TIRANË - Zv. Ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, nuk është dakord me opozitën se në Shkodër po fshihen rastet me të prekur nga Covid-19. Përgjigjen e saj për demokratët e dha gjatë një interviste me Skype në Report Tv, ku tha se edhe ato raste që janë zbuluar kanë ardhur si pasojë e punës së shërbimit epidemiologjik.
Për Rakacollin, të infektuarit do të ishin me mijëra në Shqipëri, nëse qytetarët nuk do të kishin sakrifikuar për veten dhe familjen e tyre.
Numri 2 i Shëndetësisë në Shqipëri dha edhe detaje për gjendjen e të shtruarve tek spitalet Coivd, ndërsa shtoi se e dhënë positive, përveç numrit të të infektuarve që relativisht po bie, është edhe gjendja e atyre që janë në trajtim spitalor, për të cilët deklaroi se vetëm tre janë të intubuar.
Si një eksperte e fushës, zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli, në përmbyllje të intervistës për Report Tv, tha se nuk është në gjendje të bëjë parashikime a do duhet të nisë plazhi. Por në këtë ditë të shenjtë për besimtarët ortodoksë, Pashkën, ajo ndau një urim.
"Do isha shumë e lumtur të isha në gjendje unë të bëja të tilla parashikime në kohë. E uroj me gjithë shpirt të ndodhë, dhe shpresoj që ky urim në ditë pashke, të bëhet realitet", përfundoi ajo.
Sa do të ishte numri i të infektuarve nëse në Shqipëri do të kishte vazhduar kontakti social si normalisht dhe nuk do të ishin marrë masat e ashpra kufizuese?!
"Janë bërë kalkulime të ndryshme. Ky ishte një virus i panjohur, nuk dihej si do bëhej shpërndarje, por nisur nga modelet e tjera në vendet e tjra, është menduar se mund të kishim edhe 18 mijë të sëmurë", tha zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, gjatë një interviste me Skype në Report Tv.
Një histori për t'u duartrokitur është ajo e çiftit të doktorëve Nevila dhe dr. Arbër Gjermeni të cilët i janë dedikuar me mish e me shpirt punës me pacientët e prekur nga Covid19 në Spitalin Infektiv. Ata kanë plot 40 ditë që janë larg fëmijëve të tyre, djalit 10-vjeçar dhe vogëlushes vetëm 14 muajshe, ndërsa kujdesen me përkushtim, çdo ditë, për shërimin e pacientëve që po përballen me virusin e
Zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli tha se "histori të tilla janë të zakonshme në komunitetin mjekësor".
"Nuk mund të lindë një lloj përgjegjshmërie e tillë nëse nuk e ke më parë. Ai çift bëjnë sakrifica shumë të mëdha nga jeta e tyre për të cilët njerëzit nuk janë të ndërgjegjshëm. Mjekësia nuk është profesion, është mision. Ka shumë njerëz që mohojnë marrjen e gëzimit nga fëmijët, ju mohohet fëmijëve marrja e buzëqeshjeve të përditshme nga prindërit. Janë këto që e bëjnë të veçantë figurën e personelit mjekësor", tha ajo për çiftin e mjekëve që ende nuk e dinë nëse do të jenë në ditëlindjen e djalit të tyre që së shpejti mbush 10 vjeç.
Deri në këtë fazë të pandemisë COVID Shqipëria është duke përdorur ende respiratorët që ka pasur para shpërthimit të koronavirusit. Dhurimet që po bëhen - tha zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, për Report, tha se duhen për të përgatitur stokun për të përballuar çdo lloj skenari.
"Shqipëria për momentin fatmirësisht nuk ka nevojë të përdorë të gjithë respiratorët që i ka pasur, pa filluar pandemia, ne përgatitemi për stokun, nëse do ketë ndonjë situatë të ndryshme nga kjo që është. Janë përdorur respiratorët që kemi pasur më parë", tha Rakacolli.
A po fshihet numri i viktimave dhe a ka një diferencim të qytetit të Shkodrës në bërjen e testeve për të zbuluar të infektuarit me COVID-19? Në përgjigjen e saj gjatë intervistës me gazetarin e Report Tv, zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli tha se Shkodra është rasti tipik ku të prekurit me COVID janë zbuluar vetëm nga hetimi epidemiologjik, pasi shumica e të infektuarve kanë qenë pa simptoma.
"Në Shkodër nuk ka asnjë arsye të fshihet realiteti, përkundrazi. Rastet që janë gjetur në Shkodër janë gjetur nga hetimi epidemiologjik. Një pjesë e të infektuarve nuk kanë paraqitur asnjë shenjë. Nëse nuk do të kishte shkuar personi i shëndetësisë, ato raste nuk do ishin zbuluar. Këtu ka ndodhur e kundërta, jo akuza që po fshihen rastet, përkundrazi, kanë dalë rastet. Në Shkodër rastet nuk erdhën vet për t'u testuar, i zbuloi hetimi epidemiologjik", tha Rakacolli.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, në një intervistë për Report Tv tha se situata me koronavirusin deri më tani është e qëndrueshme. Ajo tha se në këtë fazë të pandemisë në Shqipëri, i rëndësishëm është fakti i numrit të të shtruarve në spital, një indikator ky qe jep një sinjal dhe lajm mjaft të mirë. Rakacolli tha se shumica e të sëmurëve janë në gjendje të mirë, dhe vetëm tre janë të intubuar.
"Numrat e tanishëm vazhdojnë të tregojnë që situata është e kontrolluar. Numrat nuk kanë qenë jashtë shifrave që na kanë bërë të mendojmë se do jemi në një situatë me numër të lartë të sëmurësh. Pavarësisht luhatjeve të vogla në numër, janë po aty njësoj, situata vazhdon të mbetet mjaft e kontrolluar. Pozitive është ulja e numrit të të shtruarve në spitale, me këtë fillon të matet graviteti. Kryesorja është që shumica e të sëmurëve nuk janë në gjendje të rëndë. Në repartin e kujdesit intensiv është një numër i vogël. Shenjat e mira të dominimit të epidemisë janë numrat e të sëmurëve që kanë nevojë për kujdes shëndetësor", tha zv.ministrja.
Gazetari: Sa janë më rëndë?
Rakacolli: Më rëndë janë ata që janë të intibuar, tani janë rreth 3 të sëmurë të intubuar.
Zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli tha se lehtësimi i masave vjen pas vënies në kontroll të pandemicë COVID-19 në Shqipëri, por nëse do të ketë përshkallëzim të situatës kufizuese, atëherë mund të kthehet sërish kufizimi.
"Fundi është i vështirë për t'u parashikuar. Situatat janë dinamike. Numri i qëndrueshëm i të infektuarve të rinj dhe gjendja e mirë e të shtruarve, janë premisa që masat mund të fillojnë të lirohen. Që jemi në këtë gjendje është në sajë të marrjes së masave të forta për të parandaluar kontaktet. Është koha të provojmë të lirojmë në një farë masat, dhe do ta provojmë, nëse do të ketë ndryshime, do të kthehemi përsëri", tha Rakacolli për Report Tv.