“Sekrete mjeshtërie” me autore gazetaren Alma Mile dhe fotografin Aldo Bonata bën bashkë 15 artizanë nga e gjithë Shqipëria në një botim.
“Sekrete mjeshtërie lindi, si një nisëm e Ministrisë së Kulturës. Ka qenë gjithmonë në fokusin e saj njerëzit e thjeshtë. Ata njerëz që janë pas kuintave, që punojnë shumë për të dalë të tjerët mirë. Përgjithësisht janë zanate që po tkurren”, shprehet gazetarja e kulturës, Alma Mile.
Kinomekaniku Theodhor Ziu, drugdhendësi Isuf Skënderi edhe garderobierja Koralda Prifti rrëfejnë sekretet zanateve të tyre.
“Bëra shkollën edh eu bëra kinomekanik. Punova në të gjitha Tiranët e Tiranës, diku tre e diku 6 vite. Sot kam 53 vite që punoj, në komunizëm filmat kontrolloheshin njëherë në ish- kinostudio, pastaj pasi priteshin pjesët që s’përkonin me ideologjinë tonë, vinin tek ne për t’i shfaq në kinema”, shprehet kinomekaniku Theodhor Ziu.
“Jam pinjoll i fundit i familjes Skënderi që merrem me këtë punë. Bëj llulla, pelivan që luajnë fëmijët, shandan qiriri”, tregon Isuf Skënderi, drugdhendës.
“Kostume pa fund, që nuk i numëroj dot. Të tëra që t’i prekësh kanë një mesazh brenda. Kanë një histori”, thotë garderobierja e Teatrit Kombëtar, Koralda Prifti.
Gjatë promovimit të botimit, ministrja e kulturës Elva Margariti u shpreh se ky projekt lindi si nevojë për të qenë pranë së thjeshtës, ndërsa drugdhendësi Isuf Skënderi bën apel për një muze etnografik në Tiranë
“Ky është një cikël që nisi në një moment për të vënë theksin tek njerëzit e thjeshtë, edhe pandemia na theksoi edhe më shumë që kemi bërë gjënë e duhur”, thotë ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
“Përveç Tiranës, i vetmi kryeqytet në botë, që nuk ka muze etnografik. Turpi më i madh. I lutem zotit më të jap shëndet se dua që të bëj diçka të tillë, të ndërtoj një muze etnografik në Tiranë”, shprehet drugdhendësi Isuf Skënderi.
Botimi “Sekrete mjeshtërie” u mbështet nga Ministria e Kulturës.