Alibeaj në çeljen e fushatës së 14 majit

Ylli Pata: 'Ushtria' e 25 mijë demokratëve anti-Berisha

27 Korrik 2023, 15:47| Përditesimi: 27 Korrik 2023, 15:49

  • Share

Shifrat e paraqitura nga Jemin Gjana dy ditë më parë të 25 mijë anëtarëve të Partisë Demokratike, kanë ardhur nga strukturat e partisë në territor. Të cilët janë mbledhur nga kryetarët e degëve, pas një vlerësimi që ata kanë bërë në çdo strukturë, vlerësim që ka ardhur në një periudhë tronditje për opozitën në përgjithësi, por edhe Partinë Demokratike në veçanti.

Partia Demokratike, në variantin klasik 30 vjeçar, ndryshe nga rivalja e saj e përjetshme Partia Socialiste nuk ka qenë një forcë politike territori, ku anëtarët merreshin me votuesit në bazë rruge apo lagjeje, por një parti elektorale klasike perëndimore. Që do të thotë se strukturat nuk ishin prezente në territory përveç kohës së fushatës, ku dinin se ku synonin të merrnin vota e ku jetonte baseni zgjedhor i së djathtës.

Basen i cili ka qenë homogjen edhe në ditët e vështira të së djathtës shqiptare, si për shembull 1997 apo edhe 2013. Ky komunitet politik që është baza e asaj mase të madhe që solli PD-në në pishtet më 22 mars 1992, nuk është homogjen. Brenda ka një larushi grupimesh, interesi apo kulture, krahinore apo edhe shtresash sociale. Por kanë një të përbashkët që ka mundësuar votën e tyre pa kusht për PD-në; kundërshtia ndaj Partisë Socialiste, socialistëve, të majtës dhe nuancave të saj.

Ky është një komunitet tipik konservatoro-djathtist, siç e ka gjithë Perëndimi, natyrisht me diferencat e veta kulturore. Që në vitin 1992, votuesit e së djathtës në Shqipëri nuk kanë qenë të kënaqur me mënyrën sesi PD qeverisi; për pronat, ekonominë, shtetin, por edhe konservimin e vlerave kombëtare.

Kanë kundërshtuar në heshtje por edhe fort, megjithatë në fund kanë votuar duke mbajtur hundët, me logjikën se të paktën kemi votën që të mos lejojmë komunistët të vijnë në pushtet. Pasi kjo ndjesi ishte një liri e fituar pas persekutimit e vuajtjeve të gjenratave të tëra nga diktatura.

Por, edhe pse kanë votuar për PD, komuniteti i djathtë shqiptarë, në periudha kyçe ka bërë atë që quhet kapërcime pindarike për interesa të rëndësishme të vendit. Rasti më i parë ishte referendumi për Kushtetutën më 6 nëntor 1994. Kur ajka e antikomunistëve dhe të djathtës shqiotare refuzoi monarkinë tribalo-ligjore të Sali Berishës, duke vënë një gur të madh themeli në shtetin modern shqiptar. Njëjtë më tetor 1996, kur të djathtët e Shkodrës i dhanë një tjetër shuplakë PD-së, duke çarë pushtetin absolut në kulmin e fuqisë. Megjithatë, shumë nga ky komunitet, për arsye sentimentale, politike, apo edhe interesash të momentit, pasi politika kështu duhet të jetë pjesë interesash, ka votuar për PD-në e Sali Berishës, duke i siguruar mbijetesën në vitin 1997, duke e sjellë në pushtet në vitin 2005, duke i dhënë mandatin e dytë në 2009, duke mos e shkërmoqur në 2013, e natyrisht në këtë sens futet edhe vota e 2021-shit.

Ku PD mori një votë kompakte, të rëndësishme prej gati 600 mijë votash. Në vitin 2021 erdhi një kohë kur atë që s’e bënë demokratët, votuesit e PD-së, të cilët kanë votuar vazhdimisht për atë parti edhe pse nuk e deshtën kurrë Sali Berishën, e bëri Amerika. Një nga forcat apo faktorët, madje më i madhi, që e krijuan dhe e sollën në pushtet Partinë Demokratike në 1992.

Non Grata e Sali Berishës, ka prodhuar një proces politik në hapësirën e djathtë shqiptare. Sikur tek ne të kishte një shoqëri të hapur, media të lirë, ai process do të zhvillohej normal, se bashku me diskutimet, zgjedhjet, votimet e në fund, krijimin e një force apo federatë forcash politike të djathta shqiptare. Ndryshe nga e majta, e djathta në vend nuk është unike, ka shumë ndjesi e shpirtra-politikisht bëhet fjala. Që nga ballistët e legalistët, pra e djathta tradicionale e deri tek gjithçfarë grupesh të tjera më bashkohore e fleksibile politikisht.

Në këtë komunitet politik, PD ka regjistruar e çregjistruar në mënyrë kaotike anëtarësinë e saj. PD nuk ka pasur regjistra e tesera burokrate me vulë e firmë siç e ka PS. Ato janë ndarë sipas sezoneve zgjedhore nga drejtuesit vendorë në territor, ku partia ka funksionuar si autobuz urban, ku njëri hipën e zbret sipas stacionit të interesit.

Ndryshe nga PS, ku ka një logjikë më konservatore të anëtarësisë, ku vepron edhe trashëgimia familjare madje në vijimësinë e militancës brenda së majtës. Në PS, baza e anëtarësisë nuk ka lëvizur, edhe pse firzamonika e teserimit herë është rritur e herë rrudhur.

Mbi 50 mijë anëtarë PS nuk i ka luajtur kurrë. Numrat kanë nisur të tronditen kur natyra ka marrë ata që kanë vdekur. Zëvendësimi i socialistëve të paepur që për 30 vjet jo thjesht kanë votuar por kanë bërë rikonjicion në territory është një problem i madh për PS. Kur kjo parti të shkojë në opozitë do të ketë sprovën reale e ndjekjes së territorit apo patronazhistëve.

Sali Berisha, i cili e ka drejtuar me dorë të hekurt PD për 30 vjet, e di më mirë se të gjithë se ku janë basenet e tij besnike, ku janë zonat që s’duan ta shikojnë me sy, por që e kanë mbështetur për pragmatizëm. Ndaj kur u shpall Non Grata, ai vendosi që të polarizojë polin e së djathtës, për të bërë të mundur që radikalët të bëhen ithtarë të frikshëm pro tij, e të tjerët, ata që nuk e duan, të vijnë sipas avazit.

Por si gjithmonë ka një kohë për një zhvillim epokal, edhe në PD ndodhi ajo që nuk mendohej. Kur poli anti-berishjan që përbëhej kryesisht nga ish-të përndjekurit e regjimit komunist, familjet e vjetra të se djathtës e të gjithë ata që kishin luftuar me Berishën për 30 vjet, vendosën të zgjedhin. Me Perëndimin, kundër Berishës, pasi këtë ua kërkoi SHBA, pasi e shpalli Non Grata. SHBA është aksionere dhe themeluese e PD me gjasë më shumë se vetë Sali Berisha. Pasi edhe Sali Berishën, ishte SHBA që e pompoi dhe mbështeti. Madje më shumë se çdo lider tjetër shqiptar.

Ky komunitet pra, antiberishjanët e PD jo vetëm bënë një zgjedhje politike, por vendosën të përballen me Sali Berishën dhe rrjetin e tij të fuqishëm të superstrukturës politike, mediatike, të nëntokës etj etj, duke shënuar kështu një zhvillim politik.

Që nga 2021 e deri më sot, për politikë në Shqipëri nuk ësshtë folur fare për PS dhe socialistët, por vetëm për opozitën shqiptare. Ka pasur natyrisht më shumë debate e diskutime shterpë, por në fund kemi dy palë që u përballën politikisht më 14 maj. Njëra mbijetoi, e tjetra u rrëzua. Ajo që mbijetoi ishte palca antiberishjane e PD-së që siguroi 100 mijë vota edhe pa vendosur kandidatë. E nëse 25 mijë anëtarëve që përmendi Gjana i shton të paktën 4 vota, që është mesatarja për çdo person veprimtar partie, i bie fiks 100 mijë vota.

Për herë të parë 25 mijë anëtarët e PD-së kanë një identitet politik. Është fakt, se për 2 vjet, ky komunitet anëtarëësh kanë pasur vetëm një aleat në këtë rrugë; Lulzim Bashën. i cili pasi përjashtoi Sali Berishën nga grupi, ju drejtua palcës antiberishjane. Edhe kur u largua nga kryetari, Basha është takuar, ka mbajtur kontakte dhe ka një rrjet të ngjizur me këtë ushtri politike në vend. A është Lulzim Basha lideri i duhur dhe i parë i një PD antiberishë? Për këtë ka shumë dyshime pasi Basha ka qenë delfini i Sali Berishës, por nga ana tjetër është edhe lideri i fundit antiberishjan i Partisë Demokratike. Madje aktin që ka kryer Basha në shtatorin e 2021-shit, nuk e ka bërë askush deri më sot.

Natyrisht që brenda kësaj armate 25 mijë anëtarëshe ka shumë që nuk e urrejnë Sali Berishën. Por si shumë anëtarë të PPSH që nuk e urrenin Enver Hoxhën por e braktisën atë në 1991, edhe shumë prej këtyre demokratëve, në aspektin historik, logjik e në diskutime kafenesh, nuk e kanë problem të thonë se Berisha ka bërë mjaft të mira në qeverisje. Ata nuk mendojnë si socialistët e thekur që te Berishës i thonë qoftlargu dhe e barazojnë me Verzevulin. Por politikisht këta demokratë nuk duan të kenë punë as me Berishën as me familjen e tij në PD. Ata, pra demokratët e konsiderojnë këtë parti si të tyren, e jo të Berishës e klanit të tij. E këtë certefikatë “pronësie” ua ka dhënë atyre “kadastra” më e fuqishme në planet: qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E cila ka të gjitha shenjat e vulat e PD-së përpara Berishës, e familjes së tij që sot e përjetë janë “të padëshëshueshëm”./TemA

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?