Kreu i PL-së, Meta

Zaloshnja: Objektivi i Metës: Këshillat bashkiake e jo kryebashkiakët

27 Tetor 2022, 19:59| Përditesimi: 27 Tetor 2022, 20:02

  • Share

Kur Meta bëri marrveshje me Berishën për zgjedhjet lokale të 2011-ës, ky i fundit i la hapur fushën për kryebashkiakë në disa bashki. Por sinergjia elektorale nuk funksionoi mirë në terren – kandidatët e Metës për kryebashkiakë morën ndjeshëm më pak vota se sa kishin marrë partitë e koalicionit së bashku në zgjedhjet paraardhëse parlamentare. (Ky fenomen nuk u konstatua në bashkitë ku koalicioni u përfaqësua nga kandidatët e PD-së). Dështimi më i spikatur i sinergjisë elektorale u regjistrua në Elbasan, ku kandidati i Metës mori vetëm treçerekun e votave që kishte marrë gjithsej koalicioni dy vite më parë…

Kur Meta bëri marrveshje me Ramën për zgjedhjet lokale të 2015-ës, ky i fundit i la hapur fushën për kryebashkiakë në disa bashki. Por sinergjia elektorale nuk funksionoi mirë në terren – kandidatët e Metës për kryebashkiakë morën ndjeshëm më pak vota se sa kishin marrë partitë e koalicionit së bashku në zgjedhjet paraardhëse parlamentare. (Ky fenomen nuk u konstatua në bashkitë ku koalicioni u përfaqësua nga kandidatët e PS-së). Dështimi më i spikatur i sinergjisë elektorale u regjistrua në Pogradec, ku kandidatja e Metës mori vetëm treçerekun e votave që kishte marrë gjithsej koalicioni dy vite më parë…

Në marrëveshjen aktuale me Berishën për zgjedhjet lokale, Meta i ka lënë krejt hapur fushën PD-së për kryebashkiakët, në këmbim të garancisë së kryesimit të këshillave bashkiakë atje ku këshilltarët e tij do të përcaktojnë shumicën. (Në marrëveshje shkruhet shprehimisht: Këshillat Bashkiake, si institucionet më të rëndësishme të përfaqësimit të qytetarëve, do të drejtohen nga përfaqësues të propozuar nga Partia e Lirisë, në rastet kur këshilltarët e kësaj të fundit rezultojnë përcaktues në sigurimin e shumicës në këta këshilla.)

Bazuar në përvojën jo fort të mirë të 2011-ës dhe 2015-ës (të kandidtëve të tij për kryebashkiakë), Meta ka vendosur të fokusohet në garën për këshillat bashkiakë, ku partitë e vogla kanë patur historikisht rezultate shumë më të mira se në garat për deputetë.

Kështu, në zgjedhjet e 2015-ës (zgjedhjet e fundit kompetitive lokale), LSI-ja mori 16.6% të votave për këshillat bashkiake, ndërkohë që dy vjet më parë kishte marrë vetëm 10.5% të votave për deputetë. PDIU-ja mori 3.8% të votave për këshillat bashkiakë, ndërkohë që dy vjet më parë kishte marrë vetëm 2.6% të votave për deputetë. E kështu me rradhë. Në ato zgjedhje, PS-ja mori vetëm 25.7% të votave për këshillat bashkiakë dhe PD-ja vetëm 20.3%. Plot 54% të votave për këshilla bashkiakë i morën partitë e vogla (shihni grafikun shoqërues).

Në zgjedhjet lokale të 2011-ës, LSI-ja mori 7.5% të votave për këshillat bashkiake, ndërkohë që dy vjet më parë kishte marrë vetëm 4.8% të votave për deputetë. PDIU-ja mori 4% të votave për këshillat bashkiakë, ndërkohë që dy vjet më parë kishte marrë vetëm 1% të votave për deputetë. E kështu me rradhë. Në ato zgjedhje, PS-ja mori vetëm 27.6% të votave për këshillat bashkiakë dhe PD-ja vetëm 21.1%. Plot 51.3% të votave për këshilla bashkiakë i morën partitë e vogla (shihni grafikun shoqërues).

Po përse partitë e vogla dalin kaq mirë në zgjedhjet lokale?

Në zgjedhjet lokale, votuesit plotësojnë dy fleta votimi – një për kryetarin e bashkisë dhe një për këshillin bashkiak. E gjithë vemendja e mediave dhe partive të mëdha përqendrohet tek gara për kryebashkiakë, e për rrjedhojë, votuesit i japin pak rëndësi fletës së dytë – asaj për këshillat bashkiakë. Duke e ditur këtë, kandidatët për këshilltarë bashkiakë të partive të vogla punojnë në mënyrë kapilare për të mbledhur vota në komunitetin, fisin dhe rrjetin shoqëror të tyre. Me pak qindra vota mund të zgjidhesh këshilltar bashkiak, nëse je në krye të listës së një partie të vogël. Nga ana tjetër, duhen mijëra vota për t’u zgjedhur deputet i një partie të vogël…

Sidoqoftë, në fund të ditës (kur shpallen rezultatet e përgjithshme të zgjedhjeve lokale), partitë e vogla trumbetojnë rritjen e peshës së tyre elektorale në shkallë vendi, bazuar në votat gjithsej që kanë marrë për këshilla bashkiakë. (Në fletën e votimit për këshillat bashkiakë janë emrat e partive, e jo listat e kandidatëve të secilës prej tyre.) Dhe në qoftë se këshilltarët e partive të vogla janë përcaktues për shumicën në disa këshilla bashkiakë, rritet edhe pesha e tyre politike.

Në rastin e PL-së, Meta pretendon se këshilltarët e tij do të përcaktojnë shumicën në disa këshilla bashkiakë të rëndësishëm. Dhe në këtë rast, atij do t’i jepet e drejta të caktojë emrat për kryetarë këshillash atje. Gjë që mund ta rrisë edhe më tej peshën politike të partisë së tij.

Kuptohet, nëse e arrin këtë objektiv elektoral…

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?