Kryebashkiaku Erion Veliaj

Zaloshnja: Erion Veliaj qysh sot afër votave të parvjetshme të PS-së

18 Shkurt 2023, 12:41| Përditesimi: 18 Shkurt 2023, 12:44

  • Share

Në mijëvjeçarin e ri, kandidatët socialistë për kryebashkiakë të Tiranës kanë marrë gjithmonë pothuaj aq ose më shumë vota se sa ka marrë PS-ja në zgjedhjet paraardhëse parlamentare në territorin e Bashkisë Tiranë. Rezultatet e Barometrit të kryer nga MRB Hellas SA tregojnë së Veliaj i është afruar qysh sot numrit të votave të parvjetshme të PS-së. I mbeten edhe tre muaj për ta kaluar atë numër.

Të anketuarit nga Barometri në Bashkinë e Tiranës kanë treguar se sa gjasa ka që të votojnë Erion Veliajn ose Beliind Këlliçin në zgjedhjet e 14 majit. Kështu, 28.8% e tyre janë shprehur se pa dyshim do ta votojnë Veliajn dhe 25% të tjerë janë përgjigjur ndoshta do ta votoj. 12.95% e tyre janë shprehur se do të votojnë pa dyshim Këlliçin dhe 14.5% kanë thënë ndoshta do ta votoj.

Meqenëse MRB e kishte ripeshuar statistikisht kampionin e saj (që të përfaqësonte sa më mirë demografikisht, gjeografikisht dhe politikisht popullsinë e rritur të bashkisë Tiranë), mund të bëhet një ekstrapolim i përafërt i numrit të banorëve të rritur që janë të vendosur qysh sot se për kë do të votojnë dhe të atyre që ndoshta do të votojnë njërin apo tjetrin.

Kështu 28.8% e të vendosurve për Veliajn (me ekstrapolim të përafërt) përkthehen në 167 mijë banorë të rritur (183 mijë vota mori PS-ja mori në territorin e Bashkisë Tiranë në zgjedhjet parlamentare të prillit 2021). Por janë edhe 25% të tjerë (ose 145 mijë banorë të rritur) që janë të prirur të votojnë Veliajn, por ende s’kanë vendosur. Gjasat janë që një pjesë e tyre do ta votojnë Veliajn më 14 maj, për të ruajtur kështu traditën socialiste të mijëvjeçarit të ri në kryeqytet.

Këlliçi nga ana tjetër është shumë larg votave që mori PD-AN në zgjedhjet e parvjetshme. Kështu 12.95% e të vendosurve për Këlliçin (me ekstrapolim të përafërt) përkthehen në 75 mijë banorë të rritur (137 mijë vota mori PD-AN në territorin e bashkisë Tiranë në zgjedhjet parlamentare të prillit 2021). Sidoqoftë ai ka edhe tre muaj kohë t’i afrohet votave të parvjetshme të PD-së, pasi 14.5% (ose 84 mijë banorë të rritur) janë të prirur të votojnë Këlliçin, por ende s’kanë vendosur.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?