Hetimi i zyrtarëve dhe ish- zyrtarëve të lartë, pra elitës politike nuk është fare lajm në vendet perëndimore. Madje është një rutinë proceduriale. Siç kemi parë në Francë, Itali, SHBA, Britaninë e Madhe e shumë vende të ndryshme, njerëz me pushtet hetohen përgjithësisht e kjo nuk është dramë.
Natyrisht varet nga pesha e hetimit kur përgjigjet politika me një zhvillim simbolik të fortë, që mund të jetë dorëheqje apo përballje. Gjithsesi ne kemi parë që janë hetuar heronj kombëtar si VViston Churçill, Charles de Gaulle, Andreoti, La Malfa, Craxi, Berlusconi, Helmut Kohl etj etj.
Të jesh zyrtar i lartë në perëndim, është një aksiomë që do të hetohesh për abuzim me detyrën siç është teorema e Pitagorës. Thelbi në këtë rast është në reagimin që bën politika, sidomos kur është në pushtet.
Nëse qeveria i pengon hetimet, atëherë sistemi nuk është demokratik, nëse reflekton nis debate sa edhe si ka reflektuar, e gjithsesi është brenda rregullave të lojës. Sot informacioni ka qenë se SPAK ka nisur një hetim mbi pasurinë e Sali Berishës dhe Ilir Metës, të cilët kanë qenë drejtues të rëndësishëm për 30 vitet e tranzicionit.
Dy protagonistët, e refuzojnë organin hetimor pra SPAK, pasi nuk e kanë dashur ngritjen e tij, por në thelb ky hetim nuk është kundër tyre por pro madje shumë pro. Sali Berisha dhe familja e tij që jetojnë në apartamente luksoze dhe pushojnë në një vilë në Lalëz e Ilir Meta gjithashtu, nga ky hetim, mund të nxjerrin atë që kanë thënë ndër vite; se këto pasuri i kanë nxjerrë nga rrogat e pronat e baballarëve të tyre por edhe të grave.
Natyrisht që ka ardhur koha e një ballafaqimi. Pandëshkueshmëria që flet SHBA vazhdimisht nuk është jakobinizëm, është thjesht ballafaqim. Kundërshtimi i deri më sotëm i hetimit ka konsistuar në atë që nuk hetohemi ne pa u hetuar Edi Rama. Ky në fakt është një absurd i madh, pasi një opozitë që pret të vijë në pushtet kartën morale e ka pikërisht duke e nisur hetimin nga vetja, e nëse nuk hetohet kundërshtari pikët i vijnë asaj.
Por në këtë rast si Berisha e si Meta, nuk hetohen si opozitë, por si pjesë e kastës politike që zotëron disa asete të rëndësishme monetare. E këtu jemi në thelbin e fabulës, që konsiderohet si më e rëndësishmja në vend. Si i bënë paratë për këto pasuri që zotërojnë? Dikush duket t’i përgjigjet, e SPAK është pikërisht organi më kompetent.
Në këtë rast natyrisht që do të ketë hetime, akuzë e gjyq, por sjellja e palës së akuzuar do të jetë gur prove për atë sesi e konsiderojnë realisht luftën ndaj korrupsionit e pandëshkueshmërisë. Se mund të kenë të drejtë Berisha e Meta, se atë pasuri e kanë të ligjshme, por publiku ka më shumë se dyshime. Kjo duhet ndarë. E këtë e bën vetëm SPAK!
te verifikohen te gjithe,,,nga i pari tek i fundit,,,,nga te dy krahet,,,..
Përgjigju