Kush e merr trofeun e “njeriut të vitit” për 2022-shin në mbulimin mediatik në Shqipëri? Ne nuk kemi një traditë të konsoliduar siç kanë media të zhvilluara botërore, që e kanë krijuar institucion caktimin e njeriut më të rëndësishëm për vitin. Top Channel ka pasur prej vitesh një sondazh, ku dhe ka shpallur njeriun e vitit, por ai sondazh nuk se ka arritur të ketë impaktin e pranueshmërisë publike.
Megjithatë ka një tregues nga ku mund të nxjerrësh një rezultante, bazuar nga zhvillimet më të rëndësishmë të vitit. Nëse Shqipëria do të kishte media realisht serioze të nivelit të rajonit apo Europës, do të kishim më shumë mundësi për të sjellë personazhet që vërtetë kanë ndikuar në jetën e vendit. Shkëncëtarë, shkrimtarë, ekonomistë, sipërmarrës e politikanë, që kanë qenë protagonist për vitin.
Qoftë edhe nxënës apo student ekselentë që kanë shkëlqyer me arritjet e tyre akademike. Por askush nuk i di këto. Pasi në media, në prime time për të gjithë vitin, njerëzit më të lakuar kanë qenë: Vis Martini, rusja Svetlana Timofeeva që tentoi të hyjë në Uzinën e Gramshit, apo edhe hakerat iranianë që futën në tilt të gjithë sistemin onlinë të administratës.
Janë realisht personazhet më të kuotuar, edhe pse aktiviteti i tyre nuk ka dhënë e nuk jep asnjë pasoojë në jetën e njerëzve.
Nëse do të analizonim politikisht 2022-shin, personazhi i vitit duhet të shpallet Lulzim Basha. i cili pas largimit të Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD-së në shtatorin e vitit 2021, përballoi sulmin alla mesjetar të 8 janarit në selinë e PD-së, e më pas dha dorëheqjen për arsye politike më 14 mars të këtij viti.
Që është një zhvillim i rëndësishëm politik. Nga ana shkencore dhe letrare, Shqipëria ka pasur mjaft risi por nuk se media i jep peshën që duhet. Pasi përveç paneleve politike, emisionet apo spektakleve, nuk se është promovuar një personazh që ka ndikuar në jetën e shqiptarëve.
Të vetmit që kanë qenë më të kuotuarit ishin persona që ishin pjesë e kontigjentit policor. Të cilët, në një vend normal do të merrnin vëmendjen e kronikës së zezë por jo të prime time-s.
Por tek ne për gjithë këtë vit, yjet e vitit, madje më shumë se vipat e Big Brother janë Vis Martini, legjenda e tij është kthyer në një novelë kriminale, apo Svetlana Timofeeva, një ruse që akuzohet si spiune e Moskës që do të futej në bazën e Gramshit.
E në fakt për Martinajn po përvijohet një narracion politik, që sipas treguesve ai është njeriu i vërtetë anti-Rama në këtë vend. Në po të njëjtën peshë po tregohet edhe për Lanën e Gramshit, e cila gjithashtu ka vëmendjen e madhe publike.
Në logjikë të thjeshtë, këto zhvillime duhet të merrnin vetëm peshën e lajmit që përcjellnin si protagonist, por pse po na i sjellin si kryepjatë të fundvidit, në mungesë të çmimeve formale?
Kjo ndodh jo se nuk kemi njerëz që frymëzojnë, po siç ka ndodhur këto vite, po serviren “Babale” për të trazuar apo manipuluar zhvillimet në vend.