Numri i shqiptarëve që kanë plotësuar pyetësorin e Këshillimit Kombëtar e ka kaluar 300-mijëshin (sipas Kryeministrit Rama). Në të nuk ka ndonjë pyetje rreth mënyrës sesi kanë votuar të anketuarit në zgjedhjet e fundit parlamentare, por gjasat janë të mëdha që shumica dërrmuese e atyre që e kanë marrë mundimin ta plotësojnë pyetësorin të jenë votues socialistë. E kështu, ky eksperiment statistikor i financuar nga xhepi i taksapaguesve shqiptarë – të majtë, të djathtë e asnjëanës – me shumë gjasa, mund të vlejë për të mbledhur vetëm opinionin e votuesve socialistë rreth pyetjeve të ngritura në pyetësor.
Ndërkohë, një pyetje që tashmëështë ngritur institucionalisht nga një komision i posaçëm i Kuvendit të Shqipërisëështë sesi duhet të rindahet territori i vendit, në mënyrë që të materializohen më mirë kriteret gjeografike, historike e ekonomike në ndarjen territoriale.
Për të diskutuar rreth këtyre kritereve në Komisionin e Posaçëm të Kuvendit të Shqipërisë duhen thirrur patjetër ekspertë të këtyre fushave. Por e rëndësishme është të dëgjohen edhe opinionet e banorëve të thjeshtë të qyteteve, qytezave e fshatrave shqiptare, që mund të preken nga rindarja territoriale.
Për shembull, një banor i Zall Herrit mund të dojë t’i ketë zyrat e bashkisë së tij në Kamëz, e jo në Tiranë (nqs do t’i duhet të zgjidhë një problem konkret). Një banor i Paskuqanit apo fshatrave përrreth mund të dojë ta ketë bashkinë e tij në Paskuqan, e jo në Kamëz (nqs do t’i duhet të zgjidhë një problem konkret). Një banor i Tomorricës ndoshta e ka më kollaj të shkojë në Gramsh se sa në Çorovodë, për një problem të tijin. E kështu me rradhë e me rradhë, nga Vermoshi në Konispol…
Zhvillimi i sondazheve të hollësishme për t’u dhënë përgjigje këtyre qindra pyetjeve specifike të zonave të veçanta lokale (për të cilat shumica e shqiptarëve, përveç banorëve të zonave në fjalë, nuk janë në dijeni), do të kërkonte një angazhim praktikisht të parealizueshëm në terren. Por platforma e Këshillimit Kombëtar, e strukturuar mirë për këtë qëllim konkret (jo me pyetje amorfe, si aktualisht), mund të japë përgjigje statistikisht të vlefshme për rindarjen territoriale. Dhe Komisioni i Posaçëm i Kuvendit të Shqipërisë duhet të ketë akses të plotë në këtë rast.
Kështu, opinionit të specialistëve që do të thirren në Komisionin e Posaçëm të Kuvendit të Shqipërisë, mund t’u shtohet edhe opinioni i banorëve të thjeshtë të zonave lokale qëpritet tëpreken nga rindarja territoriale…