Zaloshnja: Tre ndër problemet e Censit

5 Tetor 2023, 15:12| Përditesimi: 5 Tetor 2023, 15:14

  • Share

Në kohët e lashta, anketuesit e Censit (në Romën e Lashtë quhej Census) ishin edhe regjistrues, edhe verifikues. Kur një shtetas deklaronte se kishte kaq familjarë e aq pasuri, anketuesit i verifikonin konkretisht përgjigjet.

Në kohët moderne, anketuesit e Censit janë thjesht regjistrues të përgjigjeve që japin qytetarët (kjo vlen aktualisht për botën demokratike). Dhe fakti që anketuesit e Censit janë thjesht regjistrues, mund të krijojë probleme statistikore për Censin që po zhvilohet së fundmi në Shqipëri.

Meqënëse pyetësori i Censit është i gjatë, si kudo, mund të dalin probleme të ndryshme statistikore për çdo pyetje të tij. Por në këtë shkrim do të përqendrohem në 3 probleme, që më kanë dalë mua si statistician në sondazhe kombëtare.

1.Qiraxhijtë

Në qytete të mëdha (si Tirana, Durrësi e Fieri), ka jo pak shtetas që banojnë me qira. Meqenëse disa prej tyre e paguajnë qiranë me lekë në dorë (pa kontrata zyrtare të noterizuara), mund të jenë të prirur që t’i shmangen Censit aty ku banojnë (nga frika e kotë se mos u verifikohet qiraja në të zezë…). Ndërkohë, prindërit apo të afërmit e tyre i raportojnë ata si banues në rrethe të tjera. Si rrrjedhojë, rezultatet e Censit për banorët aktualë të qyteteve të mëdha mund të tregojnë më pak banorë se sa aktualisht banojnë në to.

2.Besimi fetar

Tek pyetjet rreth besimit fetar (përgjigja për të cilat është fakultative, ndryshe nga pyetje të tjera), problemi statistikor qendron tek shtetasit nën 18 vjeç. Zakonisht, përgjigjet për pyetjet e Censit i jep njëri nga prindërit. Ai/ajo mund të përgjgijet për fëmijët se i përkasin këtij apo atij besimi fetar (ndërkohë që nuk mund të dihet realisht, sidomos në martesat e përzjera), ose i papërcaktuar. Si rezultat, ka një pasiguri statistikore rreth kësaj pyetje (16.2% rezultuan të papërcaktuar në Censin e 2011-ës).

3.Etnia

Pyetja rreth etnisë duket shumë e thjeshtë në letër, por jo aq e thjeshtë në terren – sidomos në jug. Së pari, në martesat e përzjera, varet se cili prind do t’i përgjigjet pyetjeve të Censit. Së dyti, disa prindër mund të përgjigjen për djem, vaza, nipër e mbesa të tyret që janë në fakt emigrantë në Greqi. Së treti, emigrantë nga Greqia mund të vijnë me autobuzë thjesht për t’u regjistruar në katër bashkitë sensitive (Dropull, Finiq, Himarë e Konispol).

Zgjidhje statistikore për këto probleme?

Si kudo në botë, INSTAT-i do të zhvillojë një vrojtim statistikor post-Census, me një kampion prej rreth 21 mijë familjesh (mbi 1/3 në zonat urbane të Tiranës, Durrësit e Fierit). Meqënëse ky vrojtim statistikor do të bëhet në mënyrë krejt anonime (pa pyetur për emër e mbiemër), mund të zbuten statistikisht problemet (e mësipërme e të tjera), që mund të ketë krijuar anketimi një për një i të gjitha familjeve gjatë procesit fillestar të Censit.

Sepse objektivi i çdo Censi është që të paraqesë një tablo sa më realiste të popullsisë banuese në vend!

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?