Sali Berisha dhe Ilir Meta

Ylli Pata: Zgjedhjet që nxorën jashtë loje 'dyshen legjendare'

22 Prill, 20:00| Përditesimi: 22 Prill, 20:17

  • Share

Jemi thuajse tre vjet nga zgjedhjet e 25 prillit 2021. Një termin politik jo thjesht i rëndësishëm, por krucial i politikës shqiptare.

Në gjithë këtë kohë, analiza apo diskutimi mbi atë takim elektoral vendimtar ka qenë përgjithësisht sipërfaqësore.

Kundërshtarët e mazhorancës aktuale vijojnë që t’i qëndrojnë idesë se PS ka marrë 4-5 mandate me marifete apo siç e quajnë “inxhinieri elektorale”, duke renditur një sërë argumentesh në këtë lëmi.

Mirë do të ishte që për këtë të diskutohet realisht, e me një përballje përmbajtësore, për të ardhur realisht në një mendim të pjekur, që më pas qytetarët të kuptojnë se për çfarë bëhet fjalë.

Megjithatë, sado që të ketë diskutime të tilla, që edhe mund të qëndrojnë, gjithçka qëndron tek numri i votave. Për të mundur një mazhorancë politike, duhet të kesh një numër më të madh votash se kundërshtarët.

Ka pasur vetëm një rast në historinë politike të Shqipërisë kur një mazhorancë ka ardhur në pushtet me një numër thuajse të barabartë të votave në rang kombëtar. Ishte viti 2005, kur Sali Berisha u rikthye në pushtet. Por, duhet thënë se Sali Berisha kishte marrë një numër deputetësh në mazhoritar më të madh se Partia Socialiste, çka edhe relativisht e vendoste atë të parin në listë për të ndërtuar një mazhorancë të re, të cilën e bëri.

Megjithatë, le të kthehemi te 2021-shi. Qoftë Sali Berisha, qoftë Ilir Meta, kishin sondazhet nga më të saktat përpara zgjedhjeve se si paraqitej gjendja. Madje, siç tha Blendi Fevziu, Klan kishte pajtuar kompaninë më të kuotuar të momentit, grupin “Trafalgar”, e cila u bë e famshme pasi në vitin 2016 ishte e vetmja që parashikoi që në fillim fitoren e Donald Trump-it përballë Hillary Clinton.

Siç bëri të ditur Aleksandër Frangaj pas zgjedhjeve të 25 prillit, sondazhi i Trafalgar jepte në mënyrë të saktë rezultatin që më pas doli nga kutitë. Por siç tha Frangaj, ata vendosin që të mos e botonin. Ky sondazh, ishte mjaft ndryshe nga sondazhet e tjera kryesisht nga kompani italiane që jepnin televizionet shqiptare, të cilat edhe pse në vija të trasha jepnin fitoren e PS-së, mbanin një rezultat më të lartë të LSI-së.

Por amerikanët e Trafalgar ishin të suksesshëm, sepse në metodologjinë e tyre shkonin më në detaj e thellësi. Pra analizonin edhe një perceptim të vështirë, siç është ai për partitë e nivelit të tretë apo të katërt. Vota për të cilët nuk është tradicionale apo e grupuar, por hyn në anale të tjera që siç dihet lëviz nga zgjedhja në zgjedhje.

Vetë LSI mësohet se kishte shërbimin e një tjetër emri të madh sondazhi por me të drejtë nuk e bëri publike sepse e kishte për përdorim të brendshëm.

Në shtylla kryesore të gjithë e dinin se si do të vinin gjërat. Që nuk do të arrinin të mundnin mazhorancën me numër votash, por përpjekja ishte që të rrisin sa më shumë pjesëmarrjen e mbështetësve për të bërë të pamundur, apo sa më shumë të pamundur, qeverisjen e një mazhorance të vetme të Partisë Socialiste.

Rezultati që doli nga kutitë e votimit ishte mjaft i qartë: PS dhe aleati i saj PSD morën 71 mijë vota më shumë se PD dhe LSI së bashku me aleatët, që në fund janë fiks 7 deputetë më shumë.

Ndërkaq, në Tiranë, diferenca e PS dhe PSD me PD e LSI ishin 16 mijë vota, që është realisht edhe numri i ndarjes së deputetëve në rang qarku.

25 prilli ishte një përballje shumë e qartë. Edi Rama hyri në zgjedhje për të marrë mandatin e tretë qeverisës, dhe PD e LSI hynë për të mos e lejuar këtë. Nga viti 1990, asnjë forcë politike nuk kishte marrë më parë mandatin e tretë rresht për të qeverisur, madje edhe në vende europiane ky fakt është gjë e rrallë.

Por në fund, PS ka dalë qartësisht, forcë e parë me diferencë të theksuar. PD dhe aleatët e saj të djahtë që garuan së bashku morën një numër më të madh votash se në 2017-n, duke kthyer në shtëpi votat që 4 vjet më parë shkuan për Ilir Metën.

LSI mori 107 mijë e 500 vota, që përbënte rezultatin më të ulët që nga viti 2009. Një rezultat që natyrisht nuk ishte shterues, por tregues i një rrjedhje domethënëse nga viti 2017, ku Ilir Meta, edhe pse hyri si “opozitar” ndaj Edi Ramës, por me ministrat e tij në qeveri e vetë President i Republikës mori rreth 250 mijë vota. Thelbësisht ishin zgjedhjet e para të kësaj force politike në opozitë.

Ndërkaq, logjika e përgjithshme e fushatës së zgjedhjeve ishte e tillë. Lulzim Basha, me Sali Berishën dhe Ilir Metën në aleancë kërkonin të rrëzonin Edi Ramës, duke e konsideruar si të keqe dhe të korruptuar.

Edi Rama nga ana tjetër bëri fushatë se nëse votoni Lul Bashën, merrni Sali Berishën dhe Ilir Metën.

Pra në thelb kjo ishte fabula: e në fund shqiptarët, nuk e sollën Lulzim Bashën në qeverisje, sepse i frikësoheshin Berishës dhe Metës. Por e fuqizuan me një votë të rëndësoshme opozitare, për të nisur ndërtimin e një alternative me “dyshen legjendare”.

E cila ishte realisht humbësja reale e 25 prillit 2021, por mbështetësit e saj synuan menjëherë të kryqëzojnë Lulzim Bashën. i cili de jure ishte realisht ai që i humbi, por de fakto nuk ishte lideri real, e kjo u pa qartë menjëherë pas 25 prillit. i cili si pasojë tjetër kishte edhe zbulimin e një maske të rremë të opozitës, e cila nuk kishte një port re koka, ku ajo e Bashës peshonte shumë më pak…/Tema

B.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?