Zgjedhja e Presidentit, Agron Gjekmarkaj në Kuvend: ‘Si je o i bukuri i tezes’...Hani, moj bagëti, hani...

30 Maj 2022, 14:38| Përditesimi: 30 Maj 2022, 15:03

  • Share

Mes dyshimeve, pikëpyetjeve  dhe dilemave në jam opozitar i vërtetë apo i shitur, safi apo i blerë, 24 karatesh flori, apo prej tunxhi, i ndershëm apo i rremë u nisa ta marr fjalën sot ! Jetojmë në kohë të çuditshme, kur njeriu mendon se e di çfarë është por jo, i duhet të presë me dorë në zemër që të tjerët t'ja thonë e pastaj vetveten të gjejë ! Megjithatë vendosa të ec në këtë turbullirë dhe të trajtoj disa tema !! Sot u dogj edhe raundi i tretë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Kjo nuk ishte rastësi, as gjë e re, dihej dhe pritej. Shtegu i vetëm ku kalon hipokrizia dhe zgërdhija ndaj shqiptarëve ishte ky.

Mazhoranca për asnjë çast nuk ka pasur qwllim konsensusin që ndërton një proces me opozitën por thjesht të bëjë spektakël me shpenzimet  e Opozitës! Kjo sipërmarrje i rrinte si zhguall breshke, ngushtë shumë ngushtë sepse Lideri po e kërkon atë President mavrinë në askund që ai ose ajo të jenë  "askushi" në raport më pavarësinë institucionale. Kryeministri në mandatin e tij të tretë bezdiset nga çdo rezistencë, nga lehja e qenve në Surrel, nga cicërima e zogjve, nga poezitë dhe kengët e vartësve, nga çdo mendim që nuk është i veti, nga çdo portret që nuk e zografis vetë! Ndaj durim , ai po vizaton portretin e admiruesit të tij që do të vendosë në krye të shtetit për të realizuar kësisoj përmbylljen e kapjes së çdo institucioni, nocioni dhe personi në një Republike të thyer në mes nga i njëjti ves që karakterizon shtetin tonë nga pavarësia e këtej i cili është Uni, lyer me delir e mbuluar me nevojë sundimi.

CV -ja e tij në historinë e politikes shqiptare do shkruhet nga një njeri, nga ai që ndan të mirën nga e keqja, të drejtën nga e gabuara, të ëmblën nga e tharta. Të tjerët flasin kot se asgjë nuk dinë pos faktit që do votojnë në rresht. Presidenti që del nga raundi i katërt ka një detyrim çdo pasdite të marrë Kryeministrin e ta pyesë, po ku je o shyqyri i kombit ?! A  u lodhe sot o mezja e vendit, a të mërziten  o gëzimi i shoqërisë ?! si je o i bukri i tezes?! Mw mori malli o i miri i dajës! Kush ta prishi qejfin që mos bëftë hajër o lezeti i Evropës !

A të të bëj një kafe  o Skenderbe, që të mbledhësh midenë e ti bësh copash taborret ?!! Ndërsa Opozita humbi një rast jo për të patur një President se në asnjë cast nuk do ta kishte por për të bërë diferencën etike me një kanditaturë të vetme përbashkuese.

Politika dhe ekonomia janë gjithmonë në simbioze. Një politikë e keqe, amatore, përfituese apo kurruptive nuk ka për qëllim mirëqenien e shoqërisë por atë të individit klient e frekuentues të oborrit ! Siç thotë Viktor Hygo, nga ferri i të varfërve krijohet parajsa e të pasurve.

Askush nuk po pyet për sipërmarrësit e vegjël në peshkim dhe vetë peshkatarët. Ndonëse ata që duhet të bëjnë pyetësorët peshkun e hanë duke lëvizur buloçinje me ritëm turbine!

Në Shëngjin anijet rrinë lidhur sepse nafta është dyfishuar! Nuk dalin në det sepse nuk balancojnë humbjet me fitimin! Pak muaj më parë një kilogram merluc kushtonte 450 lek ndërsa tani 800.

Pra as nuk zihet as nuk konsumohet, duke vënë në diskutim mbijetesën e disa kategorive që gravojnë rreth peshkimit ! Kjo që vlen për Shëngjinin vlen per Durrësin, Vlorën , Sarandën e të gjithë të tjerët.

I njëjti problem shfaqet për bujqit e Zadrimës, Torovicës, Bregut të Mates, Gurzit, Fushe Kuqes, Ishull Shëngjinit, Ishull Lezhës e kudo tjetër që po lënë tokën djerr nga kostot e papërballueshme të lerimit, mbjelljes por edhe të mos tregtimit të produkteve. Fshatarët po futen në krizë mbijetese.

Torovica ska as më minimalen , ujin e pishem!

Pak muaj më parë i kerkova ministres Balluku të presë një përfaqësi nga kjo zonë për ti diskutuar mbi përspektiven e një ujësjellësi. Nuk e di as ti ketë prituar e as të me ketë kërkuar mua që ti çoj në ministri. Shpresoj që një ditë ta bëjë.

Një rixha e kam edhe për ministren Kushi , të vëjë dorën në zemër e ta ma bëj kabull por në fshatin tim në Ishull Shëngjin duhet një shkolle, ajo që është duket si kotec i rrënuar !

Prej vitesh në kohen e verës rruga si grykë shisheje, Milot -Shëngjin është një tmerr pa fund trafiku kap deri në 20 km ! Një rruge e tillë kërkon kohën e vet për tu zgjeruar apo për të gjetur zgjidhje të tjera. E kemi shtruar këtë problem që në shtator jo se do bëhej në pak muaj por së paku të fillonte!

Asgjë deri tani ! Ju bëj thirrje edhe deputetëve socialistë të Qarkut të Lezhës të mos heshtin sepse pa atë rrugë, s’ka turizëm. Veriu është Shqipëri po aq sa Jugu, Lezha po aq sa Vlora e Llogaraja.

Gjërat në vendin tonë lëvizin ngadalë sepse me të mbaruar zgjedhjet, fillon arroganca. Ata nuk kanë asnjë mundësi të shprehen. Përfitoj nga ky moment tu kërkoj mbështetje kolegwve deputet që të marrim një nisem për të ndryshuar ligjin për Referendumet.

Ai ligj ashtu siç është sot praktikisht i shkurajon, i shkëshillon, i ndalon Referendumet.

Në çdo nen të tij të porosit sesi qytetaret të mos bëjnë referendum, sesi të mos flasin, sesi të mos bëhen bashkë, sesi të mos rezistojnë, sesi të mos e shqetësojnë pushtetin.

Ndryshimi i tij në favor të qytetarëve, në uljen e kufizimeve të panumërta që e karakterizojnë do ti jepte frymëmarrje demokracisë sonë të kapur!

Me referendum , qyteti e vendi mund të shpreheshin për Teatrin, për Butrintin, për Ligjin e Arsimit të lartë, për inceneratoret, për korrigjimet kushtetuese , ato në drejtësi e shumë çka tjetër!

“ Tek përgjumja e ndërgjegjes publike mbillet fara e çdo diktature “  

Shumëkush i ka sytë nga kjo sallë, pret prej saj, por po kaq të shumtë janë ata që zhgënjehen nga artikulimi ynë, nga cilësia e fjalës dhe e gjuhës e cila shpesh ngjan me ata që i drejtohen tjetrit " o gjigant", " o kadaf" , " o zjarrmi i tokës" , " o babam" , " o pasha" " o bishë" po jo me origjinalitetin e tyre por si nxënës të tyre

Vlera e një njeriu matet me numrin e gjërave për të cilat turpërohet na mëson Bernard Show !  Dhe në fund siç e lyp qejfi ynë ju përshëndes me vargjet e Çajupit kushtuar bariut !

Shikoni barin' e gjore:

në diell a në dëborë,

bariu me shkop në dorë

ruan deshtë me këmborë.

Vështronje barinë mirë,

me të ngrën' e me të pirë,

t'u marrë dhëntë pa gdhirë,

t'i kullosë me dëshirë,

Hani, moj bagëti, hani,

kur të vdes do të më qani,

për mua zi do te mbani!

K.T.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Timi: 30/05/2022 23:15

    Te pakten nje zotni me kulturen e duhur..pa ofenduar askend,por duke shtruar probleme qe i kane njerezit e zakonshem...bravo

    Përgjigju
  • feridon: 30/05/2022 15:07

    shume mire si < analize> por te besh nilistin dhe paragjykuesin kudo e per cdo gje e aq me teper te pretendosh se i DI te gjitha e i zgjidh te gjitha / per me teper te etiketosh ata qe smendojne ndryshe,eshte e tepert per te mos thene papranueshme me se paku.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?