Basha, Rama, Berisha dhe Meta

Zaloshnja: Opinioni i tiranasve për politikanët kryesorë dhe votat për partitë respektive

6 Maj, 10:34| Përditesimi: 6 Maj, 10:38

  • Share

Meqë kryetarët e tri partive kryesore opozitare e kanë vënë kryebashkiakun e Tiranës në qendër të sulmeve të tyre ditët e fundit, zhvillova një sondazh për të krahasuar sa tiranas kanë opinion pozitiv për ta dhe sa për Veliajn. Gjithashtu, mata edhe sa tiranas kanë opinion pozitiv për kryeministrin Rama.

Sondazhin e zhvillova gjatë fundjavës me SMS të shpërndara proporcionalisht në gjithë territorin e Bashkisë Tiranë (qytet e fshatra).  1187 banorë të rritur e plotësuan pyetësorin e shpërndarë përmes linkut të përfshirë në SMS. Kampionin e ripeshova gjeografikisht, demografikisht, dhe politikisht, për ta përfaqësuar sa më mirë popullsinë e rritur të Bashkisë Tiranë. Marzhi i gabimit statistikor rezultoi +/-3.2%.

Nga ekstrapolimi i përafërt statistikor i përgjigjeve të të anketuarve, rezultoi se për Ramën kanë opinion pozitiv rreth 195 mijë tiranas – më shumë se për çdo politikan tjetër. I dyti u rendit Veliaj, për të cilin kanë opinion pozitiv rreth 180 mijë tiranas, dhe i treti u rendit Berisha, për të cilin kanë opinion pozitiv rreth 92 mijë tiranas.  Ndërsa për Bashën e Metën, kanë përkatësisht opinion pozitiv 23 mijë dhe 21 mijë tiranas (shihni Grafikun 1).

SHËNIM: Shumica dërrmuese e simpatizantëve të Ramës simpatizojnë edhe Veliajn, e anasjelltas. Shumica e simpatizantëve të Metës simpatizojnë edhe Berishën, por vetëm pak simpatizantë të Berishës simpatizojnë edhe Metën.

Meqë i pyeta të anketuarit tiranas për opinionin mbi kryetarët e partive kryesore politike, i pyeta edhe se cilës parti do t’ia jepnin votën, nëse do të zhvilloheshin sot zgjedhjet parlamentare. Rezultoi se pothuaj 37% e tiranasve të rritur nuk do të votonin fare nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin sot (me ekstrapolim të përafërt rreth 215 mijë).

Nga ekstrapolimi i përafërt statistikor i përgjigjeve të atyre që do të votonin sot, më rezultoi se për PS-në do të votonin rreth 170 mijë tiranas – 25 mijë më pak se sa kanë opinion pozitiv për Ramën. E dyta, me një diferencë të madhe, renditet PD-ja e Berishës, të cilën sot do ta votonin 8 mijë tiranas më shumë se sa kanë opinion pozitiv për kryetarin e saj. Partitë e Bashës dhe Metës kanë përkrahje të pakët krahasuar me dy partitë e mëdha. Ndërkohë, bie në sy që partitë e tjera përkrahen pothuaj dyfish më shumë se sa partitë e Bashës dhe Metës të marra së bashku, si dhe më shumë se sa u përkrahën vjet në zgjedhjet bashkiake (shihni Grafikun 2).

Në qoftë se këto vota të tiranasve i përkthejmë përafërsisht në mandate parlamentare (me sistemin aktual elektoral pa koalicione), rezulton se PS-ja do të merrte 53% të mandateve që i takojnë statistikisht territorit të Bashkisë Tiranë dhe PD-ja e Berishës 27%. Pjesa tjetër do të shpërndahej mes PD-së së Bashës, PL-së, e partive të tjera (shihni Grafikun 3).

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?