25 shtete te BE-së, megjithë rezervat e shumta që kanë në lidhje me situatën në Shqipëri, janë dakord që t’i fillojnë negociatat e antarësimit me ne, pas plotësimit të disa kushteve. Këto kushte janë përmbledhur në mënyrë sintetike në një rezolutë të Bundestagut gjerman.
Por Hollanda dhe Franca kanë vënë veton për mos fillimin e negociatave me asnjë vend kandidat.
Qeveria hollandeze ka dy vjet që e ka adoptuar këtë qendrim intrasigjent për moszgjerimin e BE-së. Për të shkuar në burimin e këtij qendrimi, duhet te kthehemi në datën 14 mars 2017, një ditë para zgjedhjeve parlamentare në Hollandë.
Atë ditë u publikuan katër sondazhe kombëtare: TNS NIPO, Peil, I&O Research, dhe Ipsos. Ato parashikonin për partinë e kryeministrit Rutte një rezultat në intervalin 27-29 mandate parlamentare, ndërkohë që të nesërmen partia e tij mori 33 mandate, duke i siguruar kështu të drejtën për krijimin e qeverisë, si parti e parë.
Rezultati ishte jashtë marzhit të gabimit statistikor të sondazheve, por duhet mbajtur parasysh se anketimi për to kishte filluar 4-5 ditë para publikimit të tyre. Dhe 4-5 ditët para zgjedhjeve në Hollandë ishin të mbushura me zhvillime të vrullshme për kryeministrin Rutte, i cili pati një përplasje të fortë me Erdoganin, pasi nuk lejoi dy ministra turq që të bënin fushatë në Hollandë për referendumin turk.
Në qoftë se anketimi do të ishte kryer i tëri një ditë para zgjedhjeve (dhe jo i shtrirë në 4-5 ditë para zgjedhjeve) sondazhet mund të kishin qenë më të sakta. Siç treguan anketimet pas zgjedhjeve, votuesit e lëkundur dhe votuesit e disa partive fare të vogla kishin vendosur vetem në ditën e fundit për të votuar për partinë e kryeministrit Rutte, kryesisht të ndikuar nga qendrimi i tij i fortë ndaj Erdoganit.
Duke shkuar fare pranë humbjes, Rutte adoptoi qysh atëherë një politikë më intrasigjente ndaj zgjerimit të BE-së dhe ndaj emigracionit. Këto politika i kishin trumbetuar më parë partite e ekstremit të djathtë, të cilat, për fare pak, mund t’i kishin marrë pushtetin Ruttes.
Edhe në Francë kemi një panoramë të ngjashme elektorale, por jo aq dranmatike sa e Hollandës.
Pasi fitoi presidencën vetë dhe partia e tij fitoi shumicën në parlament, Presidenti Macron pa t’i bien në menyrë të vazhdueshme kuotat e tij në sondazhet e opinionit publik, ndërkohë që kuotat e Marine Le Pen po ngjiteshin në mënyrë të vazhdueshme.
Dhe në ndihmë Macronit i erdhi Nathalie Loiseau, ministere e çështjeve europine. Duke parë se suksesi i Marine Le Pen dhe i partisë së saj në sondazhe kishte si motor qendrimet intrasigjente ndaj zgjerimit të BE-së dhe emigracionit, ministrja Loiseau u bë promotore e adoptimit të politikave të ngjashme nga qeveria franceze. Bazuar në nje platformë të tille, ajo kryesoi listen e kandidatëve te partisë së Macronit për në parlamentin europian.
Dhe ditën e zgjedhjeve koalicioni i udhëhequr prej saj arriti të merrte njësoj mandate sa koalicioni i Le Penit, ndërkohë që ky i fundit kishte kryesuar më parë në sondazhe.
Dhe me suksesin në zgjedhjet europiane erdhi edhe rritja e kuotave personale të Macronit në sondazhe. Dhe me rritjen e tyre, u çimentua edhe qendrimi intrasigjent i Macronit ndaj zgjerimit të BE-së…