Zbulohet dorëshkrimi më i hershëm i ‘Rrethimit të Shkodrës’ shkruar nga Barleti

22 Qershor 2018, 16:16| Përditesimi: 22 Qershor 2018, 20:22

  • Share

Studiuesja njohur italiane, Lucia Nadin, ka prezantuar në Tiranë për herë të parë për publikun shqiptar një dorëshkrim të panjohur të Marin Barletit, autorit të “Historisë së Skënderbeut” dhe “Rrethimit të Shkodrës”, botuar pas viteve 1500. Hipotezat e saj janë se ky dorëshkrim është një kopje e hershme e librit “Rrethimi i Shkodrës, i shkruar nga Marin Barleti dhe u botua për herë të parë në Venedik në vitin 1504-1505.

Dorëshkrimi më i hershëm i zbuluar nga Nadin, në Bibliotekën Kombëtare të Francës, daton në vitet 1501-1502 . Prezantimi i këtij libri u bë në Konferencën Ndërkombëtare Albanologjike kushtuar Gjergj Kastriot Skënderbeut, në 550-vjetorin e vdekjes së tij nga studiuesja Lucia Nadin dhe Aurel Plasari.

Ishte një kërkim i gjatë, derisa ndesha në këtë libër. Unë kisha kërkuar botimet e Barletit dhe deri në këtë kohë kisha hasur të gjitha botimet që ishin nga viti 1504 deri në 1510-n nga Bernardino Vitali. Gjetja e këtij dorëshkrimi është një dritare e panjohur. Ky dorëshkrim kërkon studime e analiza më të thelluara. Dorëshkrimi ka shënime të ndryshme, por duhet bërë analiza, nëse është dorëshkrim apo një libër më i hershëm i botuar. Aty vihen re disa të dhëna të ndryshme nga varianti i botuar i “Rrethimit të Shkodrës”.

Për shembull vihet re se versioni i parë i botimit tek paragrafi i “Rrethimit të Krujës” ka ndryshuar dhe vjen më i përpunuar. Ky version është interesant sepse sjell një përpunim të gjuhës dhe të të dhënave. Teksti në çon edhe në krahasimin e veprës së Marin Barletit me atë të Marin Beçikemit. Por duhet pasur parasysh se këta autorë kanë një ndryshim të madh, ndërsa Barleti shkruan për historinë dhe ngjarjet e rëndësishme, Beçikemi shkruan më shumë për historinë e familjes dhe fisit të tij.

Lucia Nadin

Edhe studiuesi Aurel Plasari ka vlerësuar rëndësinë dhe diferencën e dy botimeve për të njëjtën ngjarje historike.

Ndryshim tjetër me rëndësi që ndodh mbas zbulimit të dorëshkrimit është marrëdhënia me Beçikemin. Beccikemi ka disa panegjerikë, por panegjeriku që lidhet me mbrojtjen e Shkodrës është saktësisht i botuar në 1503, pra 1504-a e Barletit e ka bërë automatike këtë lloj marrëdhënie. E cila tashmë duhet kthyer përmbys.

Aurel Plasari

Për studiuesen italiane Nadin, kjo është një ngjarje e rrallë për kulturën tonë, pasi është një dorëshkrim i veçantë që përmbys disa të dhëna historike.

Ky dorëshkrim na lë të kuptojmë se Barleti zotëron të dhëna që i përkasin fundit të 1400-s dhe kjo na lë të kuptojmë se ai ka shfrytëzuar në historiografinë e tij dokumente edhe më të hershme që i afrohen më tepër shumë periudhës kur jetoi Skënderbeu.

Lucia Nadin

Varianti i botuar i “Rrethimi i Shkodrës” çmohet si vepra e parë e letërsisë historiografike shqiptare. Gjetja e një dorëshkrimi më të hershëm në Francë, që i ishte bërë dhuratë Kardinalit Giulio Mazzarino (1602-1661), me origjinë italiane dhe mik i familjes së madhe Durrazo, çel siparin e kërkimit të shkrimeve më të hershme rreth historisë së Skënderbeut. Libri shkruhet “Marini Barletii, Scodrensis Sacerdotis, jurisque pontificii Scholaris, ad Augustinum Barbadicum, Venetae aristocratiae Ducem, ejusque Senatum, de bello Scodrensi brevissimus libellus”.

Prejardhja: Bibliothèque Mazarine (Mazarin Library), Paris. Vendndodhja: Bibliothèque nationale de France, Paris. Cote: Manuscrits Latins No. 6163. Së shpejti riprodhimi edhe në Bibliotekën Kombëtare, Tiranë.

Profesoresha italiane Lucia Nadin, është shumë e njohur në Shqipëri për kontributin e saj në fushën e kërkimeve historike mbi marrëdhëniet midis Republikës Venedikase dhe Shqipërisë.

FOTO/ Zbulohet dorëshkrimi më i hershëm i ‘Rrethimit të Shkodrës’ shkruar nga Barleti
//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?