Zaev i bën apel opozitës shqiptare duke dhënë shembullin e tij: Kurrë nuk dola kundër integrimit të vendit

13 Mars 2019, 11:25| Përditesimi: 13 Mars 2019, 15:47

  • Share

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, gjatë vizitës së tij zyrtare në Tiranë, i dha një mesazh të qartë opozitës shqiptare gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Edi Rama, në Pallatin e Brigadave.

A mund të ketë një skenar maqedonas në Shqipëri? Përgjigjen e kësaj pyetje e ka dhënë vetë kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, historia e të cilit nisi nga një betejë e fortë opozitare drejt pushtetit si kryetar i qeverisë. Por ky nuk është një skenar që mund të realizohet në Shqipëri. Sipas Zoran Zaev nuk mund të hiqen paralele, dhe për këtë solli shembullin e tij kur ishte opozitar me partinë LSDM, vetëm 21 muaj më parë.

I dha një mesazh të qartë opozitës shqiptare dhe liderit demokrat Lulzim Basha, se ai si Zoran Zaev, në asnjë rast nuk cënoi të ardhmen integruese të vendit të tij në Bashkimin Evropian.

Pika e dytës, që sipas Zaevit tregon se skenari maqedonas nuk mund të gjejë vend me situatën në Shqipëri, është fakti se raportet e amerikanëve dhe evropianëve ishin kundër qeverisë së ish-kryeministrit Nikol Gruevski, të cilin e konsideronin regjim hibrib. Por ndryshe ndodh në Shqipëri që njëzëri ndërkombëtarët e kanë vlerësuar legjitime qeverinë.

"Në kohën kur unë isha opozitë raportet e SHBA, BE flisnin për një regjim hibrid në Maqedoni, gjatë asaj kohe e drejta e proceseve demokratike ishte e mundur, njëjtë si në Shqipëri, por kur flisja me Hahn, Mogerinin, me gjithë lidershipin evropian lusja për vendin tim që tu jepet datë e bisedimeve se ky ishte qëllim i vendit tim pa dallim të konfrontimeve tona si shtet E kuptoj opozitën kudo qoftë ajo, por obligimi i të gjithëve është shteti, dhe për shkak të kësaj ekzistojmë si opozitë", tha Zaev.

Gjatë konferencës me kryeministrin Rama, Zaev tha se në verë do të mblidhen të dyja qeveritë për të vazhduar punën e përbashkët që siç kryeministri maqedonas theksoi, shpresat janë që në qershor 2019 të hapen bisedimet aderuese me Bashkimin Evropian.

Ora 12:45
Rama batuta me Zaev: Presim ftesën tuaj...dhe na paguani drekën! (VIDEO)

Mbledhja e dytë e qeverive të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, do të mbahet në verë, në Shkup. E para u organizua nga qeveria shqiptare, dhe tashmë organizimin e ka qeveria e Zoran Zaevit. Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së përbashkët për mediat në Tiranë, nuk i la notat e humorit me homologun maqedonas, duke thënë se tashmë i takon atij t'i paguajë shpenzimet e drekës.

"Ne organizuam përpara 15 muajsh mbledhjen e dy qeverive dhe ka ardhur koha të përgatitemi për të dytën. Natyrisht duke pritur ftesën zyrtare, sepse jeni ju që duhet të na mirëprisni dhe jeni ju qe duhet të paguani shpenzimet e drekës. Besoj që do keni dakordësi të plotë mes partive të koalicionit për të ndarë shpenzimet".  

 

 

Ora 12:28
Rama: Shtrirja e Rrugës së Arbrit deri në Shkup, nevojë strategjik

Gjatë konferencës të përbashkët me homologun e tij maqedonas Zoran Zaev, kryeministri Rama tha se është rritur ndjeshëm tregtia mes dy vendeve, ndërsa theksoi se shtrirja e rrugës së Arbërit në segmentit Bllac-Shkup është nevojë strategjike.

"Janë shumë gjëra që mund të bëjmë bashkë. Shikojmë një rritje të ndjeshme të volumit tregtar mes dy vendeve. 11% në vitin e kaluar është shumë pak në krahasim me mundësitë tona, me potecialin por është shumë krahasuar me më parë. Ashtu sikundër një sërë veprash në infrastrukturë na bashkojnë në interes të përbashkët. Ne jemi në kantier në rrugën e Arbrit dhe shtrirja në segmentit Bllac-Shkup është një nevojë strategjike dhe sigurisht sipas mundësive dhe planeve të qeverisë suaj do hyjë në proces në momentin e duhur që kam besim do jetë jo i largët", u shpreh kryeministri.

Ai u shpreh herët a vonë qytetarët do hyjnë dhe dalin në kufijtë e Maqedonisë dhe Shqipërisë pa asnjë pengesë.

"Modeli Shengen duhet të shtrihet në të gjithë rajonin me Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi me bindjen se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të hyjnë në këtë proces. Kufijtë e vendet tona duhet të jenë po aq fluidë saç janë kufijtë në Bashkimin Europian. Nëse këtë gjë do të duhet ta bëjmë me anëtarët e BE, askush nuk na pengon ta bëjmë mes nesh sot, jo nesër. Herët a vonë do iu japim mundësinë qytetarëve të hyjnë dhe dalin në të dyja shtetet pa asnjë pengesë, kontroll, pa asnjë problem ashtu siç hyjnë dhe dalin në vendet e tyre qytetarët e BE", tha Rama.

Ora 12:12
Rama: Bashkëpunimi Shqipëri-Maqedoni e Veriut do të na integrojë në BE

Kryeministri Rama dhe homologu i tij maqedonas Zoran Zaev dolën para kamerave pas takimit kokë më kokë. Në konferencën e përbashkët për mediat, në Pallatin e Brigadave, kryemnistri Edi Rama falënderoi publikisht dhe shprehu mirënjohjen për kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev në lidhje me zbatimin e ligjit të gjuhëve në këtë shtet. Rama tha se zyrtarizmi i gjuhës shqipe është një hap i madh drejt afrimit të shqiptarëve dhe maqedonasve.

“Ju jam mirënjohës për faktin se me një kurajo të pazakontë dhe me një vision largpamës ju çelët rrugën e një harmonie të munguar dhe aq të domosdoshme në shtetin tuaj mes shqiptarëve dhe maqednasve. Për ne, seanca e Kuvendit tuaj ku u fol shqip ishte simbolikisht e përmbajtësisht moment historik dhe arsyet më shumë që të jemi promotorë të fuqishëm të idesë se integriteti dhe stabiliteti i Maqedonisë së Veriut është interes strategjik i republikës sonë”, tha kryeministri Rama.

Nga ana tjetër, Rama tha se “puna e përbashkët që po bëhet, shkëmbimi i ekspertizës, përvoja e krijuar dhe e bashkëndarë hap pas hapi na ndihmon jashtëzakonisht shumë kur shkohet drejt pragut të shumëpritur të çeljes së negociatave me Bashkimin Europian”

 

Ora 12:11
Rama: Ndikimi rus në Shqipëri nuk është sekret, dihet tashmë

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur interesit të gazetarëve në lidhje me çfarë po qarkullon në media pas informacioneve të Shërbimit Informativ Shtetëror, që Rusia ka rritur ndikim e saj në Shqipëri.

Shefi i qeverisë u përgjigj se kjo dihet tashmë dhe nuk është një gjë sekrete. Kreu i ekzekutivit tha se Rusia nuk i do vendet e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, ndërkohë që Shqipëria ka axhendën e saj kombëtare.

"Rusia nuk është vend tifoz i BE-së i zgjerimit të BE-së dhe natyrshëm s'mund të ketë tifozëllik për ecurinë evropiane për asnjë prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, kjo nuk është sekret, kjo dihet, ndërkohë që ne kemi një axhendë kombëtare, kryefjalë e së cilës është të bashkohemi në familjen evropiane. Sa herë që kjo axhendë cënohet, aq herë kush nuk është tifoz i Evropës, i BE-së, i integrimit të plotë të Shqipërisë dhe Ballkanit perëndimor, pa diskutim që sheh një oportunitet", tha kryeministri Edi Rama gjatë konferencës me Zoran Zaev.

Ora 12:05
Zaev: Në verë mblidhen qeveritë e dy vendeve, pikë e përbashkët kufitare në Qafë-Thanë

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka bërë të ditur në verë do të ketë takim të qeverisë së tij me atë shqiptare, të udhëhequr nga kryeministri Edi Rama. GJatë konferencës së përbashkët mes tyre mbajtur në Tiranë, Zaev tha se dy qeveritë e kanë obligim të heqin kontrollet e dyfishta në kufi mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke bërë vetëm një kontroll të përbashkët në doganën e Qafë-Thanës.

"Takim mes dy qeverive në verë pas zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut, dhe pas zgejdhjeve lokaleve në Shqipëri, institucionet tona do të shfrytëzojnë momentin për obligime të përfunduara mes institucioneve. "One stop shop", në Qafë-Thanë pikë e përbashkët kufitare, të përgjysmojmë kohën e pritjes së pasagjerëve që tani është e pakëndshme, këtë e kemi obligim ta realizojmë. Do të ketë vetëm një kontroll, e njëjta do të ndodhë edhe për mallrat, ky është hap pozitiv. Qëllimi ynë i përbashkët është integrimi në BE, shmangien e kufijve dhe bashkangjitjen në familjen evropiane, hapat që po cojmë na cojnë drejt kësaj rruge", tha Zaev.

Ora 11:50
Foto nga takimi i Kryeministrit Rama me homologun Zoran Zaev, kryeministri i Maqedonisë së Veriut

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev u prit në një ceremoni zyrtare në Pallatin e Brigadave nga kryeministri Edi Rama. Më tej dy delegacionet mbajtën një takim mes tyre ndërsa në fund u mbajt konferenca e përbashkët për shtyp e dy kryeministrave. Fotot e shkrepura nga gazetari dhe fotoreporteri i Shqiptarja.com, Antonio Çakshiri.

Ora 11:45
Zaev i bën apel opozitës shqiptare duke dhënë shembullin e tij: Kurrë nuk dola kundër integrimit të vendit

Zoran Zaev, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, ka marrë shembullin e tij për t'i dhënë një mesazh të qartë opozitës shqiptare, se në asnjë rast nuk duhet të cënojë të ardhmen integruese të vendit në Bashkimin Evropian.

"Unë si Zoran Zaev nuk isha në opozitë para 100 vjetësh" - tha ai -" janë thjesht 21 muaj më parë kur isha në opozitë, por nuk lejuam të japim përshtypjen para evropianëve se jemi kundër fillimit të bisedimeve të vendit tonë me BE-në. Pa marrë parasysh a jemi opzoitë a jo. Ne jemi miq të gjithë qytetarëve të shqipërisë, dhe i dëshirojmë të mirat popullit shqiptar. Vijmë si miq dhe japim mesazhin paqësor që nëpërmjet dialogut të kenë zgjidhje", u shpreh kryeministri i Maqedonisë së Veriut gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin Edi Rama.

Skenar maqedonas në Shqipëri?!

"Përvoja na dëshmoi se dialogu dhe bashkëpunimi i arsyeshëm përmes të gjithë aktorëve në shoqëri ,sidomos përmes qeverisë dhe opozitës, siguron rrugën para për shtetin, kjo është rruga nga e cila duhet të ecin para të gjitha shtetet e BallkanitSiç e thash ne ishim opozitë  para 21 muajsh, kjo nuk është larg për tu kujtuar se çfarë ndodhi madje të bëjmë paralele me vendin tuaj. Ne jemi miq të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, por në kohën kur unë isha opozitë raportet me SHBA, BE flisnin për një regjim hibrid në Maqedoni. Gjatë asaj kohe e drejta e proceseve demokratike ishte e mundur, njëjtë si në Shqipëri, por ku flisja me Hahn, Mogerinin, me gjithë lidershipin evropian lusja për vendin tim që tu jepet datë e bisedimeve se ky ishte qëllim i vendit tim pa dallim të konfrontimeve tona si shtet.

E kuptoj opozitën kudo qoftë ajo, por obligimi i të gjithëve është shteti, dhe për shkak të kësaj ekzistojmë si opozitë. Si mik i Shqipërisë dëshiroj të mirat për këtë vend miqësor, për këtë popull miqësor. Çdo kush ka të drejtën e demonstratave në formë demokratike. Dy vendet tona miqësore është  e rëndësishme që të marrin  ftesën për fillim të bisedimeve me BE dhe shpresojmë të kemi sukses", tha Zaev.

Ora 11:26
Zoran Zaev në Tiranë, ceremonia e pritjes në Pallatin e Brigadave (FOTO)

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev u prit në një ceremoni zyrtare në Pallatin e Brigadave nga kryeministri Edi Rama. Më tej dy delegacionet mbajtën një takim mes tyre.

Në këto foto nga fotoreporteri i Shqiptarja.com, Antonio Çakshiri, shihet kryeministri Edi Rama teksa pret homologun e tij dhe "inspekton" edhe punonjësit ceremonialë teksa përgatiten për pritjen zyrtare.

 

G.M.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • rexhep tahipi: 13/03/2019 21:07

    nje takim midis 2 dordoleceve te sorrosit

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?