Opinion

Yuri Kim-Sali Berisha, 6 muaj përplasje

15 Nëntor 2021, 09:19| Përditesimi: 15 Nëntor 2021, 09:25

  • Share

Nuk ka ndodhur asnjëherë që një politikan shqiptar të ketë patur një përplasje kaq të fortë, kaq direkte dhe kaq me pasoja, sa ka patur dhe ka Sali Berisha me ambasadoren e SHBA në Tiranë, Yuri Kim. E quanim dikur të fortë përplasjen po të Sali Berishës me ambasadoren Marisa Lino kur i iu drejtua në një pritje pas ngjarjeve të rënda të 14 shtatorit 1998: “Zonja Lino, ju jeni e njëanshme”! Por kjo deklaratë ngjan pupël në krahasim me përplasjen me ambasadoren aktuale Yuri Kim. Një përplasje që është shndërruar në temën kryesore të politikës që kondicionon madje edhe zhvillimet në politikën shqiptare, veçanërisht në Partinë Demokratike.

Në fakt gjithçka erdhi pas vendimit të Sekretarit të Shtetit, Anthony Blinken, më 19 maj 2021 për shpalljen non grata ndaj Sali Berishës. Berisha jo vetëm që reagoi duke paditur për shpifje në gjykatën e Parisit Blinken, por arriti të lëshojë një bateri sulmesh ndaj ambasadores Kim. Janë të shumta rastet që nga ky vendim që diplomatja amerikane ka vijuar po në këtë linjë duke hedhur deklarata të forta ndaj Berishës. Shprehje si “PD do hajë bar nëse nuk përjashton Berishën”, “PD të zgjedhë të ardhmen në vend të së kaluarës”, apo “SHBA ndërpret marrëdhëniet me PD nëse kryetar i saj do jetë Berisha”, janë të barasvlefshme me një knock out ndaj Berishës. Por nisja e akisonit politik “Foltorja” e ngrohën atë për nga pjesmarrja dhe mbështetja që mori.

Dhe reagimet e Berishës nga aty kanë qenë në gjuhë të ashpër. Shprehjet e dala nga goja e tij: “Barin t’ia japë Edi Ramës”, “Kim le të pijë kafe në livadhet e qeverisë”, “Ambasadorja sillet si guvernatore”, kanë sjellë vërtetë një raport të nderë dhe ekstrem mes Sali Berishës dhe linjës zyrtare të SHBA. Po publikojmë në mënyrë të përmbledhur 10 deklakaratat të bëra publike që nga 19 maji kur Berisha u shpall non grata deri më sot nga ana e ambasadores Kim ndaj Sali Berishës dhe të Berishës ndaj Kim për të kuptuar se si kanë evoluar përplasja mes tyre. Janë gjashtë muaj të një beteje që kanë ndarë shumë njerëz në dy grupe: Një pjesë që janë të bindur që SHBA ka të drejtë dhe Berisha do dalë nga skena politike me damkën antiamerikane dhe një pjesë që mendojnë se Berisha jo vetëm ka të drejtë por do vijë një ditë që SHBA do tërhiqet nga sulmet ndaj tij. Kush do fitojë? Në këto 31 vjet rregulli ka qenë që asnjë politikan shqiptar nuk ka fituar ndonjë betejë me SHBA dhe se asnjë politikan nuk ka ardhur në pushtet pas mbështetjen e SHBA. Këtë madje e di mirë edhe vetë Berisha. Nuk është i largët viti 2005 kur PD u kthye në pushtet sigurisht me bekimin e SHBA. Për një pjesë të këtyre deklaratave komentet janë të pavlera.


10 DEKLARATAT MË TË FORTA TË AMBASADORES YURI KIM NDAJ SALI BERISHËS

21 MAJ 2021

“Shqipëria po ndryshon. Shqipëria është anëtare e NATO-s, është aleate e SHBA-ve, shteti ligjor duhet të prevalojë, askush nuk mund të jetë mbi ligjin, kështu që ditët e pandëshkueshmërisë duhet të marrin fund. Ky është një projekt që ne së bashku mund ta bëjmë, kështu që le të vazhdojmë përpara”.

30 KORRIK 2021

“Partia Demokratike ka luajtur një rol të pazëvndësueshëm për ta nxjerrë këtë vend nga komunizmi, për ta çliruar nga diktatura. Do të ishte ironi historike, por edhe tragjedi për këtë vend, jo vetëm për partinë, që partia të hajë bar për shkak të interesave personale të një njeriu”.

30 KORRIK 2021

“Është e rëndësishme që PD t’i mendojë mirë këto çështje. Ne shpresojmë që partitë të lëvizin përpara, që ky shtet të lëvizë përpara, që bashkëpunimi mes SHBA-së dhe Shqipërisë të lëvizë përpara. E ardhmja po pret, të zgjedhin të ardhmen në vend të së kaluarës”.

16 SHTATOR 2021

“Do të thoja që këto histori konspiracioni janë të pavend për një vend aleat në NATO dhe aspirant për në BE. Ditët e teorive të konspiracionit duhet t’i përkasin të shkuarës. Tani, e gjitha ka të bëjë me faktet. Dhe do t’ju them që procesi për përcaktimin e individëve, sidomos individëve të rëndësishëm, është një proces shumë i gjatë dhe shumë tërësor. Dhe, në kohën kur një vendim shkon përpara Sekretarit të Shtetit, pra që të nënshkruhet nga Sekretari i Shtetit, ai ka kaluar nëpër shumë e shumë nivele shqyrtimi. Mendoj se është e drejtë të thuhet që në shumicën e rasteve, në të gjitha rastet, dhe nuk flas vetëm për Shqipërinë, po flas për të gjithë botën, në momentin kur dikush përcaktohet nga Sekretari i Shtetit për korrupsion domethënës, zakonisht është shumë e dukshme. Dhe mendoj se ata që thonë se janë të habitur, me gjasë nuk po tregohen fort të sinqertë”.

16 SHTATOR 2021

“30 vjet që kur Shqipëria u çlirua nga diktatura komuniste. 30 vjet tranzicion. Koha për të zgjedhur përsëri: Ndryshim apo ngecje? Luftoni për brezin e ardhshëm apo mbroni fantazmat? E ardhmja apo e shkuara? Le të shikojmë në të ardhmen. SHBA dhe Shqipëria do ta bëjnë këtë së bashku”.

24 SHTATOR 2021

“Gjithashtu kam parë raporte shqetësuese ajo që ka ndodhur për përcaktimin e korrupsionit në Shqipëri. Është e gabuar edhe është ofenduese. Atyre të cilët po synojnë që të vendosin SHBA kundër shqiptarëve do të bëjmë që ta mendojnë se e kanë gabim. Pozita jonë për pavarësinë në Shqipëri nuk ndryshon edhe sa iu përket PD nuk ka për të ndryshuar”.

24 SHTATOR 2021

“I thashë Bashës që Ëashingtoni mbetet i angazhuar për të bashkëpunuar me PD. Demokracia definohet nga të pasurit e një partie opozitare të fortë dhe që lulëzon. E dimë që është një pozitë e vështirë për PD, është proces tranzicioni por shpresojmë që të dalë më e fortë dhe më e bashkuar. Dhe kur të rikthehet PD-ja në pushtet duhet të jemi shumë seriozë ndaj korrupsionit, kundër pandëshkueshmërisë. Do ta luftojmë këtë problem, pavarësisht rangut dhe partisë”.

21 SHTATOR 2021

“Ndodhem në Ëashington për të koordinuar hapat e mëtejshëm në marrëdhëniet Shqipëri-SHBA. Theksoi se ne jemi të serioz për korrupsionin përfshirë edhe shpalljen non grata nën seksioni 7031(c), ndërsa mbështesim një Shqipëri më shumë demokratike, të fortë dhe të zhvilluar. SHBA-të kanë qënë me Shqipërinë në 30-vjeçarin e fundit e do të vazhdojnë të qendrojnë edhe përtej 30-vjeçarit tjetër”.

10 NËNTOR 2021

“Nuk do të angazhohemi me askënd që është shpallur nga Sekretari i Shtetit. Kjo është një politikë për mbarë botën dhe nuk ka fare të bëjë me individët, por politika e përgjithshme është që nuk mund të imagjinojmë një skenar ku unë apo ndonjë nga pasardhësit e mi të pretendojmë se çdo gjë shkon mirë dhe të shkojmë për kafe me dikë që është shpallur nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor. Nuk ka për të ndodhur”.

10 NËNTOR 2021

“Njohim personin e zgjedhur rregullisht si kryetar i asaj Partie dhe unë do të vazhdoj të shkoj ta takoj Z. Basha në cilësinë e tij si Kryetar i Partisë. Siç e patë, ligjvënësit dhe vizitorët e tjerë nga Ëashingtoni do të bëjnë të njëjtën gjë”.

10 DEKLARAT E SALI BERISHËS NDAJ AMBASADORES YURI KIM

30 KORRIK 2021

“Asnjë shpifje, trillim apo sajim nuk mund të pengojë kurrë Sali Berishën të përmbushë misionin e tij të besuar nga zgjedhësit shqiptarë në mbrojtje të interesit kombëtar dhe publik të shqiptarëve. Shqiptarët janë njerëz të lirë dhe me dinjitet që nuk meritojnë bar, por transparencë”.

30 KORRIK 2021

“Nëse merren për bazë shpifjet e kundërshtarëve, çdo opozitë në botë mund ta shkatërrosh. Unë qëndroj në të drejtën time, duke mbrojtur të drejtën e atyre që kanë votuar Sali Berishën. I rikujtoj zonjës se atë shprehjen e barit, e ke nga shokët socialistë, jua sugjerojë tua çoni atyre. Ofendime të tilla publike janë për një ambasadore, jo të denja dhe mendoj se detyrohet të kërkojë ndjesë demokratëve dhe shqiptarëve. Barit t’ia çojë Edi Ramës”.

30 KORRIK 2021

“Së fundi, nuk e di nëse takimi i sotëm i Znj. ambasadore Kim ka ndonje nxitje nga denoncimi im i marrëveshjes së dyshimtë që u njoftua se u arrit në prani dhe me nxitjen tuaj midis kryetares se KLGJ, Llagami dhe Institutit East Ëest që sipas burimeve amerikane drejtohet nga Delina Fico. Duke ju kërkuar mundësisht të bëni transparente këtë marrëveshje, ju siguroj se sikundër deri sot, do të denoncoj çdo aferë të dyshimtë nga cilido dhe pa asnjë hezitim”.

5 GUSHT 2021

“Kryetari i PD-së i është përgjigjur kërkesës së Kim me kërkesën për të paraqitur fakte, dokumente e prova. Kjo është përgjigjja që ka marrë zonja Kim nga kryetari i PD-së dhe unë për këtë e falenderoj dhe përgëzoj. Kjo është e vetmja kërkesë që unë kam. Unë nuk dua të rrëzoj vendimin, por me padinë në gjykatë dua të rrëzoj shpifjet mbi të cilat është bazuar vendimi. Ambasadorja sillet si një guvernatore, në marrëveshjet që nxit dhe ndërmjetëson të cilat shkelin Kushtetutën dhe ligjet e vendit”.

5 GUSHT 2021

“Cilido që akuzon pa fakte bazë, ka probleme madhore me karakterin e tij. Kam qenë njëherë në një vend mik para pak vitesh, dhe më priti kryetari i parlamentit që ishte black-listuar njësoj si Sali Berisha, por edhe nja 9 apo 11 të tjerë. Që të gjithë në përballje me Xhorxh Sorosin. Ata vazhduan me sukses zgjedhjet, i fituan. Dhe administrata tjetër ua hoqi shpifjet dhe trillimet. Ai drejtonte parlamentin, sigurisht i keqardhur. Lulzim Basha gjatë gjithë takimit ka këruar fakte dhe dokumente. Zonja i tha i kemi, por nuk mund t’i paraqesim”.

21 SHTATOR 2021

“Miqtë e mi, ambasadorja ka deklaruar para disa ditësh në “Zërin e Amerikës” se habitem se si njerëzit bëjnë të paditurin. Më lejoni t’ju them këtu para jush, para të gjithë shqiptarëve, zonja ambasadore ke thënë këtë, por ke thënë edhe diçka tjetër. I ke thënë Lulzim Bashës se Berisha e di që ne kemi dosje, por ai nuk i beson ato dosje. Nga e di që kanë dosje. DASH ka deklaruar se sekretari i shtetit ka marrë vendimin bazuar në raporte të NGO-ve, të organizatave të shoqërisë civile, në raporte të mediave, në raporte të qeverisë së Edi Ramës, raporte antikorrupsion që nuk janë botuar kurrë. Unë nuk kam thënë kurrë ndonjëherë që nuk janë dosjet, por ato janë të tëra shpifje dhe vetëm shpifje”.

21 SHTATOR 2021

“Zonja ambasadore ke thënë këtë, por ke thënë edhe diçka tjetër. I ke thënë Lulzim Bashës se Berisha e di që ne kemi dosje, por ai nuk i beson ato dosje. Nga e di që kanë dosje. DASH ka deklaruar se sekretari i shtetit ka marrë vendimin bazuar në raporte të NGO-ve, të organizatave të shoqërisë civile, në raporte të mediave, në raporte të qeverisë së Edi Ramës, raporte antikorrupsion që nuk janë botuar kurrë. Unë nuk kam thënë kurrë ndonjëherë që nuk janë dosjet, por ato janë të tëra shpifje dhe vetëm shpifje. Edi Rama dy vite me radhë me Engjëll Agaçin ka çuar me dhjetëra e dhjetëra vendime të qeverisë, të gjitha i ka kthyer prokuroria e tyre si pa asnjë bazë”.

21 SHTATOR 2021

“A mund të jem unë dakord me reformën e Sorosit. Kurrën e kurrës. Ambasadorët rendin pas tij se është i gjithëfuqishëm. A mundemi të heshtim për interesat tona? Kurrën e kurrës. Ambasadorja ka deklaruar para disa ditësh në radion e Zërit të Amerikës se habitet se si njerëzit bëjnë të paditurin. Zonja ambasadore i ke thënë Lulzim Bashës se Berisha e di që kemi dosje por ai nuk i beson ato dosje. ga e di që ka dosje. DASH ka deklaruar se sekretari i shtetit ka marrë vendimin bazuar në raporte të organizatave dhe mediave, raporte të qeverisë Edi Rama. Ato janë të tëra shpifje. Edi Rama ka çuar me dhjetëra vendime të qeverisë. Të gjitha i ka kthyer prokuroria e tyre si pa asnjë bazë. Më ka thënë se dorëzove mandatin do të dënojmë fëmijët. Do dënojnë PD-në. Do dënojnë Shqipërinë”.

10 NËNTOR 2021

“Mund të them dhe që në të dy anët e Atlantikut miq të shquar, të cilët në kanë deklaruar se kanë parë dosjen, e kanë gjetur atë si në materia. Çështja e kafes, ajo të vazhdojë të pijë kafe në livadhet e qeverisë por jam i sigurt që Shqipërinë do ta afroj më shumë me BE dhe SHBA. Ky është zotimi im”.

10 NËNTOR 2021

“Së pari, dua të them se ‘Foltorja’ ka zgjuar shpresa të mëdha në mbarë botën. Dhe unë dua t’iu informoj se kjo pritje që shihni në Shqipëri për ‘foltoren’ nuk është më pak entuziaste në vendet mike. Zonjës dhe cilitdo tjetër që ka një provë fakt të vetëm e ftoj t’i dërgojë pranë Gjykatës në Paris. Shpreh kënaqësinë e madhe dhe mirënjohjen, se personalitete të shquara të elitës amerikane nuk pajtohen. Nuk pranojnë. Nuk binden. E marrin thjesht si një hakmarrje politike deklaratën se kemi prova po nuk i themi. Kjo ka marrë fund. Ke prova çoji para gjykatës”.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?