Zgjedhjet e 14 majit/ Gështenja: Edhe kandidatët e dalë nga primaret po punojnë për të siguruar vota për këshilltarët bashkiakë të PD

10 Maj 2023, 21:46| Përditesimi: 11 Maj 2023, 07:08

  • Share

Fushata elektorale për zgjedhjet vendore të 14 majit për të dytën herë e ka gjetur Partinë Demokratike të përçarë në dy kampe të ndryshme. Berisha dhe mbështetësit e tij në koalicion me Metën kanë nxjerrë kandidatë për kryebashkiakë në 61 bashki ndërsa Alibeaj si kryetar i komanduar ka arritur të nxjerrë vetëm 15 kandidatë.

Më shumë se një betejë opozitë-qeveri, këto zgjedhje vendore janë konsideruar si ‘betejë’ mes dy krahëve të PD-së. Lidhur me këtë situatë, deputeti democrat, Lefter Gështenja tha se ai personalisht nuk ka qenë për nxjerrjen e kandidatëve të tjerë përballë atyre të koalicionitr Berisha-Meta, duke qenë se zyrtarizimi i tyre u bë vetëm tre ditë para mbylljes së afatit.

I ftuar në studion e Repolitix në Report TV, Gështenja ka bërë me dije se në terren, deputetët e PD-së po punojnë fort për të siguruar vota në këshillat bashkiakë të bashkive të ndryshme. Ai madje shtoi se edhe kandidatë të cilët kanë dalë nga primaret dhe kandidojnë për koalicionin Berisha-Meta, po punojnë edhe për të siguruar vota për këshilltarët bashkiakë të PD-së.

“Janë kandidatë që kanë garuar tek primaret dhe kanë dalë fitues. Nuk është se këto kolegë të nderuar po punojnë kundër PD-së apo janë pozicionuar. Po punojnë fort edhe për numrin 9 që është lista e PD-së. Ideja është që most ë çohet vota dëm tek partia e Lirisë. Kishim mundësi të kandidonim më 61 bashki por vendimin për fundimtar Kyresia e vendosi që të dalim me këta kandidatë që kemi sot. Unë kam qenë i variantit ose të dalim me 61 ose me asnjë kandidat”-tha Gështenja.

Më tej anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD-së, Mirela Karabina tha se edhe mazhoranca kishte probleme, duke shtuar se e gjithë klasa politike e vjetër ndodhet në një moment delikat, për shkak të problemeve që kanë me çështje për të cilat akuzohen.

“Kemi edhe një mazhorancë me probleme, Kjo ka të bëjë me klasën politike që është në moment delikat, si Rama, Berisha ashtu edhe Meta. Ramën e shikoj në fushatë tallava por më duket me sy e me veshë nga SHBA ku ka një process hetimor të hapur që nuk dihet sesi do përfundojë.  Gjithashtu edhe Berisha që kërkon fitoren për shkak të problemeve që ka me SHBA-të. Edhe Meta po ashtu ka probleme me drejtësinë dhe po punon për rritjen e Partisë së Lirisë”- u shpreh Karabina.

Karabina dhe Gështenja kanë ironizuar fushatën e Partisë Socialiste duke e konsideruar si fushatë ku ka vetëm tallava dhe asnjë program zhvillimi për bashkitë e vendit. Fushata elektorale e Partisë Demokratike në këto zgjedhje është përqendruar më së shumti në kandidatët për këshilltarë bashkiakë, pasi shumë prej kandidatëve për kryebashkiakë u tërhoqën nga gara disa ditë pasi u zyrtarizuan. 

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?