Lulzim Basha deklaroi së fundmi se i qëndron angazhimit të tij për të mos mbajtur një “Kuvend antiamerikan”, ndërkohë që përpjekjen e Berishës për të mbledhur strukturat e ka quajtur një “puç”.
Në fakt, pas thirrjes së ish-kreut të PD-së nga “Foltorja” e Beratit për të shpërndarë në rrjete sociale nxitjet për të mbështetur atë, kanë nisur dalja e një shkrese model të formularit që kërkon mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së.
Shkresa quhet “Formular-kërkesë” dhe është një fletë A4, ka edhe axhendën e Kuvendit që thirret me kërkesën e Sali Berishës zyrtarisht, i cili, është anëtar i Këshillit Kombëtar, e po tentohen të mblidhen firmat e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar të fundit të PD-së, i cili u mblodh në korrik.
Axhenda thekson se Kuvendi do të vendosë: “Miratimin e ndryshimeve statuore konform nenit 43/4 dhe 60 të statutit të PDSH-së për rivendosjen dhe garantimin e demokracisë në vendimarrjen e forumeve të Partisë Demokratike.
Analiza e qëndrimeve të kryetarit Basha ndaj parimeve themelore e normave të statutit dhe forumeve të Partisë Demokratike.
Vendimarrje sipas ndryshimeve statutore të propozuara dhe thirrja e referendumit të anëtarëve të Partisë Demokratike për të miratuar vendimet e Kuvendit Kombëtar të PD.
Përcaktimi i aksionit opozitar të Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Të ndryshme”.
Sipas shkresës, Kuvendi pritet të mbahet në ambjentet e Pallatit të Kongreseve, e nëse nuk e marrin dot sallën, do të njoftohet për një ambjent tjetër. Data dhe vendi, theksohet në shkresë do të bëhet e ditur nga Sali Berisha.
Pra bëhet qartë se kemi të bëjmë me një akt që kërkon ndryshime bazike në institucionet e partisë, të cilat sipas rregullut, duhet të miratohen në forume, si pjesë e organike e vullnetit të Këshillit Kombëtar dhe të kryesisë, apo kryetarit të PD-së, që shkojnë në Kuvend për të marrë miratim logjik.
Sikur, kjo kërkesë e anëtarit të Këshillit Kombëtar, Sali Berisha, (me rol ex-officio), të ishte shtruar në mbledhjen e Kuvendit të muajit korrik, si mocion dhe amendamente që vijnë nga salla apo anëtarët e forumeve, realisht nuk do të kishte pasur asnjë problem për tu diskutuar.
Në fund, anëtarët e Kuvendit(Kongresit) të PD-së, do të votonin për t’i diskutuar, elaboruar apo miratuar pikat e propozuar prej Berishës.
Por në Kuvendin e korrikut, as Sali Berisha, e as mbështetësit e tij si në grup parlamentar, ashtu edhe nga delegatët e anëtarësia e partisë, nuk paraqitën asnjë objeksion, mocion, apo propozim.
Ndërkaq, janë “kujtuar” 3 muaj më pas, për të thirrur Kuvendin, që si rregull thirret njëherë në 4 vjet por mund të thirret edhe në raste të jashtëzakonshme.
Në statutin e PD-së, Kuvendi thirret edhe me kërkesën e ¼ të anëtarëve të Kuvendit apo ¼ e anëtarëve të Këshillit Kommbëtar.
“Data e zhvillimit të Kuvendit dhe rendi i ditës njoftohen të paktën një muaj përpara ditës së parë të Kuvendit. Punimet e Kuvendit drejtohen nga një Komision i përbërë nga 5 anëtarë, i cili zgjidhet në fillim të Punimeve të tij, me propozimin e Kryetarit të Partisë”, thuhet në statutin e PD-së. Pra, çdo mbledhje e tillë, do të duhet të kalojë në strukturat normale.
Nëse një kërkesë e tillë e dalë nga Berisha si propozim, nuk do të pranohej nga kryesia apo edhe Këshilli Kombëtar, atij i mbetet vetëm ta kontestojë në Komisionin e Apelimit, Integritetit dhe Etikës që përbëhet nga 5 anëtarë të Këshillit Kombëtar.
Në vija të trasha, nëse Sali Berisha do të mbledhë Kuvendin, e Lulzim Basha nuk do, i vetmi organ që e shqyrton këtë konflikt është Komisioni i Apelimit. Ndryshe çdo hap tjetër do të përbënte short cut, apo siç e ka cilësuar Basha një “puç brenda partisë’. Edhe thirrjet për nxjerrje “përjashta të Lulit së bashku me kunatin”, apo pushtimin e selisë së PD-së, janë pikërisht akte të pastra puçi, që po t’i kthehesh kujtesës politike në vend ka sa të duash. 14 shtatori 1998, është më i rëndi ndër ta, ngaqë u pushtua selia e kryeministrisë.
Me përjashtimin e Sali Berishës nga grupi i PD-së, janë hapur shumë letra, por natyrisht jo të gjitha mes palëve. Të cilët po përdoren si nga ish-kryetari, e si nga kryetari, për të shantazhuar palët, e për të krijuar një atmosferë ndikimi tek mbështetësit e të dyve.
Megjithatë, nga më interesantet e këtyre “të palarave” që po dalin jo me batare por me “qitje një e nga një”, ishte ajo që doli nga njerëzit mediatikë pranë familjes Berisha.
Sipas kësaj teze, aksionet politike të Partisë Demokratike dhe të opozitës, në vitet e fundit, kanë dështuar sepse Edi Rama ishte tre hapa para gjithmonë. Gjithmonë sipas kësaj teze, që u anonçua Çim Peka, Luli, sa herë u merrnin vendime nga opozita, shkonte në ambasada t’i rrëfente ato, e më pas ambasadat ja thonin Edi Ramës, i cili u përgatiste.
Nga kjo deklaratë,(nëse është e vërtetë), del qartë e shkoqur se vendimet në Partinë Demokratike nuk i merrte Lulzim Basha, por Sali Berisha. Pasi Basha nuk kishte përse të rrëfehej në ambasada për një akt që e kishte marrë vetë, e më pas do të bëhej i njohur publikisht.
Nëse kjo është e vërtetë, gjithmonë bëhet fjalë, jemi pikërisht në situatën e pengut që kreu de jure i PD-së, ka qenë deri para vendimit për përjashtimin e kreut de fakto.
Sepse ndryshe, nuk ka sens logjikë spiunimi tek ambasadat i kryetarit të partisë, nëse vendimet i merr ai vetë.
Por edhe sikur të ishte kështu, Berisha dhe njerëzit e tij, përse nuk e kanë denoncuar prej kohësh “poliagjentin Lulzim”, por e lanë të bëhet kryetar me mandate të tretë, por e shpallën vetëm kur përjashtoi Berishën”?
Këtu ka të drejtë Astrit Patozi, i cili e krahason këtë ngjarje me “rastin Mehmet Shehu”.
Megjithatë, në këtë përplasje të egër që ka nisur në PD, problemi më i madh do të jetë ndarja në grupin parlamentar, pasi përpjekja e Berishës për të ndryshuar gjërat në strukturat e PD-së nuk duket se do të japin efekt.
Kjo do të ndodhte sikur të kishim tronditje të mëdha në degët, apo organet e tjera të partisë. Deri tani ka pasur vetëm një dorëheqje masive në degën e Korçës, por jo më shumë, e që nuk pati një efekt domino.
Megjithatë, edhe nëse deputetët pro Berishës, që deri tani kanë shkuar në 9 mund të revoltohen, ata më së shumti mund të krijojnë një grup tjetër parlamentar. Që de jure është krijimi i një force të re politike. E kjo, natyrisht kërkon një shqyrtim e analizim më vete…./ Gazeta "Tema"
MBLEDHJA DO BEHET NE 8 DHJETOR
Përgjigju