Dje Sali Berisha dhe Vangjel Dule nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për zgjedhjet lokale, sipas së cilës PBDNJ-ja do të paraqesë kandidatët e saj në bashkitë Himarë, Finiq e Dropull dhe partitë e koalicionit opozitar do t’i përkrahin ata në terren. Përmes kësaj marrëveshje, PBDNJ-ja synon të fitojë në 3 bashkitë ku ka më shumë ndikim.
Por historia elektorale në territorin e këtyre bashkive ka qenë e nakatosur në 3 dekadat e fundit…
Kështu, në fillimet e veta PBDNJ-ja ishte në koalicionin e djathtë dhe dominonte bindshëm në ato zona. Por pas 1997-ës kaloi në koalicionin e majtë dhe u përça. Nga gjiri i saj doli partia minoritare MEGA që fillimish u rendit djathtas e më vonë kaloi majtas, ndërsa PBDNj-ja nga majtas u rikthye përsëri djathtas. Por në zgjedhjet e fundit (të prillit 2021), PBDNJ-ja u përfshi në listën e PD-së dhe Mega në listën e PS-së.
Dropulli ka veçori nga dy zonat e tjera, sepse votat e minoritarëve janë ndarë historikisht mes Vangjel Tavos (si kur ishte deputet i PS-së edhe i LSI-së), PBDNJ-së, dhe PS-së. Por në zgjedhjet e fundit (të prillit 2021), PBDNJ-ja ishte e përfshirë në listën e PD-së, Tavo konkuroi si kandidat i LSI-së, dhe PS-ja kishte kandidatin e vet.
Me pak fjalë, prilli 2021 është baza më e mirë kuanitative për të bërë projeksione elektorale aktuale.
Në territorin e Himarës, për mazhorancën (PS+PSD) votuan 60% e zgjedhësve pjesëmarrës në prill 2021, dhe kuptohet që kandidati socialist do të punojë që ata zgjedhës të vijnë të votojnë edhe më 14 maj për të majtën. Duke e nisur garën me 20 pikë epërsi, gjasat janë të mëdha që ai ta përfundojë atë më 14 maj i pari.
Në territorin e Finiqit (ku MEGA ka qenë e fuqishme), për mazhorancën (PS+PSD) votuan 56% e zgjedhësve pjesëmarrës në prill 2021, dhe kuptohet që kandidati socialist (që ka qenë i MEGA-s) do të punojë që ata zgjedhës të vijnë të votojnë edhe më 14 maj për të majtën. Duke e nisur garën me 12 pikë epërsi, gjasat janë të mëdha që ai ta përfundojë atë më 14 maj i pari.
Në territorin e Dropullit, për mazhorancën (PS+PSD) votuan 55% e zgjedhësve pjesëmarrës në prill 2021, dhe kuptohet që kandidati socialist do të punojë që ata zgjedhës të vijnë të votojnë edhe më 14 maj për të majtën. Duke e nisur garën me 10 pikë epërsi, gjasat janë të mëdha që ai ta përfundojë atë më 14 maj i pari.
Një faktor që mund të ndryshojë disi ekuacionin elektoral është ardhja e zgjedhësve nga Greqia për të votuar më 14 maj. Në prillin e 2021-shit, kufiri ishte i mbyllur për shkak të pandemisë, ndërsa tani do të jetë i hapur. Tradicionalisht të dyja krahët e politikës kanë mobilizuar përkrahës të tyre në Greqi për të ardhur në ditën e votimit. Vetëm në qoftë se opozita mobilizon shumë më tepër përkrahës të tillë se sa mazhoranca (që ka pak gjasa të ndodhë), mund të ketë shpresë PBDNJ-a për fitoren e kandidatëve të saj…