Revista Monitor raporton se 81% e inflacionit aktualisht gjenerohet nga mallrat dhe shërbimet e brendshme dhe vetëm 19% nga ato të importuara. E kundërt ka qenë situata vjet, kur inflacioni ishte pothuaj i tëri i importuar.
Rënia drastike e inflacionit të importuar shpjegohet me rënien e përgjithshme të inflacionit në tregjet ku blejnë importuesit tanë, ndërsa rritja e inflacionit të brendshëm shpjegohet me mbivlerësimin e lekut në tregun e brendshëm valutor (leku është mbivlerësuar pothuaj 20% në krahasim me valutat kryesore gjatë 12 muajve të fundit).
Objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë është që ta mbajë inflacionin nën kuotën 3%. Vjet, kur pothuaj i gjithë inflacioni ishte i importuar, ajo kishte fare pak instrumente në dorë për ta ulur atë. Ndërsa tani, kur inflacioni gjenerohet kryesisht nga mallrat dhe shërbimet e brendshme, Banka e Shqipërisë mund të përdorë dy instrumente për ta ulur atë.
Së pari, ajo mund të rrisë blerjet e valutave në tregun e brendshëm, duke shtuar rezervën valutore të Shtetit Shqiptar. Në këtë mënyrë, kursi i euros mund të rikthehet ne mesataren historike 1 euro barra 120 lekë (shihni grafikun shoqërues). Një ndërhyrje e tillë do të rikthente edhe ekuilibrin mes eksporteve dhe importeve, që u prish nga pikiata e euros së këtij viti.
Gjithashtu, Banka e Shqipërisë mund të përdorë me moderacion edhe instrumentin tradicional të intersisit bazë bankar, për të sjellë ekuilibër në qarkullimin monetar në vend, me synimin që oferta e mallrave dhe shërbimeve vendase të rritet. Me rritjen e ofertës së brendshme edhe presioni i brendshëm inflacionist do të ulet, ndërkohë që inflacioni ne tregjet e huaja nga importojmë vazhdon të bjerë.
Gjatë muajit gusht, kur qindra mijëra turistë dhe emigrante vizitojnë Shqipërinë, është e vështirë që ndërhyrjet e Bankës të kenë ndonjë ndikim ne tregun valutor. Por në 4 muajt e tjerë të vitit, një ndërthurje agresive e politikave monetare e valutore mund të sjellin një ekuilibër të kursit të këmbimit valutor dhe të inflacionit në kuotat mesatare historike.