlamentin e Izraelit, ekziston një kufi i vogël prej 3.25%. Kjo ka sjellë që fragmentarizimi politik në vend të jetë shumë i madh, pavarësisht se kush e quan pluralizëm, e kush një sistem kaotik.
Si pasojë e këtij sistemi, qeverisjet apo shumicat qeveritare krijohen nëpërmjet koalicioneve, të cilat janë shpesh të brishta e kanë prodhuar një instabilitet të gjatë politik. Me rënien e fuqisë politike të dy partive të mëdha në Izrael, Laburistët laikë dhe LIKUD-I i djathtë laiko religjoz, sot politika izraelite është një univers i gjjerë partish të vogla, të cilat kanë arritur të jenë një çelës i rëndësishëm për qeverisjet në vend.
Aktualisht në Izrael, qeveria e Benjamin Netanjahut, është e varur shumë nga një grup partish të vogla të ekstremit të djathtë të natyrës religjoze, të cilat kanë krijuar mjaft kushtëzime në lidhje me vendosjen e kolonëve në Bregun Perëndimor të lumit Jordan. Ç’ka krijoi tensione e përplasje, që para sulmit të terrorist të 7 tetorit të shkuar nga Hamas.
Prej kohësh në Izrael kërkohet një reformimim i sistemit politik, për t’i dhënë peshë më shumë votës së shumicës absolute, ç’ka është një parim i rëndësishëm kushtetues universal.
Shqipëria prej vitit 2008 ka në përdorim një sistem proporcional rajonal, që është i ngjashëm me atë spanjoll. Në Europë, Greqia dhe Gjermania janë dy shtete që përdorin prej shumë vitesh sistemet proporcionale të votimit.
Por si Gjermania apo edhe Greqia, nuk kanë një Parlament që del nga llogaritja e përgjithshme e votave, pasi janë zonat zgjedhore të ndara sipas një përllogaritje të territorit dhe diversitetit.
Sistemi gjerman, është mjaft tërheqës, pasi ka listat e hapura proporcionale, ku janë shumë të rëndësishme votat që merr kandidati në zonën e tij zgjedhore, por edhe nga vota që partia e tij ka marrë në rang kombëtar.
Megjithatë, secili vend ka specifikat e tij, e në radhë të parë, sistemet janë provuar prej kohësh, por edhe përmirësuar e kolauduar me kalimin e viteve.
Shqipëria për 30 vjet ka kryer eksperimente radikale të sistemit zgjedhor, duke mos krijuar një traditë të qartë elektorale, e cila do të kishte provuar veten në vite.
Në vitin 1991, Parlamenti i Shqipërisë përbëhej nga 250 deputetë. Deputeti zgjidhej nëse në zonën e tij elektorale merrte 50+1 përqind të votave. Nëse asnjëri nuk arrinte këtë kuotë, në raundin e dytë garonin dy kandidatët e parë dhe fitonte ai që merrte qoftë edhe një votë më shumë. Në vitin 1992, 100 deputetë u zgjodhën direkt me dy raunde, kurse 40 deputetë zgjidheshin në mënyrë proporcionale nga vota e llogaritur në rang kombëtar. Njëjtë u bë edhe në vitin 1996, 1997 dhe 2001.
Në vitin 2003 u ndryshua modeli, duke hequr balotazhin e kështu deputet zgjidhej ai kandidat që merrte qoftë një votë më tepër. Kjo mënyrë u shtri edhe në zgjedhjet për kryetarët e bashkive dhe komunave.
Në vitin 2008, u hoq sistemi mazhoritar dhe u vendos sistemi proporcional rajonal me 12 qarqe. Sistem që është përdorur në zgjedhjet e 2009, 2013, 2017 dhe 2021. Pra ky është sistemi që është përdorur më gjatë./ Gazeta Tema