Zbulohet paketa anti-shpifje/ Ja 11 rregullat që duhet të zbatojnë portalet, gjobat dhe mbyllja

16 Dhjetor 2018, 08:00| Përditesimi: 16 Dhjetor 2018, 11:14

  • Share

Shqiptarja.com siguron draftin për formalizimin dhe rregullimin e portaleve online, që konsiderohet si pjesa e të famshmes ‘paketa anti-shpifje’, e paralajmëruar gjatë muajve të fundit nga kryeministri Edi Rama. Që në krye, drafti përfshin për herë të parë portalet online në fushën e veprimit të ligjit për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë. Portali identifikohet në draft si ''ofruesi i shërbimit të publikimeve elektronike”, i cili është person fizik ose juridik, i regjistruar në regjistrin e ofruesve të publikimeve elektronike dhe ofron shërbime të publikimit elektronik. Neni 7 draftit, i cili shton neni 33/1 në ligjin për mediat audiovizive në fuqi që nga viti 2013, parashikon 11 parime, detyrime dhe rregulla, të cilat duhet të respektohen nga portalet gjatë publikimit të një lajmi, videoje, audioje apo çdo lloji forme materiali informues. Gazetat janë të përjashtuara nga ky ligj.

Rregullat dhe detyrimet për portalet

Çdo portal është i detyruar që të sigurojë që publikimet të shfaqen në një mënyrë të vërtetë, të paanshme dhe objektive. Duhet të vendosin masa mbrojtëse për mospërdorimin e publikimeve për qëllime kriminale. Gjithashtu, publikimet nuk duhet të cenojnë dinjitetin dhe të drejtat themelore të njeriut. Publikimet duhet të ofrohen për të gjithë përdoruesit njëlloj, pa dallime ndërmjet sekseve, racave, besimit, etnisë apo bindjeve të personave që i përfitojnë ato. Drafti parashikon gjithashtu që portalet duhet të respektojnë rregullat e etikës dhe moralit publik dhe të mos lejojë shfaqen e publikimeve që mund të nxisin vepra penale. Një tjetër detyrim i rëndësishëm ka të bëjë me respektimin e të drejtave të autorit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera ë lidhura me të. Po ashtu, çdo portal duhet të publikojë informacionin për emrin dhe adresën e personave juridikë si dhe emri dhe adresën e përfaqësuesit të autorizuar, dritaren ku mund të bëhet ankesë për lajmin e publikuar si dhe të caktojë një person përgjegjës për sektorin përkatës të publikimeve. Ligji krijon edhe të drejtën për qytetarët apo institucionet që janë të prekur nga informacione të pasakta apo nga shpifje, të botojnë përgënjeshtrimin e tyre në faqe ëeb. Portalet, nga ana tjetër, nuk kanë asnjë përgjegjësi nëse boton materiale që dalin nga Kuveti apo nga institucione të tjera shtetërore.

Ndjesa apo gjoba dhe organi që i vendos

Portali që nuk respekton 11 rregullat e mësipërme në publikimin e lajmeve mund te ndëshkohet nga Këshilli i Ankesave pranë AMA, i cili jep urdhër për të botuar formulën e ndjesës sipas vendimit përkatës të shkeljes së konstatuar, ose me gjobë nga 100 000 (njëqind mijë) lekë deri në 1 000 000 (një milion) lekë te reja. Këshilli i Ankesave caktohet nga AMA me shumicë të cilësuar dhe përbëhet nga kryetari dhe 2 anëtarë, specialistë të fushës së medias, të cilët emërohen për një periudhë 3- vjeçare, me të drejtë riemërimi jo më shumë se një herë. Portali që nuk respekton kërkesa për botimi e një përgënjeshtrimi mund të ndëshkohet me gjobë në masën 800 000 (tetëqind mijë) lekë.

Kur mbyllet portali

Përveç gjobave, ligji i ri parashikon edhe mundësi për mbylljen e portaleve nga 24 orë deri në një vit. Portalet që janë regjistruar jashtë Shqipërisë (pra ata që nuk mbarojnë me .AL) mund të bllokohen që të kenë akses në Shqipëri në formë të përhershme. Konkretisht portalet e regjistruara në Shqipëri që kanë kryer jo më pak se 5 kundërvajtje administrative brenda vitit, mund të bllokohen të kenë akses për një afat njëvjeçar. Portalet që kanë kryer 3 kundërvajtje administrative brenda një vitit, mund të bllokohen për një afat 24 orë. Portalet që kanë kryer jo më pak se katër kundërvajtje administrative brenda vitit, mund të mbyllen për një afat 7 ditor. Këto rregulla vlejnë për portalet e regjistruara në AKEP.

Portalet që s’janë regjistruar në Shqipëri

Për portalet që nuk janë regjistruar në Shqipëri, do të bllokohen që të kenë akses brenda territorit shqiptar përgjithmonë nëse nuk marrin në shqyrtim ankesat e përcjella prej Këshillit të Ankesave, më shumë se katër herë gjatë një viti kalendarik, ose për 24 orë nëse nuk marrin në shqyrtimi ankesat më shumë se 3 herë brenda një viti. Portalet e ndëshkuara nga Këshilli i Ankesave mund të bëjë ankim pranë AMA-s brenda 30 ditëve. AMA shqyrton ankesën dhe shpall vendimin brenda 30 ditëve. Kundër çdo vendimi të AMA portalet mund të bëjnë rekurse në gjykata.

 

Gjobat për portalet

1. 100 000 (njëqind mijë) lekë deri në 1 000 000 (një milion) lekë për thyerjen e 11 rregullave apo detyrimeve

2. 800 000 (tetëqind mijë) nëse nuk zbatohet vendimi i Këshillit të Ankesave

11 detyrimet për portalet

Të:

Sigurojë që publikimet të shfaqen në një mënyrë të vërtetë, të paanshme dhe objektive;

Sigurojë që trajtimi i ngjarjeve, përfshirë çështjet, që janë tema të debatit publik, të jetë i drejtë për gjitha subjektet e interesuara në këto çështje dhe të paraqitet në mënyrë të vërtetë dhe të paanshme;

Vendosin masa mbrojtëse për mospërdorimin e tyre për qëllime kriminale;

Mos cenojë dinjitetin dhe të drejtat themelore të njeriut;

Ofrohen për të gjithë përdoruesit njëlloj, pa dallime ndërmjet sekseve, racave, besimit, etnisë apo bindjeve të personave që i përfitojnë ato;

Të mos cenojnë sigurinë kombëtare dhe sigurinë e publikut;

Mos cenojnë shëndetin publik;

Respektojë rregullat e etikës dhe moralit publik dhe të mos lejojë shfaqen e publikimeve që mund të nxisin vepra penale;

Respektojë të drejtat e autorit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera ë lidhura me të;

Sigurojë mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit;

Të publikojë në mënyrë të qartë dhe të dallueshme informacionin për:

-Emrin dhe adresën\në rastin e personave juridikë, emri dhe adresën e përfaqësuesit të autorizuar;

-Shenjën/dritaren ku mund të bëhet ankesë për lajmin e publikuar.

-Të caktojë një person\persona përgjegjës për sektorin\sektorët përkatës të publikimeve emri\emrat dhe adresa\adresat e të cilit\cilëve duhet të publikohen qartësisht. Në caktimin e këtyre personave përgjegjës ofruesit e shërbimeve të publikimeve elektronike mbajnë parasysh cilësitë profesionale dhe etiko morale të tyre.

Kur mbyllen një portal, rregullat

-Për OSHPE–të (portalet) e regjistruara në AKEP:

a) Pezullim/bllokim të aksesit ne internet, për një afat 24 orë, nëse brenda një viti kalendarik ka kryer 3 (tre) kundërvajtje administrative të parashikuara nga ky ligj;

b) Pezullim/bllokim të aksesit në internet për një afat 7 (shtatë)-ditor, nëse brenda një viti kalendarik ka kryer jo më pak se katër kundërvajtje administrative;

c) Pezullim/bllokim të aksesit në internet për një afat njëvjeçar, nëse brenda një viti kalendarik ka kryer jo më pak se 5 (pesë) kundërvajtje administrative të parashikuara nga ky ligj.

-Për portalet që nuk janë të regjistruara në AKEP

a) Bllokimin e aksesit të shërbimit të publikimit elektronik ne territorin e Republikës së Shqipërisë, për një afat 24-orësh, nëse nuk marrin në shqyrtim ankesat e përcjella prej Këshillit të Ankesave, më shumë se tre herë gjatë një viti kalendarik;

b) Bllokimin përfundimtar/mbylljen e aksesit të shërbimit të publikimit elektronik në territorin e Republikës së Shqipërisë nëse nuk marrin në shqyrtim ankesat e përcjella prej Këshillit të Ankesave, më shumë se katër herë gjatë një viti kalendarik.  

(KLIKO KETU PER TE LEXUAR DRAFTIN E PLOTE PER ''PAKETA ANTISHPIFJE''

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Robshi: 16/12/2018 09:33

    Ku ka me shpifje se ai qe vendos cka eshte shpifje eshte administrate e shpifesit me te madh i cili e ka te justifikuar me ligj te shpife KRYEMINISTRIT...Kushtetuta thote qe nuk mban pergjegjesi per ate cka thote ne sallen e parlamentit hahahaha

    Përgjigju
  • Beni: 16/12/2018 09:28

    Ore, ky i çmenduri kujton se eshte akoma ne komunizm, apo i duket vetja si Erdogani, qe u mundua te bllokoje Twitter-in dhe Youtube. Bllokimi i faqeve behet vetem ne Kine, dhe ne asnje vend tjeter ne Europe. Kjo eshte e rrezikshme per te drejten e flales dhe demokracine ne vend.

    Përgjigju
  • Nsckkdld: 16/12/2018 09:10

    Antikushtetues.

    Përgjigju
    • Genc: 16/12/2018 11:30

      Nuk po kuptoj komentin.cdo njeri ka te drejte te shpif?apo shpifja duhet quajtur e drejte fjale.e drejte fjale pa kufizim,shpifja mendoj te denohet me burg.

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?