Zaloshnja: Sa nga 1.7 milionë zgjedhësit jashtë Shqipërisë duan të votojnë?

26 Korrik, 08:43| Përditesimi: 26 Korrik, 08:44

  • Share

Është e pamundur të dihet me saktësi se sa nga zgjedhësit që banojnë jashtë vendit duan të votojnë për parlamentin tonë të ardhshëm. Por dihet se mundësia për të votuar atje ku banojnë po u krijohet pas ndryshimit të kodit zgjedhor (nën presionin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese rreth votës së emigrantëve).

Vjet në listën e zgjedhësve ishin 3.65 milionë shtetas shqiptarë në moshë për votim, nga të cilët 1.95 milionë banonin këtu dhe 1.7 milionë banonin jashtë vendit. Nga këta 1.7 milionë zgjedhës jashtë vendit, rreth 300 mijë nuk kanë lindur këtu dhe si zor të jenë të interesuar për të votuar me postë nga jashtë për parlamentin e këtushëm.

Pikëpyetja është për 1.4 milionë zgjedhësit që kanë lindur këtu dhe që banojnë jashtë Shqipërisë.

Zgjedhësit që duan të votojnë janë në përgjithësi të interesuar të ndjekin zhvillimet në vend. Dhe interneti e ka krijuar këtë mundësi edhe për zgjedhësit që banojnë jashtë Shqipërisë – ata mund të lexojnë/shikojnë si ne këtu çdo lajm përmes portaleve dhe faqeve të internetit të TV-ve kryesore shqiptare.

Nga një analizë që ndihmësi im IT u bëri të gjitha portaleve dhe faqeve të internetit të këtushme, rezultoi se pothuaj 70% e klikimeve në to kishin ardhur nga adresa IP brenda vendit. Dhe duke shfrytëzuar këtë të dhënë dhe faktin se vjet morën pjesë në zgjedhje vetëm 1.4 milionë zgjedhës të këtushëm, mund të ekstrapolohet me afërsi se rreth 600 mijë zgjedhës jashtë vendit mund të jenë të interesuar për të votuar vitin e ardhshëm.

Se sa nga ata 600 mijë do të votojnë realisht do të varet nga intensiteti i dëshirës së tyre dhe nga lehtësia/vështirësia e procesit të votimit me postë. Një proces që do të provohet për herë të parë nga shteti shqiptar…

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?