Duke përdorur të gjitha statistikat e hollësishme futbollistike online të ndeshjeve që kombëtaret e Spanjës, Italisë, Kroacisë e Shqipërisë (të cilat bëjnë pjesë në Grupin B të Europianit 2024) kanë zhvilluar në dy vitet e fundit, ndërtova një model simulacioni statistikor, për të llogaritur probabilitetet e renditjes në grup që mund të arrijë kombëtarja jonë e futbollit në Gjermani (FSHF-ja mund të ketë statistika më të hollësishme se sa ato që janë të disponueshme online në internet).
Që Shqipëria të renditet e para në grup, probabiliteti rezulton pothuaj 0 (bazuar në statistikat e disponueshme online). Që Shqipëria të renditet e dyta në grup, probabiliteti rezulton rreth 7.1% (bazuar në statistikat e disponueshme online). Që Shqipëria të renditet e treta në grup, probabiliteti rezulton rreth 26.2% (bazuar në statistikat e disponueshme online).
Meqë kemi një probabilitet jo të neglizueshëm për të përfunduar të tretët në grup, vlen të ndërtohet një model simulacioni statistikor, për të parë sesi mund të konkurojmë me vendet e treta në grupet e tjera (4 nga 6 të tretat në grupe kualifikohen, bazuar në golaverazhin që arrijnë në secilin grup). Por një model i tillë është pothuaj i pamundur të ndërtohet, pa ditur se cilat do të jenë tri ekipet që do të futen në Europianin 2024 pas fazës play-off të marsit. Vetëm atëherë mund të ndërtohet një model i plotë simulacioni statistikor.
E sidoqoftë, çdo model simulacioni statistikor, sado rigoroz të jetë, mund të hidhet në erë nga një predhë e papritur e Asanit, Asllanit, apo Bajramit. Ose nga një pritje magjike e Etrit Berishës në minutën e fundit…