Politikë

Basha: Pa mbështetjen e SHBA, PD shkrihet! Plani i Berishës, ta bëjë partinë një bunker antiamerikan për interesin e tij! Jam kryetar deri sa të më mbarojë mandati, vetëm Zoti 'vendos' ndryshe

18 Tetor 2021, 17:55| Përditesimi: 18 Tetor 2021, 20:38

  • Share

TIRANË- Përjashtimi i Sali Berishës përtej sakrificës personale për Lulzim Bashën, është shpëtim i PD-së dhe vijimi i mbështetjes amerikane për demokratët. Partia që solli demokracinë në vend nuk mundet kurrsesi që të mbyllë historinë e saj për të mbrojtur interesat personale të një personi, referuar Sali Berishës, aq më tepër që tashmë është shpallur ‘Non Grata’. Këtë mesazh, kryedemokrati ia bëri edhe një herë të qartë demokratëve që ende e vënë në diskutim përjashtimin e Sali Berishës nga grupi i PD-së. Izolimi nga SHBA do të sillte 'vdekjen' e Partisë Demokratike, ka theksuar Basha, dhe për këtë ai deklaroi se merr përgjegjësi të plota dhe qëndron krejtësisht i palëkundur, ndonëse ndaj tij janë derdhur një lumë akuzash që vijnë nga vetë demokratët, tashmë të ndarë në dysh, “ata me Bashën” dhe “ata me Berishën”.

Dalja e PD-së nga institucionet me djegien e mandate ftohu marrëdhëniet e partisë me SHBA, dhe duket se Basha e ka kuptuar këtë gabim. Sot ai nuk ka ndërmend ta përsërisë dy here të njëjtin gabim, prandaj Berisha jashtë PD-së është një e mirë më e madhe e demokratëve, por edhe e shqiptarëve në një plan afatgjatë. 

“ E kam  shpjeguar  kontekstin dhe barrën e këtij akti ditën që e  shpalla.  Dua të përsëris sot se sa të jem unë kryetar i PD-së nuk do të pranoj të hedh në votim në asnjë forum të partisë demokratike vendime të qeverisë dhe institucioneve amerikane kundër deputetëve a të zgjedhurve të kësaj partie. Edhe sikur  të jem unë i godituri i këtyre vendimeve. Nuk do të pranoj e lejoj akte që çojnë në izolimin e Partisë Demokratike nga aleati ynë strategjik dhe mirëbërësi më i madh në histori i  Shqipërisë, Kosovës dhe kombit shqiptar, që janë SHBA.  Izolimi nga SHBA është vdekja e Partisë Demokratike. Rrjedhimisht është vdekja për një periudhë jo të shkurtër e shpresës së shqiptarëve”, mësohet të ketë thënë Basha në mbledhjen me dyert të mbyllura të PD-së"

Report Tv me gazetaren Danjela Maloku, ka zbardhur debatet e plota në mbledhjen e grupit të partisë, ku Basha shkon përtej, ku thotë se Berisha ka një plan në dëm të PD-së, që partinë ta shndërrojë në një bunker antiamerikan për interesat e tij personale duke theksuar se nuk do ta lejojë një gjë të tillë.

"Ai po kërkon te bunkerizoj PD-në, për interesat e veta. Mashtrimet, fyerjet, denigrimet, që deri dje i përdorte PS ndaj meje, ka një muaj qe i përdorin të mërziturit me Partinë Demokratike, pas shpalljes ‘Non grata të Berishës”. Orjentimi perendimor, proamerikan, euroatlantik e proeuropian janë për Partinë Demokartike me shumë se përcaktime ne statutin dhe dokumentet e saj. Janë identiteti i saj, kanë lindur në një orë me të, janë e do të jenë ADN-ja e saj.  Vota e anëtarësisë  së Partisë Demokratike me obligon mua, forumet, të zgjedhurit dhe gjithë anëtarët e PD-së të qëndrojmë në këtë orjentim, ta mbrojmë atë.Po lëshuam këtë busull nuk jemi më Partia Demokratike. Kam shprehur disa herë dhe shpreh përsëri keqardhjen time për shpalljen non gratta të Sali Berishës. Kam mbështetur e mbështes përpjekjet e tij për trasparencë e drejtësi. Për fat te keq ai po kërkon ta lidhë shpalljen e tij non gratta me fatin e Partisë Demokratike. Në një anë ai po  thotë nuk do të votojmë vendimin e qeverise amerikane për shpalljen e tij non gratta. Nga ana tjetër po  kërkon të votojë vendimin e Lulzim Bashës  që është marrë në respekt të vendimit të SHBA.  A nuk nuk është e njëjta gjë në aspektin e pasojave politike për PD? Përtej tymnajave, plani i tij, nëse do të flitej për një plan, është shndërrimi i Partisë Demokratike në një bunker antiamerikan për interesin e tij.  Kjo është pa asnjë përpektivë qoftë për PD, qoftë për vetë Berishën. Dhe askush me një fije përgjegjësie ndaj sakrificës së demokratëve, duke nisur nga unë i pari nuk mund dhe nuk do ta pranojmë këtë", ka thënë kryedemokrati. 

Ashtu si i mbytyri kapet pas fijes së kashtës për të shpëtuar, ashtu edhe Berisha po bën të gjitha përpjekjet për mbledhjen e 1500 firmave që të thirret Kuvendin Kombëtar i partisë ku kërkon ndryshimin e statutit të partisë dhe largimin e kryetarit. Për këtë ka ngritur ‘Foltoren’ e tij qytet më qytet, mirëpo, Lulzim Basha ia ka shuar sot çdo shpresë dhe ia ka bërë të qartë se do të vijojë që të qëndrojë në krye të partisë derisa sa të përfundojë mandatin, pas 4 vitesh. Ai që mund ta ndalë, është vetëm Zoti, askush tjetër, as Sali Berisha përtej pushtetit që mund të mbi demokratët. 

“Unë nuk kam folur dhe jam akuzuar se pse nuk flas, edhe pse vij nga fisi i fjalës, qoftë nga Basha, qoftë nga Hoti (nëna). Nuk kam dashur t’i hedh kripë plagës, edhe pse statuti ma njeh këtë të drejtë që vendosa për Berishën, por edhe fakti që s’ka as 3 muaj që jam votuar kryetar me referendum. Nuk kam ndërmend të largohem nga Kryetari i PD-së, deri në përfundim të mandati, vetëm nëse Zoti vendos ndryshe.  Vendimi ka qenë i vështirë, por unë nuk kam ndërmend të çoj për votim asnjë vendim qe bie ne kundershtim me vendimet e DASH.  Pa mbështetjen e SHBA, PD shkrihet.  Unë s'kam ndërmend që për interesat e Berishës të shkrijë PD-në", tha Basha. 

Report Tv mëson gjithashtu se gjatë mbledhjes deputeti Luan Baçi ka shprehur shqetësimin se deputetët që marrin pjesë në foltoret e Berishës shihen me sy tjetër nga PD, e po ashtu s’janë as pjesë e komisioneve hetimore parlamentare. Ndërsa deputetja Albana Vokshi ka kërkuar që të lihen mënjane diskutimet për Berishën, pasi për kthimin e tij vendos vetëm anëtarësia.  

Ora 18:13
Debatet brenda grupit të PD, Luan Baçi: Ne që kemi marrë pjesë në foltoret e Berishës, po shihemi ndryshe nga partia! Flutura Açka: E papranueshme që na pyesin a jemi me Bashën apo Berishë!

1634573672_page.jpg

Me jo pak debate është shoqëruar mbledhja e grupit të PD këtë të hënë. Report TV ka zbardhur debatin e zhvilluar me dyer të mbyllura, ku deputeti Luan Baçi është shprehur se deputetët që kanë marrë pjesë në foltoret e Berishës, po shihen ndryshe nga partie.

"Ne deputetet qe kemi marre pjese ne foltoret e Berishës, po shihemi ndryshe nga PD, e po ashtu s'po marrim pjese ne komisionet hetimore parlamentare", mësohet të ketë thënë ai.

Nga ana tjetër, Flutura Açka e ka quajtur të papranueshme faktin që, sipas saj, e pyesin në takime nëse është me Berishën apo Bashën. Sipas saj, PD duhet t'i rikthehet ndryshimit.

"Unë shkoj ne takime ne Elbasan, dhe më pyesin: Je me Berishën apo me Bashën? Kjo është e pafalshme. Duhet t'i bëjmë një pyetje vetes të gjithë: A duhet berishizimi të rikthehet në PD? Unë mendoj se PD duhet t'i kthehet ndryshimit", u shpreh Açka.

B.K.//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?